Marrëdhënie

February 6, 2016 | 8:00

Dëshmi/Saimir Kodra: Edhe tigër të më kërkojë djali, do t’ia blej!

Mami dhe babi i kishin folur shumë për kafshët, llojet e tyre, madje kishin krijuar përralla të reja me to. Ndërsa në parqet apo kopshtet ku ata gjendeshin, krijonin situata të besueshme se diku mbi pemë gjendej një ketër, apo pas shkurres një lepur. E mesa duket, ky i fundit ishte më i preferuari, aq sa një ditë Aleksandri, të parën fjalë që do të thërriste ishte pikërisht emri i këmbëshpejtit të pyllit. Kaq sa për fillim dhe shpejt fjala e thënë prej tij u bë një realitet i gëzueshëm. Babi, Saimiri, i cili bën gjithçka që biri i tij dyvjeçar të kënaqet, i blen një lepur dhe e vendos në kafaz. Për Aleksandrin kjo ishte një lojë e paparë. Ai mund ta ngacmonte e të bënte ç’të donte me lodrën e tij të re. Dhe ja, nisi aventura e re e cila për një kohë të shkurtër do ta mërziste Aleksandrin e vogël. Siç tregon Saimiri, lepuri i parë do të humbiste nga një pakujdesi e vogël. Por kjo për fare pak, pasi për birin e vogël duhej zëvendësuar patjetër me një të ri. E kështu ndodhi. Një miku i tyre i dërgon një lepur tjetër, këtë herë jo të bardhë me pulla, por gri. Një femër llupëse e cila për pak sa s’i kishte ‘ngrënë’ gishtin Aleksandrit. Babi Saimiri i cili është më i rregullti në marrëdhënie me këto situata, përpiqet ta bindë të birin për ‘rregullat e lojës’. Se lepuri nuk mund të gënjehet me ushqimin e preferuar të tij, karotën. Aleksandri është fëmija i vetëm i prindërve Saimir dhe Ada Kodra, të cilët më shumë se një dëshirë e birit të tyre, kanë një pasion po kaq të madh jo vetëm për lepujt, por për të gjitha kafshët. Ajo që prindërit e rinj përpiqen të bëjnë me fëmijën e tyre, nuk ka të bëjë vetëm me aspektin e argëtimit. Siç tregon mami Ada, e cila pushimet e fëmijërisë i ka të freskëta në kujtesë, kaluar te gjyshërit në Dardhë, marrëdhënia me kafshët e shtëpisë përcillte tek ajo një emocion krejt ndryshe nga lojërat e asaj kohe. Sikundër dhe babi Saimiri i cili pasionin e tij e shtrin edhe më larg se kaq. Preferencat e tij janë gjuetia e lirë e zogjve, ku bashkë me mikun e tij verior dhe dy zagarët fisnikë, marrin më shumë se një argëtim në bjeshkët e namuna. Emocione të tilla ai arrin t’ia përçojë dhe djalit të tij dyvjeçar, ndërsa i papërmbajtur në dashurinë që ka për të, ka bërë dhe miqtë si vetja. Një herë miku i tij i solli për djalin një gjel i cili ngjante gati me një pallua. I kishte të gjitha ngjyrat tek pendët, tregon Saimiri. Një mrekulli më vete, sipas tij, por që nuk mund t’i rezistonte hapësirës familjare brenda një banese në pallat, e kështu përfundoi i pjekur. Një herë tjetër një qengj të vogël… Sikur Aleksandri t’i kërkojë edhe tigër, babi Saimiri nuk do heshtë për t’ia plotësuar dëshirën. Do bënte gjithçka vetëm e vetëm që ai të lumturohej. Nuk ka se si në fakt të tërhiqet para engjëllit sy blu i cili i ka falur dashurinë e përjetshme. Së shpejti, në planet e familjes së vogël, pritet të bëhen pjesë dhe shpendët. Papagajtë dhe zogjtë do të jenë miqtë e rinj të strehës së tyre, diku në një nga zonat me ajër të pastër të Tiranës. Një zgjedhje familjare jo vetëm për Aleksandrin por edhe për veten e tyre.

Botuar në revistën Psikologjia,Janar 2012

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top