Rastet e dhunës nuk rreshtin në shoqëri dhe institucionet arsimore. Shembull negativ ishte rasti i emigrantit grek i cili vrau gruan në prani të dy fëmijëve, ndërsa djalin e madh e rrëmbeu duke e ngarkuar edhe më shumë situatën për të dhe jo vetëm…
Së fundmi një mësues është filmuar duke ushtruar dhunë fizike mbi një nxënës në shkollën 9-vjeçare “Hasan Koçi”, Durrës. Pavarësisht shkakut të ngjarjes, Ministrja e Arsimit dhe Sportit,Lindita Nikolla ka dalë në një qëndrim zyrtar, duke ftuar të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit dhe çdo qytetar në vend, të mos hezitojnë të denoncojnë çdo lloj akti dhune i cili cënon të drejtat themelore dhe të shtrenjta të fëmijëve tanë si dhe dëmton rëndë imazhin e shkollës. MAS është thellësisht e vendosur për t’u përballur me sfidën që kemi të gjithë së bashku për të larguar dhunën nga shkolla, nga komuniteti dhe nga familja.
Parë në sytë e sociologes Entela Binjaku, ja se si vjen fenomeni i dhunës dhe shkaktarët që e përforcojnë atë në shoqërinë tonë të brishtë…
M.A. ENTELA BINJAKU
Sociologe dhe Drejtuese e Fondacionit “Harriet Martineau”
Familja për individin duhet të jetë vatra, streha e sigurtë, mbështetësja e padikustueshme dhe e palëkundur, burimi i vetëbesimit dhe pikënisja e afirmimit si individ. Por, jo çdo herë është kështu! Jo çdo herë individi si pjesëtar i një familjeje ndjehet i mbrojtur, vlerësuar, mbështetur apo inkurajuar brenda saj. Përkundrazi, herë-herë individi bëhet objekt dhe subjekt i dhunës verbale, presionit psikologjik të vazhdueshëm dhe në rritje, deri edhe në ushtrim të dhunës fizike.
Shkaqet e dhunës
Numri më i lartë i rasteve të denoncuara flet për dhunë ndaj bashkëshortes, më tej për dhunë që ushtrohet nga babai mbi vajzën, e më pas vëllai mbi motrën. Burimet e dhunës brenda familjes mund të jenë disa: papunësia, varfëria, përdorimi i alkoolit, i substancave narkotike, pakënaqësitë nga jeta bashkëshortore etj. Një ndikim të rëndësishëm në këtë gjenerim të saj ka edhe transmetimi i modeleve të një mendësie që nuk e përjashton dhunën nga normat e sjelljes brenda familjes. Në mendësinë tradicionale shqiptare, nuk përjashtohen fjalët lënduese apo fyese, trajtimi përçmues apo me inferioritet i gruas duke e rritur mundësinë që ky model i sjelljes të jetë udhërrëfyes për familjet që krijojnë individët. Duke mbetur brenda kësaj mendësie që shpreh një panoramë të kulturës sonë tradicionale, ende mbizotëron ideja se burrë është ai që e dominon dhe posedon gruan e vet. Por mbetemi brenda kësaj mendësie kur pohojmë se gruaja duhet të jetë agresive që të mos duket e dobët, sepse gratë të tilla duhet të jenë, që të gëzojnë respekt dhe kështu i kemi dhënë udhë gjenerimit të dhunës brenda familjes.
