Kur mësoi se prisnin binjakë, u hyri studimeve me kokë. Sigurisht, lexoi shumë edhe për telepatinë. Ajo beson në energjinë që secili prej nesh mbart dhe tejçon. Për Suela Rusetin, ka fakte që e bëjnë të mendojë se ekziston një energji shumë e veçantë mes binjakëve. Sipas saj, “ata krijohen njëkohësisht, lindin njëkohësisht, rriten njëkohësisht”. Sot, Egin dhe Greg janë tre vjeç. Janë bashkë si plotësim i njëri-tjetrit, siç i konsideron nëna e tyre.
INTERVISTA
Psikologët thonë se mes binjakësh ka telepati. Kur njëri ka një shqetësim, e ndien dhe tjetri. Sa e vërtetë është kjo?
Kaq kohë sa ata rrinë bashkë, secili prej nesh kalon vetëm me veten. Ndaj dhe, përveç mistikës, besoj edhe në shkëmbimin shumë intensiv të energjive mes binjakëve, gjë që mendoj se i bën ata ta njohin në detaj njëri-tjetrin dhe për pasojë edhe të jenë shumë të ndjeshëm. Janë të vegjël ende dhe nuk janë rasti i binjakëve identikë, por kam vënë re një rast ku kam menduar se kanë telepati. Egini kishte shkuar te gjyshja për të fjetur, ndërsa Gregu ndodhej në shtëpi se ishte pak sëmurë. Në darkë, kur Gregu ishte shtrirë, më thotë: “Mami, tani Egini po mbyll sytë se do të flejë”. Ishte vonë për ta vërtetuar, por pata ndjesinë se Gregu po mendonte intensivisht për Eginin në atë moment. Egini dhe Gregu janë pa frikë plotësim i njëri-tjetrit. Ata bashkë bëjnë një perfeksion. Egini është logjika, Gregu instinkti; Egini rregulli, planifikimi, Gregu antirregulli, aventura. Egini mëngjeseve më thotë: “mos më vish shumë bukur se nuk dua të habis njeri”, ndërsa Gregu gjendet shpesh në qendër të vëmendjes, majë tavolinës, duke recituar një vjershë që mund edhe ta ketë shpikur në çast. Edhe në çerdhe dallonin, siç thoshte edukatore Eleni: “Gregu është lider grupi, është i paparë. Egini do bëhet filozof”. Gjithsesi janë të dy shumë energjikë dhe shumë vitalë, secili në mënyrën e vet. Kjo falë Gentit, bashkëshortit tim, që i merrte “për vrap” që kur nisën të ecnin. Kur shëtisim bashkë nga liqeni dhe i ngjitemi ndonjë tatëpjete, Egini ecën shpejt që të arrijë i pari, Gregu jo, ndalon dhe prek çdo gur, çdo shkop. Mendoj se mbase kështu do të jenë edhe në jetë. Egini do synojë arritjen e qëllimit, Gregu do shijojë jetën. Nuk i dihet… Shpresoj shumë që të marrin nga njëri-tjetri përmes shkëmbimit të kësaj energjie të jashtëzakonshme mes binjakësh.
A janë binjakët xhelozë për njëri-tjetrin?
