Psikofakt

May 3, 2016 | 8:24

Detyrimisht dhe pa kushte

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Quajini si të doni: pleq, të moçëm apo të vjetër, pak rëndësi ka. Por vëzhgojini me kujdes, ju, që ende ju duket vetja përjetësisht e re, e bukur, e zhdërvjellët, tërheqëse, e papërballueshme, ju që mendoni se koha ju përket detyrimisht dhe pa kushte. Shihini kur ecin me hap të pasigurt, të kërrusur, të rrudhur. Shihini kur gdhihen e ngrysen të vetmuar. Shihini kurrë humbasin shtigjeve të kujtimeve tashmë të zbehura, gati – gati bardhezi. Shihini kur grinden me veten në heshtje, Shihini kur mbyllen në vetvete, kur u dridhen këmbët, duart, shpirti. Shihini kur bëhen si fëmijë dhe kanë nevojë për mbështetje, për dikë pranë që t’u dëshmojë se nuk janë vetëm, se nuk do të vdesin të vetmuar. “Se nuk do të vdesin të vetmuar”…

Sa fjali e tmerrshme për ata pleq, të moçëm apo të vjetër, quajini si të doni, të cilët kanë sjellë në këtë botë dy, tre apo më shumë fëmijë, që i kanë rritur me mjaft mundime e sakrifica, që i kanë shkolluar dhe nxjerrë në jetë, që kanë rritur edhe fëmijët e fëmijëve, që u kanë bërë shpesh pazaret, paguar faturat e telefonit, dritave, ujit edhe kur ata, fëmijët e tyre, kanë krijuar familje më vete.

Në këto kohë moderne, me përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të kujdesit mjekësor, po shtohet si shumë numri i pleqve që, të mbetur vetëm, befas nisin e bëhen si fëmijë, organet e trupit nisin e i tradhtojnë pak e nga pak: dora u dridhet dhe supa u derdhet, nuk dinë më të shfryjnë hundët, ngatërrojnë protezën e poshtme të dhëmbëve me të sipërmen, nuk dinë më të veshin këpucët, madje ngatërrojnë të majtën me të djathtën, vrënjten me ankth kur përpiqen të ndezin furnellën ose të presin thonjtë ose të lajnë dhëmbët dhe vërejnë se nuk janë më të zotë as për gjestet më të thjeshta, më të përditshme, që deri dje i bënin automatikisht pesë, gjashtë apo shtatë herë në ditë, që numërojnë e rinumërojnë paratë e pensionit e asnjëherë nuk u del e njëjta shumë.

Pastaj vjen çasti aq poshtërues kur ata vërejnë se nuk arrijnë ta mbajnë urinën deri sa të shkojnë në banjë, pastaj çasti tjetër edhe më poshtërues kur duhet të mbajnë pampersa dhe nuk janë aq të zotë sa t’i veshin e t’i fiksojnë vet me duart e tyre. Po fëmijët e tyre – tashmë vetë prindër – ku janë? Në rastin më të mirë banojnë në të njëjtin qytet, i mbajnë në shtëpinë e tyre ose u kanë vënë, atje ku banojnë më vete e të vetmuar, një ose dy kujdestare dhe shpesh vinë e i shohin, u sjellin pensionin, u blenë ilaçet, u thërrasin mjekun në rast nevoje, u paguajnë faturat e ndryshme etj. etj., por rrallëherë – e tillë është jeta moderne – e harxhojnë me vetëdije kohën për të biseduar me ta, për t’u freskuar kujtimet e zhubrosura nga pleqëria, për t’i gjallëruar sado pak me vëmendjen e tyre jo thjesht fizike, por edhe shpirtërore, duke mos ua vënë re lajthitjet e pleqërisë së thellë dhe duke mos harruar që, një ditë prej ditësh, edhe vetë ata, fëmijët e tyre, do të plaken. Sepse askush nuk është i paplakshëm. Sepse nuk na përket koha neve, por ne asaj. Detyrimisht dhe pa kushte.

Botuar në revistën Psikologji, nëntor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top