Marrëdhënie

August 30, 2016 | 9:25

Dëshmi/Petri Bozo: Dashuria jonë… jashtë llogarive!

Për regjisorin e mirënjohur, Petri Bozo, duket se parimet e dashurisë janë unike dhe të papajtueshme kurrsesi me parimet ekonomisë. Njohja e tij me skenaristen Alda Bida u përkon viteve ‘80-’90, kur logjika mbi kërkesë-ofertën si një nga ligjet bazë të ekonomisë mbetet një koncept ekzistent i kohëve moderne, dhe jo për kohën kur ata u njohën me njëri-tjetrin, kur të gjithë ishin të barabartë, si punëtori i një fabrike me një punonjës institucioni.

 

Sipas Petrit, kështu ndodhte edhe në dashuri. “Kërkesë-oferta” në marrëdhënien e tij me Aldën kishte vetëm një emërues të përbashkët, ndjenjën, dashurinë! “E parë në këndvështrimin e ligjeve matematikore, dashuria do të mbështetej në rregulla të cilat jo vetëm do të nxisnin dyshimet mbi ndjesitë e pastra që njeh dashuria, por personalisht do të mendoja se marrëdhënia në çift do të mbështetej në hapa të pasigurt dhe pa diskutim nuk do të kishte jetëgjatësi”.

Njohja e tij me Aldën është fryt i një epoke me doza të forta përputhshmërie mes njëri-tjetrit. Dashuria për artin, njohja e aspiratave dhe kultivimi i ëndrrave të përbashkëta për të ardhmen janë pikënisja dhe çelësi i suksesit i një marrëdhënie të shëndoshë dhe të lumtur mes një çifti artistësh. Familja dhe puna për të kanë ecur paralelisht dhe, për fat, bashkëshortja është pjesë e projekteve të tij e po ashtu edhe fëmijët. Madje pse jo, edhe mbeska e tyre, Noara, kur të rritet. Motivet e jetës së përbashkët të çiftit Bida&Bozo ndoshta nuk janë në përputhje me rregullat strikte që deklarohen, sepse ne jemi “people on the moving!”, shprehet Petri. “Kur flitet për ndjesi e dashuri, zemra nuk mund të komandohet nga truri apo rregulla”.

Sekreti i një jete të suksesshme, plot dashuri e lumturi, është prania e njerëzve të dashur, e miqve të mirë, por mbi të gjitha e familjes së tij, për të cilën mirënjohja nuk ka për të shteruar. Përkundrazi, janë ata që e kanë ndihmuar Petrin të njohë më mirë realitetin, të mos pajtohet me mendësitë e ftohta të ndjesive të reja njerëzore, që për të do të konsideroheshin si njohje në bazë përllogaritjesh. Të qenit i admiruar dhe protagonist është njerëzore, por jo të gjithë njerëzit kanë mundësinë për të qenë të tillë. Në rastin e Petrit, këto dy cilësi janë brendësuar natyrshëm, ndaj kundërshtarë në ndjenjë ai nuk njeh kurrsesi. Ndjenja është tërësisht personale, edhe pse konkurrenca mund të jetë e egër. Pikërisht në këtë kontekst, Petri nënvizon se “ajo që është një kopje nuk mund të jetë e ndarë mes konkurrentëve. Në dashuri konkurrenca nuk mund të konsiderohet e egër, pasi dashuria nuk barazohet me fuqinë apo forcën dominuese. Me gjuhën e strategjive flasin ekonomistët, por nuk është e pazakontë, se këtë tërheqje shpirtërore janë mësuar ta imitojnë edhe disa të ashtuquajtur egocentrikë që, me sa duket, nuk udhëhiqen nga emocionet, por nga modelet trende të kohës që duan ta përafrojnë dashurinë me ekonominë! Mendoj se planet dhe llogaritë, strategjitë e parapërgatitura do të fyenin dhe do të dëmtonin emocionet që nxiten nga ndjenjat e pastra!”, nënvizon ai. “Familja është e bukur kur në të investon pa menduar për përfitime dhe përqindje. Mendoj se e kam bërë dhe do ta bëj këtë në të njëjtin sens ndjeshmërie, që nuk besoj se ka ndryshuar ndër vite. Fëmijët e kanë plotësuar jetën tonë dhe sigurisht u kemi edukuar të njëjtën logjikë, larg ekonomisë, kur zemra dashuron, sepse dashuria nuk mund të jetojë gjatë kur bën llogari!” –përfundon Petri Bozo, duke na rrëfyer se suksesi i marrëdhënies së tyre 25-vjeçare qëndron në praninë e dashurisë së dy fëmijëve tashmë të rritur dhe të një profesioni që i jep akoma edhe më shumë ngjyra raportit në çiftin e mirënjohur.

Botuar në revistën psikologjia, nr.72

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top