Marrëdhënie

May 5, 2016 | 7:51

Diana Çuli: S’ka prioritet… para fëmijëve

1Partneri apo fëmija, cili është prioriteti yt dhe pse?

Unë nuk mendoj se një nënë mund të pyetet a ka ndonjë prioritet tjetër para fëmijëve. Nuk ekziston prioritet para tyre, as vetja ime, edhe babai i tyre do të thoshte se prioriteti janë ata, para gjithçkaje. Kjo është një ndjenjë tepër natyrore, biologjike, fizike, mund të mos dish as të flasësh, të jesh shurdhe apo memece, por dashuria për fëmijët është për këdo grua dhe për këdo burrë – ma ha mendja – mbi gjithçka. E ka thurur natyra të tillë, prandaj ata janë përjetësisht të mbrojtur dhe të dashuruar. Ky është “kurthi” madhështor i natyrës, që ata, derisa të rriten e gati të plaken, të kenë dikë që t’i dojë dhe t’i mbrojë, pavarësisht gjithçkaje. Më pas ata do ta japin këtë dashuri pa kushte tek fëmijët e tyre. Nëse një nënë vë diçka tjetër mbi fëmijët, i braktis, i sakrifikon ata për hir të një burri, për hir të karrierës, etj, përgjithësisht shihen si raste pak a shumë te veçanta dhe jo si dukuri.

A ndryshojnë prioritetet nga koha në kohë? (dmth në periudha te ndryshme, në situata të ndryshme)

Siç e shpjegova më sipër, kjo ndjenjë e gjithëfuqishme, ka lidhje vetëm me natyrën dhe mënyrën se si kjo natyrë e ka ndërtuar marrëdhënien mes prindit dhe fëmijët. Eshtë e lashtë sa vetë njeriu. Nuk ka lidhje me sistemet sociale, regjimet politike etj. Pa dyshim , futja e gruas në karrierë, e statusit të saj të barabartë me burrat ka ndryshuar disa parametra kohorë, sepse nënat, si dhe etërit, qëndrojnë më pak orë me fëmijët, po kjo s’do të thotë se ka ndryshuar ndonjë gjë në zemrat e tyre. Atëherë njeriu nuk do të ishte njeri, por një makinë që ndryshonte sipas përparimit të teknologjisë.

A merrni ankesa nga partneri (ne rastin kur fëmija është prioriteti)?

Do të ishte shumë e çuditshme, sepse edhe babai i fëmijëve ata ka prioritet dhe kjo na sjell shumë lumturi të dyve, sepse që të dy kemi të njëjtën përparësi në jetë. Nëse për një grua partneri nuk është babai, po njerku ose i dashuri, këtu çështja ndryshon. Në të tilla raste gratë vuajnë shpesh xhelozi apo pakënaqësi nga ky tip partneri. Prandaj dhe divorcet, kur ka fëmijë në mes, janë mjaft të vështirë e të rëndë. Shumë çifte durojnë një jetesë te përbashkët të padurueshme, për shkak të fëmijëve.

Çfarë trukesh bëni për të ekuilibruar situatat?

Asnjë truk, sepse jemi të dy në të njëjtën mendje. Të parët janë ata, pastaj ne. Janë dy dashuri të ndryshme, që nuk përjashtojnë njëra -tjetrën. Përkundrazi: fëmijët rriten më të shëndetshëm psikologjikisht, më të hareshëm dhe më të sigurt, nëse rrethohen nga një mjedis plot dashuri mes prindërve të tyre. Vuajnë kur prindërit nuk shkojnë mirë. Të gjithë e dimë, se kur kemi mosmarrëveshje me njeri- tjetrin, nuk i shprehim para fëmijëve, që të mos i dëshpërojmë. Sepse ata nuk mund ta kuptojnë marrëdhënien në çift, sidomos kur janë të vegjël; ajo është krejt e ndryshme nga marrëdhënia e prindërve me fëmijët. Truku i vetëm është të fshehim mërzitjet tona me njeri -tjetrin, kur na ndodh ndonjëherë, që ata të mos lëndohen.

Botuar në revistën Psikologji, tetor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top