Nuk ka ende një përgjigje të përshtatshme për të kundërshtuar rritjen në shifra të frikshme të retinopatisë diabetike. Sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Romës, Tor Vergata, diabeti kërcënon me humbje shikimi 30% të pacientëve me diabet. Sipas mjekëve tri janë hapat që duhet të ndërmerren për të mos lejuar që shkalla e përkeqësimit të pësojë rritje progresive.
Së pari, me rëndësi është ndërgjegjësimi publik mbi sëmundjen e diabetit dhe risqet që mbart.
Së dyti, zbulimi i hershëm. Nëse diagnostikohet në kohë edhe pasojat do të minimizohen. Qëllimi është që të zbulohet dhe të trajtohet në mënyrë rigoroze jo vetëm me medikamente, por duke ndryshuar edhe stilin e jetesës, duke aplikuar një dietë ushqimore sa më të ekuilibruar.
Së treti, rehabilitimi. Nëse dëmi ndodh rikuperimi është më i vështirë, nganjëherë edhe i pamundur. Në këto kushte është mirë të mendohet sesi do të trajtohen këta pacientë që ndodhen në këtë stad.
Pra, fokusi qëndron në rehabilitimin e tyre, duke iu ofruar kujdesin e nevojshëm. Sëmundja e diabetit karakterizohet nga vlera të larta të sheqerit në gjak, por në kontrast me enët e gjakut ku sasia e sheqerit është tejet e lartë në qeliza të caktuara të organizmit kemi mungesë totale ose të pjesshme të tij. Trupi ynë në pjesën më të madhe të tij nuk punon dot pa glukozë, ndaj duhet që gjithmonë të kemi një balancim të vlerave të sheqerit që marrim me ushqime, atij që qarkullon në gjak dhe atij që digjet në qelizat trupore. Në kushtet normale këtë balancë e siguron perfeksioni biogjenetik i çdonjërit nga ne por problemi qëndron kur prishet kjo balance. Pra, kur mekanizmat kompensues dhe normalizues nuk funksionojnë siç duhet atëherë kemi shfaqjen e sëmundjes së diabetit./Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.