Mirëqenie

January 11, 2019 | 10:15

Dhuratë si në përrallë, vajza me autizëm ‘takon’ Hirushen

 Një vajzë pesëvjeçare, e prekur nga autizmi, ngatërroi një nuse me Hirushen, duke krijuar kështu një miqësi të re dhe duke realizuar ëndrrën e saj

Një ngatërresë mund të dhurojë një fund të lumtur, të denjë edhe për përrallat më të bukura. E kështu, ngatërrimi i nuses me një princeshë Disney, u bë fillimi i një miqësie të shkëlqyer.

Protagoniste e kësaj historie është Layla Lester, një vajzë 5 vjeçe, e prekur nga një formë e rrallë autizmi, e cila është një adhuruese e zjarrtë e princeshave Disney. Një ditë, teksa po shëtiste në Akron Falls Park, në shtetin e New York-ut, Layla bëri një takim që do t’i ndryshonte jetën: pa një nga heroinat e saj, Hirushen, e cila qëndronte para saj. Ose të paktën kështu iu duk.

Në të vërtetë vajza që Layla e shihte me aq admirim nuk ishte një princeshë Disney, por Olivia Spark, një nuse, e cila bashkë me bashkëshortin ndodhej në park për të plotësuar setin e fotografive të dasmës. Për vogëlushen mjaftoi një fustan romantik i bardhë dhe topuzi i flokëve të verdhë, që ta ngatërronte nusen me Hirushen dhe nuk ngurroi ta përshëndeste ngrohtësisht heroinën e saj, duke e mbushur me komplimenta dhe përqafime.

  layla-lester-bippity-boppity-boutique_1543343041559-jpg_63361655_ver1-0_640_360

E prekur nga kaq shumë dashuri, Olivia vendosi që pjesën tjetër të pasdites ta kalonte me Laylan: “Isha shumë e lumtur që u bëra Hirushja për atë vogëlushe”, deklaroi ajo.

Miqësia mes të dyjave nuk mbaroi aty, por mori konturet e një përralle të vërtetë Disney. Që nga ajo ditë Olivia shkon shpesh në shtëpinë e Laylas, dhe sa herë shkon ta takojë ajo vesh fustane të mrekullueshme princeshash dhe qëndrojnë bashkë për të bërë biseda të gjata.

Megjithatë, nuses së re koha dhe vëmendja që i jepte vajzës nuk iu dukën të mjaftueshme, pasi donte të plotësonte edhe ëndrrën më të madhe të mikeshës së vogël. Ndaj, për këtë arsye, ajo organizoi një mbledhje fondesh për ta çuar vogëlushen Layla në Disney World, që të takonte të gjitha heroinat e preferuara dhe t’i dhuronte një ditë përrallore, pikërisht ashtu siç Layla kishte ëndërruar gjithmonë.

Për vajzën, kjo ishte një magji e vërtetë, e denjë ndoshta më shumë se sa zana e Hirushes. Por Olivias i doli mrekullisht bukur kjo magji, madje pa ndihmën e shkopit magjik.

Përgatiti: Manjola EREQI   |   Burimi: www.cbsnews.com

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top