Xhelozia është ndjesi të cilën çdokush e përjeton në mënyrën e tij. Që do të thotë se femrat janë më të ndjeshme, më të lexueshme, ose ato preferojnë të shfaqen kështu. Në më të shumtën e rasteve, xhelozia duket sikur ka fytyrën e femrës por edhe meshkujt nuk mbeten pas. Në fund të fundit është natyrale dhe e pranueshme kur nuk kalon kufijtë, kur nëpërmjet xhelozisë lexojmë ndjenjën e dashurisë, se sa shumë na do partnerja, fëmijët, miqtë. Nuk mendoj se xhelozia është vetëm në planin e një raporti në çift, për mendimin tim është e gjerë, shumëplanëshe. Reagimet femërore ndaj ndjesisë së xhelozisë janë herë të vrullshme e herë të fshehta e të ndërlikuara. Në rastin e dytë duhet të jemi të kujdesshëm sepse mendja femërore mund të ndërtojë kurthe dhe situata aspak të këndshme që shpesh janë të pashpjegueshme edhe nga vetë mjekët. Kjo ka të bëjë me mënyrën se si është formuar një femër, me familjen nga ajo vjen, cilësitë intelektuale, por dhe me një fakt të rëndësishëm: A e ka xhelozinë të trashëguar, si sëmundje, sepse ka raste kur xhelozia është patologji. Në ç’masë durohet ajo? Pak e vështirë të gjesh masën e një ndjesie, sepse vetëm xhelozia ka sjellë në jetët e shumë njerëzve pasoja, madje deri në humbje të jetës. Kjo tregon që është e pakontrollueshme, ndaj dhe nuk ka masë. Femrat apo meshkuj për shkak të xhelozisë mund edhe ta joshin dikë që nuk e duan (por e bën se është xheloze për shoqen (shokun) apo një femër (mashkull tjetër). Mund edhe të bëhet interesant në një ambient sepse sheh që nuk është ajo (ai) qendra e vëmendjes. Mund edhe të përparojë në karrierë pse brenda saj (tij) zien xhelozia për dikë tjetër që ka përparuar më shumë se ajo (ai). Kur është në masën e duhur… por nëse xhelozia kalon masën është një ferr në çdo drejtim. Masa e duhur për mendimin tim është kur xhelozia është në funksion të një marrëdhënieje qoftë kjo në çift apo edhe në shoqëri, pra nxit, shtyn përpara dhe shërben si stimuluese. Dashuria nuk lexohet pa pak xhelozi. Karriera nuk do të shijonte pa pak xhelozi.
Botuar në revistën Psikologjia, shkurt 2012
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.