Nga Dr. REZARTA REIMANN
Genetiste
Të hash më pak, të shëndoshesh më shumë? Askush nuk mund të thotë me saktësi se cili është numri i saktë i dietave të dobësimit që ekzistojnë sot në botë. Me qindra libra e artikuj këshillues mbi dietat botohen çdo vit në gjuhë të ndryshme. Produktet “e lehta” mbushin raftet e supermarketeve. Mund të thuhet pa frikë se beteja e “figurës ideale” ndaj shëndetit të tepërt është shndëruar në një biznes të vërtetë dhe ka arritur një boom të paparë në dekadën e fundit. Dijetarë, mjekë, dijetologë apo ekspertë të fitness-it, guzhinjerë prominentë dhe yje hollivudianë përpiqen të japin kontributin e tyre në zbulimin e formulës magjike të dobësimit. Sot diskutimet mbi dietën më të mirë kanë marrë formën e një beteje përkundrejt “aksit të së keqes” kryesinë e të cilit e marrin herë karbohidratet, herë proteinat apo yndyrnat. E megjithatë shoqëritë moderne nuk duan të dobësohen. Që prej vitit 1980 numri i njerëzve mbi peshë në Europë është rritur më shumë se 3 herë. Po kështu eksperienca e përditshme dhe studime të ndryshme kanë vërtetuar se pas efekteve fillestare të dukshme të dietave, pjesa më e madhe e njerëzve i rifitojnë kilet e humbura, madje edhe i shtojnë ato. Statistikat në botë tregojnë se aplikuesit e dietave në më të shumtën pas pesë vjetësh janë edhe më të shëndoshë se përpara ushtrimit të saj. Kështu nga 20 persona që dëshirojnë të bien nga pesha, mesatarisht vetëm njëri prej tyre arrin të ruajë linjën e re pas disa vitesh.
Humbja e kileve të tepërta – një betejë me shumë kundërshtarë
Baza e të gjitha dietave është pak a shumë e njejtë: të hash më pak por njëkohësisht të mos vuash nga uria. Kështu rekomandohen porcione të vogla, me pak kalori e yndyrna dhe shumë perime, fruta e sallatë. Në këtë mënyrë ulet dendësia energjitike ushqimore dhe barku i mbushur plot i sinjalizon trurit se është ngopur. Por një stomak i mbushur është vetëm njëri nga sinjalet që kanë të bëjnë me ngopjen. Në vitet e fundit shkencëtarët kanë arritur të zbulojnë se ekzistojnë më shumë se 30 lloje hormonesh të cilat ndikojnë në ruajtjen e peshës sonë trupore nëpërmjet një rrjeti të ndërlikuar komunikimi midis zorrëve, indeve dhjamorë dhe trurit. Përveç këtyre faktorëve edhe trashigueshmëria gjenetike (d.m.th prirja drejt mbipeshës, jo mbipesha vetë) si dhe mjedisi luajnë një rol shumë të rëndësishëm. Por në lojë hyn edhe përbërësja psikologjike. Të gjitha dietat funksionojnë fillimisht në një nivel psikologjik. Ato ndryshojnë mënyrën tonë të të ushqyerit dhe të vepruarit, kjo bën të ndihesh krenar dhe të motivon. Por nëse këto ndryshime nuk ruhen për një afat të gjatë atëherë trupi ynë rifiton bilancin e vjetër energjitik. -Formula magjike: të hash shëndetshëm dhe të mos mbash dietë Të bombarduar nga reklamat e panumërta mbi kosin.
Uria e kushtëzuar psikologjike shkaqet dhe si mund të reduktohet
Çfarë nuk do të jepnit për një pako çokollate, një qese patatinash apo një akullore kur ju zë një uri e papritur? Shpesh ndiheni të pafuqishëm për ta përballuar atë sidomos në fazën e dytë të ciklit të mestruacioneve, në situata stresante apo në etapat e një diete të njëanshme. Ndërsa uria trupore është një sinjal i sasisë së ulët së sheqerit në gjak, uria e kushtëzuar psikologjike shkaktohet nga stresi dhe emocionet negative të cilat trupi ynë kërkon t´i eleminojë nëpërmjet të ngrënit. Sepse kur ne ndihemi të ngopur një sektor i caktuar i trurit me emrin hypothalamus prodhon hormonin serotonin që na jep ndjesi pozitive. Ndaj në rastin e urisë psikologjike ne hamë për të ngritur humorin, megjithëse trupi nuk ka nevojë për ushqim duke e shndëruar këtë të fundit në rezerva dhjamore të tepërta.