Nuk do të thosha xheloz, por secili kërkon shpesh të jetë qendra e vëmendjes. Kjo është krejt normale për një fëmijë. Nuk i them kurrë i madhi, i vogli, përfshirë Mein. Mei (vajza) thotë sipas interesit të çastit “jam e vogël” ose “jam e madhe”! Djemve edhe në certifikatën e lindjes, e porosita maminë t’jua shënonte orën e lindjes njësoj. E mbaj mend, paradite ora 10:25. E kam vuajtur shumë faktin që ndoshta nuk do t’i kushtoja dot gjithë kohën ekskluzivisht secilit, por më duhet ta ndaja. Kur i jepja qumësht njërit dhe tjetri grindej (mbase për arsye të tjera) unë mërzitesha se më dukej sikur s’po u kushtoja vëmendjen e duhur. Me kalimin e kohës po mësohemi, por jo plotësisht. Kur i themi bravo njërit, përpiqemi të inkurajojmë edhe tjetrin, që të mos ndihet keq. Marrëdhëniet mes nesh i kemi të qarta. Ata që të tre bëjnë shumë pas Gentit, bashkëshortit. Ai është idhulli i djemve dhe dashuria e Meit dhe e imja, nuk ka vend për xhelozi. Me djemtë jemi kujdesur që kur lindën, t’u përgjigjeshim secilit pa i diferencuar. Nuk është aq e lehtë, vetëm prindër binjakësh na kuptojnë. U vumë emra jo të ngjashëm dhe as iniciale të njëjta, që secili të ketë plotësisht identitetin e tij. I kemi veshur dhe i veshim gjithnjë ndryshe, sepse duam t’i diferencojmë në identitet, ndërsa lodrat ua blejmë njësoj, pasi duam të mos i diferencojmë në trajtim. Librat ua blejmë sipas zgjedhjes që bëjnë vetë. Madje, t’ju them të drejtën, më ka qëlluar para një jave të blej tre libra njësoj, sado absurde t’ju duket. Që i veshim ndryshe jam shumë e lumtur dhe ua rekomandoj fort të gjitha nënave që kanë binjakë. E pyeta me shaka Eginin kur ishte vetëm 2 vjeç e gjysmë: “Kush je ti, Gregu? Më tha: ‘Jo, jam Egini, se kam veshur rrobat e Eginit’”. Ishte përgjigja më fantastike që një prej binjakëve mund të japë, apo jo? Tortat janë gjithmonë dy, do të jenë gjithmonë dy. Tani për tani të njëjta, deri sa t’i kërkojnë vetë ndryshe (mania për t’i trajtuar njësoj), kryesisht me kafshë, sepse i duan shumë dhe i njohin në detaje më mirë se unë, vërtet, madje prej tyre edhe Mei. Nëse grinden për një lodër, kemi një zgjidhje. Numërojmë në kor deri në 10 sekonda që e mban njëri dhe 10 sekonda që e mban tjetri, e kështu me radhë. Rregullin ama na e thyen Mei, e cila nuk para u bindet sekondave dhe ata e tolerojnë. Sa për puthjet ua japim të treve me tepri, ne dhe gjyshërit. Unë dhe Genti themi shpesh “nuk duhet dhe s’do t’i përkëdhelim e t’i puthim kaq shumë”. Është një premtim që na pëlqen shumë, të cilin e thyejmë gjithmonë.
Duke pasur një motër më të vogël, cila është marrëdhënia që dy djemtë kanë krijuar me të?
Mei? Mei është sheqerka më pikante e shtëpisë. Djemtë ishin shumë të vegjël kur lindi Mei, vetëm një vjeç e katër muaj. Ata po rriten bashkë dhe Mei është shumë e avancuar për moshën falë qëndrimit me dy djemtë. I kanë thirrur kukulla e vogël qëkur lindi dhe e duan shumë. Gara është kush e ka Mein në skuadër. Ajo e ndien dhe përkëdhelet. Mei, edhe pse më e vogël, arrin t’i drejtojë si drejtoresha, siç e quajmë ne, u tregon edhe përralla, e madje i bën edhe për të qeshur me ledhat dhe “gallata” siç u thonë ata. Së fundmi, djemtë kemi filluar t’i ndajmë për fundjavë secili më vete te gjyshërit. Mei, me ne. Ka për të gjithë domethënë. Më pëlqen që po i ndajmë, se jo vetëm të mësohen më vete, por edhe që së paku për fundjavën të kenë vëmendjen ekskluzive të gjyshërve, që i kanë secilin pikë të dobët, ose siç thotë Egini: “nëna lumturohet kur shkoj unë”. Ndahen edhe paraditeve. Djemtë shkojnë në kopsht, Mei në çerdhe. Mëngjeset janë tmerrësisht të zhurmshme. Fillojnë me kalimin e Meit sa te krevati i Gregut, tek i Eginit për puthjen e mëngjesit, vijojnë me një ritëm të shfrenuar ku bëhemi gati të gjithë dhe përfundojnë me hyrjen në ashensor që me “dhimbje” na nxë të pestëve. Është e lodhshme, po sigurisht, sikur secili të të thotë vetëm një herë në ditë “mami të dua shumë”, të shkrin çdo energji negative që ke marrë gjatë ditës. Ata kanë njëritjetrin dhe s’ka në botë më të dashur se vëllai e motra kur rriten me dashuri.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.84
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.