Gratë duan gjithnjë një dhuratë. Por e quajnë të tillë vetëm nëse ajo është krijuar një herë si ide në mendjen e tij, me një përshtatshmëri absolute me atë që gratë mendojnë, thellësisht femërore; pastaj ai të shkojë, ta blejë e t’ia sjellë duke e lënë me gojëhapur, duke e magjepsur. Se përndryshe, ç’kuptim do të kishte? Si mund të quhet dhuratë? Epo…
A mundet një burrë të mendojë si një grua kur është në një dyqan? Për më tepër në një dyqan bizhuterish, apo në një dyqan veshjesh femërore? Ka pak gjasa. Kurse gruaja, vetëm nëse burri i saj ia del në këtë pikëpamje, beson se dashuria e tij është e plotë, është ashtu siç ajo do të donte… Harrohet, pothuaj gjithnjë, ndryshueshmëria… *** Në një intervistë të do kohëve më parë, Xhevdet Ferri duke dashur të më shprehë vlerat e së shoqes, më tregoi se qysh kur është martuar s’ka pasur nevojë të blejë kurrë asgjë për veten. Ka menduar e shoqja për të gjitha. “Po, me të vërtetë, – më konfirmoi Rozeta, – sjell nga dyqani dy-tri palë këpucë, i jap mundësinë që të zgjedhë mes varianteve me të vërtetë të bukura, e mandej kthehem sërish në dyqan për të kthyer këpucët e papërshtatshme”. Një sjellje tipike femërore, një mënyrë tipike femërore e shprehjes së dashurisë femërore. Kështu dinë femrat ta shprehin dashurinë. Dhe dinë mirë, dhe e shprehin mirë. Deri këtu gjithçka duket në rregull, problemi është se gratë kërkojnë pothuaj të njëjtën gjë nga burrat e tyre: “Më ka bërë aq rrallë dhurata…”, më tha Rozeta Feri, tashmë e mësuar me këtë “paaftësi” të të shoqit. Ama në fillim reagonte me pakënaqësi. Sepse priste që dita e ditëlindjes së saj të ishte speciale, dhurata po ashtu, kurse ai… E si mund të hynte në një dyqan e të zgjidhte për një femër, qoftë kjo edhe shoqja? Por… nuk është e lehtë për një burrë. Ndoshta e pamundur?
Nuk folëm aspak për një rast unik, Ferri ka gjithandej të ngjashmit e vet. “Ah, dhuratat, – më tha Alban Dudushi. – Janë dobësia ime. Më pëlqen t’i bëj, por nuk di të zgjedh”. Dhe ndodhet përballë ankesave, të shprehura apo të pashprehura me zë të lartë. “Jo, nuk kam qenë asnjëherë i vëmendshëm ndaj tekave femërore”, m’u përgjigj, pa shprehur asnjë lloj pengu, Aleksandër Meksi. Ca më tepër, Redon Makashi pranoi: “Të bëj dhurata me duket sikur dal jashtë natyrës sime”. Dhe e njëjta histori përsëritet. S’ka rëndësi se cili është burri, cili është profesioni i tij, apo çfarë përmase ka figura publike: “E di, janë të lidhura me natyrën femërore. Unë nuk jam mashkulli i përkryer në këtë pikëpamje. Nuk jam i vëmendshëm ndaj këtyre nevojave femërore, edhe pse teorikisht nuk i shpërfill”, nuk ngurroi të më thoshte Genc Ruli. Sigurisht, për pasojë, ka hasur edhe në reagime, pakënaqësi… “E megjithatë vazhdoj të mbetem gjithnjë në borxh në këtë pikëpamje. Por besoj se, edhe pse ka meshkuj që i kryejnë shumë mirë këto detyra, më së shumti i përkasin asaj kategorie që u japin vëmendje gjërave të vogla, duke harruar të mëdhatë (mashkulli tipik italian ky). Nuk do të doja të përfshihesha në këtë kategori”. Është mënyra e tij e të qenit. Tek e fundit, është burrë…
Për të hedhur pak dritë mbi disa skuta të qenies njerëzore ku ruhet pikërisht ky aspekt i marrëdhënies në çift, iu drejtova psikologes, bashkëpunëtores së revistës, Ornela Zhillës. – Çfarë është për një grua dhurata? – e pyeta. – Për një grua një dhuratë është së pari impenjim ndaj saj, – m’u përgjigj ajo, – një formë e shprehjes së dashurisë, dhe jo pak e rëndësishme. – Sigurisht, çdo grua e di mirë, vlera nuk qëndron te përmasa apo investimi monetar, më tepër vlen simbolika, domethënia. Po burrat? Pse çalojnë ata në këtë aspekt? – Një nga arsyet, – më shpjegon Ornela Zhilla, – është se burrat kanë frikë nga gabimi. Padyshim që s’duhet të jetë fort e lehtë zgjedhja e duhur për një grua konkrete, pikërisht idealja, ndoshta prandaj ngurrojnë. “Tani është vajza ajo që më kujton gjithnjë, madje edhe më orienton, në lidhje me dhuratën që duhet t’i bëj sime shoqeje”, më pat thënë një prej burrave që kam intervistuar. Dihet, femrat merren vesh mirë mes njëra–tjetrës, në këtë pikëpamje. Një grua e di mirë se çfarë i duhet një gruaje, se ç’formë a përmbajtje duhet të ketë një dhuratë që të vlerësohet në të gjitha aspektet. Kurse një burrë… (përjashtimet përforcojnë rregullin). “Burrat, – thotë në konkluzion psikologia Zhilla, – priren ndaj projekteve të mëdha. Kështu e shohin edhe marrëdhënien me partneren, si një ndërmarrje të madhe. Për ta, një ndërmarrje e madhe të imponon të bësh gjëra të mëdha. Të voglat i anashkalojnë, edhe pse shpesh pandërgjegjshëm”. – A nuk u shpreh pothuaj kështu edhe Genc Ruli? Mesa duket, burrat, Harrojnë që jeta përbëhet nga gjëra të vogla, që shija, lëngu… qëndron pikërisht aty, te gjërat e vogla, mes të cilave një dhuratë, një telefonatë, një përvjetor, një mesazh i dërguar, surprizë apo një tufë me lule… Ndryshe e thënë: Burrave u intereson rezultati, finalja dhe rrugës për atje nxitojnë, pa vënë re, detajet e “vogla” që i kalojnë përkitazi dhe që në të vërtetë nuk janë edhe aq të parëndësishme.
Botuar në revistën Psikologji, nëntor 2010.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.