Me pak yndyrna dhe produktet me pak kalori edhe njerëzit me peshë normale ndihen nën presion dhe jo të sigurtë për sasinë dhe mënyrën e tyre të të ushqyerit. Në të vërtetë sot për pjesën më të madhe të shkencëtarëve dietat janë jashtë mode – pohon Hans Hauner, profesor i “Qendrës mjeksore të ushqimit” i Universitetit Teknik të Mynihut. Pak a shumë këtë vërteton edhe një studim i “Institutit gjerman të së ardhmes” sipas të cilit në fakt dietomania nuk do të zhduket, por do të marrë forma të reja. Në vitet e ardhshme dobësimi nuk do të ketë më si qëllim “një figurë ideale”, por një “figurë të shëndetshme”. Ushqimi është dieta më e mirë që do të thotë se njerëzit nuk duhet të hanë më pak, por duhet të hanë ndryshe. Një shembull i spikatur në këtë drejtim është piramida e produkteve ushqimore e projektuar nga “Shoqata zvicerane e të ushqyerit” (Figura 1).Kjo piramidë garanton një furnizim me energji, por edhe të barazpeshuar të produkteve ushqimore. Siç shihet lehtë të gjitha produktet janë të lejuara, por me rëndë- si është që ato të konsumohen duke e rritur sasinë nga maja e piramidës deri në fund të saj, në varësi të sezonit dhe me larmi.
Disa shembuj konkertizues:
Këshilla praktike për të luftuar urinë psikologjike
• Uria psikologjike zgjat vetëm disa minuta. Përpiquni që këto momente t`i kaloni me një punë që nuk ka të bëjë me të ngrënit. Do të shikoni që pas 15 minutash do të kalojë gjithçka.
• Një çamçakiz në gojë mund të shpëtojë nga uria e papritur. Nga mblla- çitja e tij mund të ndiheni të ngopur, këtë e ka provuar edhe një studim i fundit i Universitetit të Liverpulit.
• Lani dhëmbët. Higjena gojore dhe shija e mentes neutralizojnë urinë e papritur dhe dëshirën për të ngrënë diçka të ëmbël.
• Shtypni me gishtin tregues zonën midis hundës dhe buzës së sipërme disa herë për rreth 15-20 sekonda. Stimulimi i kësaj zone ndikon drejtpërsë- drejti në zonën e oreksit në tru dhe bllokon urinë e papritur.
Por çfarë mund të bëjmë për të ulur numrin e krizave të urisë së papritur?
• Për hir të shëndetit tuaj dhe kundër urisë së papritur pini të paktën dy deri në tre litra lëngje në ditë – më e mira do të ishte ujë apo çaj.
• Pini shpesh dhe në gllëjnka të vogla ujë të vakët apo çaj. Kështu jo vetëm që do të mbushni stomakun, por edhe do të pastroni trupin nga lëndët helmuese.
• Mos lini asnjë vakt jashtë regjimit ushqimor! Nëse hani pak gjatë ditës atëherë në mbrëmje trupi juaj do të reagojë me një uri të fortë. Hani patjetër dhe mirë mëngjes për të evituar kriza të urisë së mëvonshme!
• Mos e luftoni urinë e fortë që nuk do të kalojë për një kohë të gjatë. Nëse krizat e saj janë të vazhdueshme atëherë dorëzohuni dhe hani patjetër diçka. Më mirë do të ishte kos frutash, sallatë apo fruta të freskëta.
• Hani ngaldalë. Ndjesia e ngopjes zakonisht vjen pas 20 minutash. Ndaj dhe ai që shpejton ndihet ende i pangopur megjithëse stomaku është mbushur.
Jo vetëm për të qeshur
Së fundi edhe “një këshillë” që na vjen nga kohë të shkuara. Pyetjes së vështirë si të dobësohemi mjeku i njohur Malkolm Flemyng i ka dhënë një përgjigje të thjeshtë por gjeniale në një reviztë Lonidineze në vitin 1760: “Tretni pak sapun në një gotë ujë dhe pijeni atë një herë në ditë – kështu të paktën “lani” ynyrën nga trupi juaj”. Në këtë këndvështrim, ndoshta do t`ia vlente më mirë që kohën ta harxhoje duke hulumtuar në raftet e llojeve të ndryshme të sapunëve sesa në ato të produkteve “ të lehta”, pluhurave apo pilulave dobësuese… Mos e bëni me të vërtetë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.