Këshilla & Arsye

March 10, 2018 | 12:27

Dieta vegane gjatë shtatzënisë, shkakton dëmtim neurologjik tek fetusi

Sipas një studimi të Spitalit të Pediatrisë së Romës dhe Spitalit ‘Meyer’ të Firences, mbajtja e dietës vegane ose asaj vegjetariane gjatë shtatzënisë mund të provokojë dëme neurologjike të përhershme tek fetusi, ku theksohet se gjatë dy viteve të fundit rastet e deficitit të vitaminës B12 për nënat e ardhshme janë trefishuar, nga 42 raste në 2015 në 126 raste në 2016.

Përmes ekzaminimit të të porsalindurve, ekspertët kanë identifikuar në dietat e gabuara ushqimore një nga shkaqet e mungesës së vitaminës së rëndësishme, thelbësore për zhvillimin e duhur neuro-kognitiv të fëmijës.

Rreziqet e dietave janë evidentuar më parë edhe nga Shoqata italiane e Pediatrisë, sipas të cilës dieta vegane “nuk është e mjaftueshme dhe kërkon ushqim shtesë”.

Sipas një studimi tjetër të kryer nga Kolegji ‘Trinity’ në Dublin, mungesa e vitaminës B12 mund ta ekspozojë fëmijën ndaj një rreziku të defekteve të lindura, mes të cilave deformime të rënda kongjenitale të kolonës vertebrale dhe palcës kurrizore.

“Numrat absolutë janë të ulët- shpjegojnë studiuesit- sepse jemi përballë një sëmundje të rrallë, por shtimi i rasteve është alarmues”.

Sakaq të dhënat janë përcaktuar “shqetësuese” në raportet teknike nga Simmesn (shoqëria italiane për studimin e sëmundjeve metabolike të trashëguara dhe ekzaminimin e të porsalindurve).

Rreziqe edhe me ushqyerjen me gji

“Vitamina B12 që gjendet në ushqimet me origjinë shtazore ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sistemit nervor qendror dhe nevoja për të rritet gjatë shtatzënisë. Nëse nëna nuk merr mjaftueshëm këtë lloj vitamine, ose në rastet kur nuk merr fare, atëherë mund t’i krijojë të porsalindurit dëme neurologjike që në mitër, të cilat do vazhdojnë të përkeqësohen në muajt e ardhshëm gjatë ushqyerjes me gji” shpjegon Carlo Dionisi Vici, përgjegjës i repartit të patologjisë metabolike në spitalin e Romës.

Një në 4 mijë fëmijë preket

“Deficiti nga nëna i vitaminës B12 sot prek një në 4000 fëmijë, duke numëruar kështu më shumë se njëqind raste në Itali, që në fakt nuk janë pak. Kjo mungesë vitamine shihet më shumë tek fëmijët e emigrantëve që vijnë nga vende si Pakistani, Bangladeshi ose India, që kanë si traditë një dietë kryesisht vegjetariane. Megjithatë ajo që po shikojmë më shpesh kohët e fundit është se shumë gra italiane zgjedhin një dietë vegane edhe gjatë shtatzënisë, pa marrë parasysh rreziqet që kjo dietë mund të sjellë për fëmijët e tyre” sqaron Carlo Dionisi Vici.

Raportoni rrezikun e këtyre dietave 

Sakaq Giancarlo la Marca, presidenti i Simmesn dhe drejtori i Laboratorit të ekzaminimit të të porsalindurve të Spitalit të Firences bën thirrje që institucionet duhet të sinjalizojnë me forcë rrezikun e dietës vegjetariane ose vegane gjatë shtatzënisë. Sipas tij, “Nënat që kanë mungesa të kësaj vitamine duhet të marrin ushqime shtesë gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji, sepse fëmijët e tyre rrezikohen nga sëmundja”.

Burimi / http://www.today.it

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top