Mirëqenie

December 16, 2017 | 8:06

Dieta ushqimore që i duhet trupit

Shumica e njerëzve bëjnë çmos të përdorin të gjitha metodat për t’u dobësuar. Abuzojnë me shëndetin duke privuar të ngrënit, duke abuzuar me aktivitetin fizik, pagjumësinë etj, si e si të humbasin kilogramët e tepërt. Në fakt, ata harrojnë se të gjitha këto përpjekje, të dështuara për t’u dukur mirë, shkatërrojnë sistemin imunitar, duke sjellë pasoja të parikuperueshme, siç janë: plakja e lëkurës, aknet në fytyrë, rënia e flokëve, dobësimi fizik e me radhë. Të duash trupin, nuk do të thotë të bësh të tilla sakrifica. Një ushqyerje e shëndetshme ta jep këtë mundësi. Mjaft të mbash një regjim ushqimor e të konsumosh atë që i bën realisht mirë trupit. Ja disa këshilla të vyera…

untitled

Anila Kalleshi Dietologe

Anila Kalleshi
Dietologe

1.Mos lini asnjë vakt pa ngrënë

Është gabim të mos hani mëngjes, sepse do të detyroheni të hani drekë me uri dhe do të merrni shumë ushqim njëherësh. Po kështu, nuk rekomandohet të mos hani darkë.

2.Gjatë ditës duhen ngrënë sa më shumë vakte, por nga pak

Në mëngjes konsumoni një frut ose kafe në orën 10-11, drekën, një frut pasdite, darkën dhe një frut ose filxhan kos para se të flini. Duhet të bëni kujdes që përveç këtyre vakteve nuk duhet të “çukisni” apo të përtypni ushqime në dukje të parëndësishme si: bajame, arra, gështenja, ndonjë biskotë etj, sepse përmbajnë kalori dhe ju pengojnë në rënien e peshës.

3.Në rast se ndjeni uri të madhe, mos hani bukë ose gjëra me sheqer, por një vezë të zier ose një filxhan kos, domate, kastraveca, të cilat presin oreksin dhe nuk përmbajnë shumë kalori.

4.Ushqimet që duhet të përdorni më shumë në dietën tuaj janë: zarzavatet jeshile, mishi pa dhjamë, peshku, gjiza, veza, qumështi i skremuar dhe kosi. Mund të përdorni dhe fruta, por jo më shumë se 2-3 kokrra në ditë.

5.Përdorni sa më pak ushqime si: gjalpi, vaji, margarina, djathërat, mishi me dhjamë, të brendshmet e bagëtive, pijet alkoolike, lëngje të koncentruara frutash, etj., pasi janë të pasura e me kalori.

6.Brumërat përmbajnë shumë kalori si: buka, orizi, makaronat, fasulet e thata, që duhen përdorur rrallë e në sasi sa më të pakët.

7.Patatet përmbajnë 20% sheqer, prandaj po të konsumohen në sasi të madhe sjellin shumë kalori, veçanërisht po të jenë të skuqura me vaj.

8.Uthullën mund ta përdorni për t’i dhënë shije ushqimit, por jo si kurë për t’u dobësuar. Një gjë e tillë është pa kuptim dhe shumë e dëmshme. Uthulla mund të “tresë” ushqimin në stomak, por nuk tret dot dhjamin që keni në trup. Përkundrazi, duke pirë uthull me shumicë jo vetëm merrni kalori, por dhe rrezikoni të dëmtoni stomakun tuaj, duke krijuar gastrite dhe terren për sëmundje ulçeroze.

9.Të gjitha erëzat dhe barishtet që i shtojnë shijen ushqimit mund t’i përdorni në gatim, po kështu mund të përdorni limonin, piperin, hudhrat, qepët etj.

10.Përdorimi i kripës duhet të merret në sasi të kufizuara, pasi kripa shkakton grumbullimin e ujërave në trup.

11.Gjatë ngrënies këshillohet të pini sa më pak ujë, kështu mund të ngadalësoni përthithjen e ushqimeve nga tubi tretës. Uji është më mirë të pihet një orë pas ngrënies. Gjatë dietës për të rënë në peshë duhet të pini 1.5-2 litra ujë. Si të përgatisni recetat e duhura Përpiquni që gjatë gatimit të përdorni sa më pak yndyrë që të jetë e mundur.

Për këtë kini parasysh:

• Para gatimit hiqjani me kujdes mishit gjithë dhjamin e dukshëm. Mishit të pjekur hiqini lëngun, i cili është kryesisht yndyrë e kulluar prej tij.

• Gjellën me mish të zier, përgatiteni më mirë një natë më parë dhe lëreni të ftohet.

Yndyra në lëng do të ngrijë, duke formuar një shtresë, të cilën mund ta hiqni me lehtësi.

• Kur duhet që mishin ta skuqni, e lini në vaj sa më pak, sa të ndryshojë ngjyrë dhe pastaj hiqni thelat nga vaji e hidhini të ziejnë në tenxhere me lëngun e gjellës. Kështu mishi do të marrë sa më pak yndyrë.

• Pulat ose shpendët e tjera para se t’i vini të piqen ose të ziejnë, shpojini në disa vende me majën e thikës në mënyrë që yndyra që përmbajnë, të rrjedhë jashtë në tenxhere apo tavë. Këshillohet që të hiqni dhe lëkurën e pulës, pasi përmban shumë yndyrë.

• Biftekun, bërxollën, shishqebapin piqeni pa i hedhur yndyrë, pasi kanë dhjamë, i cili shërben njësoj si vaji.

• Peshqit mund të gatuhen pa yndyrë, duke i pjekur në furrë, ku mund t’i vendosni mbi domate të prera në feta, ose me 1/2 gotë verë të bardhë, ose duke i pjekur në zgarë apo të zier.

• Veza gjithashtu duhet të përdoret pa e gatuar me yndyrë si p.sh. e freskët (e gjallë), ose e rrahur pa sheqer, duke e trazuar me pak qumësht, ose e zier, ose e pjekur pa i hedhur yndyrë.

• Zarzavatet mos i skuqni me vaj se kështu shtoni sasinë e kalorive të marra. Në vend të kësaj, për t’i ruajtur të paprishura gjatë zierjes, vërini në një tenxhere, në të cilën keni hedhur qepë të prerë në feta. Hidhini ujë dhe lërini në zjarr jo të fortë sa të marrin valë. Më pas, ziejini me fare pak ujë në tenxhere me presion. Në fund, hidhuni fare pak vaj të përzier me miell, të bëhet si salcë e shijshme, që përmban shumë pak yndyrë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top