Një nënë e dhunuar model negativ për fëmijën
Modeli i sjelljes brenda strehës familjare ndikon shumë tek procesi i rritjes dhe ndërgjegjësimit të individit. Për aq kohë sa ka një rol kyç në çuarjen e individit drejt atij procesi të brishtë të cilin sociologët dhe psikologët shoqërorë e quajnë shoqërizimi parësor, familja padyshim merr një rëndësi të madhe dhe përbën grupimin më të rëndësishëm. Nëna është aktori i parë në jetën e fëmijës dhe si e tillë figura e saj mbetet qendrore në jetën e individit. Një figurë e pavlerësuar, e dhunuar apo e keqtrajtuar ndikon shumë në psikologjinë e fëmijës. Ky proces i ndërveprimit me nënën fillon në muajt e parë të jetës dhe përbën fazën e parë të zhvillimit të ndërveprimit shoqëror. Nëpërmjet këtij ndërveprimi ai formon aftësitë shoqërore-bazë. Familja për individin është e rëndësishme sepse transmeton normat shoqërore thelbësore për bashkëjetesën civile dhe brenda saj realizohet zhvillimi intelektual dhe psikik i tij. Që më shkëmbimet e para ndërpersonale formohen modelet e ardhshme të sjelljes që do të shërbejnë si filtër i përvojave të mëvonshme. Kur në këto shkëmbime fëmija sheh figurën e dhunuar të nënës, ai përcjell në botëkuptimin e tij dhunën si një model të natyrshëm që mund të ushtrohet ndaj saj. Një nënë e dhunuar është ai i një gruaje me personalitet të fyer e me vlerësim të ulët për veten, gjë e cila ndikon edhe tek modeli që ajo i përcjell fëmijës ai i nënshtrimit ose i përuljes ndaj “më të fortit”.
Edukimi dhe rregullat në komunitet
Shtimi i rasteve në Shqipëri shënon shifra rekord. Kjo dukuri mund të “zbutet” falë edukimit mbarëshoqëror me rregullat e bashkëjetesës në komunitet, respektit për tjetrin dhe harmoninë në raportet ndërpersonale. Ky edukim duhet të vijë bashkë me ngritjen kulturore të shoqërisë sonë ku respekti ndaj gruas është parësor, sepse duke respektuar një grua ke treguar kujdes për mbarë shoqërinë. Edukimi duhet të kryhet prej secilës nga agjencitë shoqërizuese ku kalon individi gjatë jetës, familja, shkolla, media, grupet e bashkëmoshatarëve, organizimet vullnetare, institucionet e kultit etj. Ky proces duhet të nisë që në familje, bërthama e shoqërisë dhe duhet të vazhdojë përgjatë gjithë jetës dhe në të gjitha institucionet që ndërton njeriu. Shoqëria shqiptare ka nevojë të kuptojë se modeli i shoqërive të emancipuara është ai të jetuarit larg dhunës dhe pa dhunë. Shoqëria jonë ka nevojë të njohë modelin paqësor dhe të jetesës në harmoni në komunitet si të vetmin model që duhet ta orientojë atë dhe brezat në vazhdim. Shoqëria jonë ka nevojë të ngulisë mirë në mendësinë e vet se ndëshkueshmëria e ligjit për atë që dhunon është normë e panegociueshme. Shoqëria jonë ka nevojë të shohë se çdokush ndjehet i sigurt brenda territorit të vet dhe se dhuna me bazë gjinore është një realitet për të cilin ka një strategji veprimi dhe ndërhyrjeje nga shteti dhe shoqëria.
Studimet
Studimet sa i takon dhunës në familje janë kryer nga organizma të shoqërisë civile, si përpjekje për të sjellë më shumë të dhëna për këtë dramë shoqërore. Në vite mund të ketë pasur edhe të tilla që kanë devijuar nga synimi dhe objektivi i punës së tyre në favor të përfitimeve dhe në dëm të misionit apo aspiratës fillestare. Por nuk mund të mos përmendim edhe organizma seriozë siç është Instituti “Data Centrum” p.sh. që ka treguar seriozitet dhe përkushtim, apo “Në dobi të gruas shqiptare”, “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza”, edhe Fondacioni që drejtoj “Harriet Martineau” është duke punuar në drejtim të afirmimit të gruas dhe trajtimit të dukurisë së dhunës ndaj saj. etj. Një ndihmë e madhe në këtë drejtim ka qenë edhe mbështetja e dhënë nga qeveritë e huaja si ajo suedeze.
Botuar në revistën Psikologjia, nr. 77
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.