“Gjithmonë ka një anë tjetër, gjithmonë.”
“Drejtësi, e kam dëgjuar këtë fjalë. Është një fjalë e ftohtë akull. E provova. E shkrova në një copë letër. E shkrova disa herë dhe gjithmonë më dukej si gënjeshtër e akullt. Drejtësia nuk ekziston.”

Foto ilustruese nga filmi me të njëjtin titull
Antuaneta është një trashëgimtare kreole, një jetime e bukur dhe e vetmuar, që ka lindur dhe jeton në Xhamajkë, në periudhën fill pas ndalimit të skllavërisë. Ajo rritet në këtë parajsë tokësore, ku nuk ka asnjë idil, por vetëm një diell mbytës, një skamje rrëqethëse dhe një padituri vrastare. Në këtë ishull zhgjëndërr, ajo martohet pothuajse me mblesëri me Eduard Roçesterin, djalin e dytë të një aristokrati anglez, i cili po kërkon një bashkëshorte me prikë të majme. Emri i Roçesterit nuk është i ri për lexuesin: ky pothuajse çunak mban të njëjtin emër të atij zotërisë së rreptë, burrit të rëndë, pas të cilit do të dashurohet Xhejn Eri, vite më vonë. Si arriti ai, Eduardi, i ri, i çiltër dhe i sinqertë të shndërrohet në një burrë të ashpër e makiavelik? Si arriti ajo, Antuaneta, e bukur, tërheqëse dhe e lirë, të shndërrohet në një makth të fshehtë?
Historia e rrëfyer në këtë roman është prelud i historisë klasike e të paharrueshme të Xhejn Erit. Autorja përfytyron Roçesterin para se ai të bëhej punëdhënësi manipulues i Xhejnit, por mbi të gjitha, ajo rrëfen se kush ishte bashkëshortja e tij e marrë, para se të shndërrohej në atë përbindëshin e fshehur që fanitet netëve në Thornfilld. Ky roman mbresëlënës u jep zë historive të lëna në harresë, të heshtura e të panjohura, duke eksploruar dritëhije të ndryshme të mënjanimit dhe të përçmimit: gjinia, klasa, raca dhe çmenduria.
I përfshirë rregullisht në listat e ndryshme të përpiluara anembanë botës për librat që duhen lexuar të paktën një herë në jetën tuaj (Modern Library – 100 librat e përzgjedhur nga bordi drejtues; The Telegraph – 100 librat që të gjithë duhet të lexojnë; Time Magazine – All-Time 100 novels; Goodreades – 100 librat që duhen lexuar para se të vdesësh), ky roman ka zënë pa dyshim vendin e tij në klasikët modernë.
Kritika
“Deti i paanë i Sargaseve” është një roman i shkëlqyer, që shlyen pengje, që ngrihet mbi rrëfimin, i shndërruar nga një vetëdije e jashtëzakonshme. Gjatë gjithë jetës së saj, Jean Rhys u përpoq të kuptonte se çfarë ndodhte midis grave dhe burrave, dhe nga këto reflektime lindi një pasuri e brendshme, përfytyrimi i fuqishëm e pothuajse vegimtar i një “Xhamajke”, ku dituria lulëzon në ligësi rrezatuese, ku injoranca mundëson mashtrime të tmerrshme dhe ku njerëzit sakatojnë e shkatërrojnë pasi e kanë frikë njëri-tjetrin.
– The New York Times
Lakonik, drithërues dhe tejet ndjellës, ky është një roman për t’u lexuar në plazh, nga ata që duan të kuptojnë lidhjet e fshehta. Nuk ka pse të shkoni deri në Karaibe.
– The Guardian
“Deti i paanë i Sargaseve” nuk është thjesht një roman i mrekullueshëm, është shumë libra të shkëlqyer në një. Ky prelud i Xhejn Erit, kompleks dhe me shtresa të shumta, ilustron gjallërisht se sa ndryshojnë historitë e rrëfyera nga ndodhitë e vërteta, dhe krijon ndjesinë se e kaluara është e pashmangshme.
– The Independent
Këtu dalin në pah jeta dhe aftësitë e distiluara të autores… Këtu proza e saj është më zhdërvjellët, më e sigurt.
– NPR
Një arritje e jashtëzakonshme, nga çdo pikëpamje… Atmosfera e librit lë mbresa nga më të fortat.
– The New York Times Book Review
Autorja
Jean Rhys, (1890 – 1979) lindi dhe u rrit në Republikën Dominikane, deri në moshën 16-vjeçare. Më pas ajo jetooi në Angli. Ajo shkroi dhe botoi mbi dhjetëra vepra letrare, ndër të cilat, Deti i paanë i Sargaseve (1966) i dha famë ndërkombëtare.

Foto ilustruese nga filmi me të njëjtin titull
Fragmente nga libri
Ia urreja malet e kodrat, lumenjtë e shiun. Ia urreja perëndimet e çfarëdo ngjyre, ia urreja bukurinë, magjinë dhe sekretet, që s’do t’i mësoja kurrë. Ia urreja shpërfilljen dhe mizorinë, që ish pjesë e bukurisë së tij. Po mbi të gjitha urreja atë vajzë. Sepse ajo i përkiste magjisë e nurit të tij. Ajo më kish ndezur etjen dhe tani gjithë jeta ime do të njihte veç dëshirën e zjarrtë e lëngatën e humbjes së asaj që ende nuk e kisha njohur.
…
Njeriu ka gjithmonë dy vdekje: të vërtetën dhe atë që merr vesh mileti.
Titulli: Deti i paanë i Sargaseve
Autori: Jean Rhys
Përktheu: Anxhela Cikopano
Zhanri: Roman
Numri i faqeve: 178
Koleksioni Mozaik
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.