Në fokus

December 6, 2019 | 8:12

Dhjetori… jo vetëm hare, por edhe stres

Festat e fundvitit, si traditë në Shqipëri, janë ato që i presim me më shumë gëzim dhe ankth gjithashtu. Shumica prej nesh në memorie ka festat e fëmijërisë dhe ata që realisht festojnë më tepër janë fëmijët. Na ka ndodhur të gjithëve t’i shohim mamatë tona nervoze, të cilat prej ditësh zhvendosen në kuzhinë duke u marrë me gatimet e natës së Krishtlindjeve apo Vitit të Ri. Dhe, në të vërtetë, ato që lodhen më së shumti për festa janë mamatë. Për këtë arsye ka shumë prej nesh që i konsiderojnë festat stresuese. Për të mos folur më pas për festën e fundvitit me kolegët e punës, për listën e gjatë të dhuratave, të cilat shumë shpesh i blejmë ditët e fundit, për portofolin që boshatiset… Psikologët dhe specialistët e fushës këtë gjendje shpirtërore të shumë njerëzve e quajnë depresioni i festave. Një shqetësim i humorit që nis në dhjetor, kur çdokush fillon të përgatitet për festa, dhe që bëhet edhe më i fortë ndërmjet ditëve të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

1

Shtohen me 20 % kërkesat për ndihmën e psikologëve

U ndodh shumë njerëzve, pa dallim moshe apo gjinie, që të ndihen jo mirë shpirtërisht dhe të kërkojnë këshillimin me një psikoterapist. Sipas psikologëve, për shkak të stresit që vjen bashkë me festat, vihet re një shtim pacientësh me rreth 20% më shumë. Nga simptomat nuk mund të shpëtosh dot, të cilat janë: dhimbje koke, mungesë urie, ndjenja faji (pasi ndihen të paaftë për të përgatitur një mbrëmje të bukur apo për të bërë dhuratat e duhura), zvogëlim i dëshirës për t’u argëtuar, vështirësi për t’iu gëzuar dashurisë së të afërmve, lodhje, por edhe vështirësi për t’u çlodhur.

Detyrimet provokojnë stres

Përse kur të gjithë janë të lumtur, ju ndiheni në stres? Shpesh është faji i ngarkesës së madhe të gjërave që duhet të bëni, punëve dhe detyrimeve të shumta: të jeni gjithmonë të pranishëm dhe të buzëqeshur provokon burim të madh stresi. Edhe ndryshimi i rutinës së përditshmërisë, ndërmjet vrapit nëpër dyqane dhe darkave pa fund, mund të jetë vendimtar për gjendjen shpirtërore. E njëjta gjë ndodh edhe kur mendoni për shpenzimet e tepërta dhe për tejkalimin e buxhetit që keni caktuar në fillim të muajit, sidomos në këtë periudhë krize financiare.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top