Marrëdhënie

May 26, 2016 | 9:20

Digjni skorjet për të gjetur harmoninë në çift

Një shtresë e hollë pluhuri, skorie inatesh të depozituara në kohë. Zemërimi shtresëzohet me vitet. Harmonia e fillimit duket sikur humb. Të flasësh bëhet e lodhshme, biseda rrëshqet drejt dykuptimësisë. Nuk është një krizë, nëse ekziston ende dëshira për të qëndruar së bashku. Por duket sikur drita kalon nëpërmjet një xhami të patejdukshëm. S’ka pse të ketë frikë, ndodh. Nëse duke parë rrugëtimin tuaj të ndjenjave ju duket se keni arritur në këtë pikë, do të thotë se është koha për të pastruar (skoriet). “Çifti është një sistem bio-psiko-social, – thotë psikoterapeuti Renato Vignati. – Ka një ekologji të vetën, rrugë që të çojnë në ruajtjen e ekuilibrit”. Hapi i parë është të kuptosh veten dhe tjetrin, për të përshkuar më pas historinë e çiftit. Zbulohen kështu arsyet që shndërrojnë ekosistemin, dinamikat që kanë prodhuar skoriet dhe njihen mjetet për t’i eliminuar. Më poshtë kemi listuar kryesoret…

Konkurrenca është një burim i fortë skoriesh

Sipas Marta Colle, psikologe në Udine, konkurrenca është më e rëndësishmja sepse: “vë në lojë atë pjesë të agresivitetit që ka në erosin e çiftit, në dëshirën për të përvetësuar tjetrin. Është gjithnjë i fshehur, i padeklaruar. Ka një front të tërë, sipas këndvështrimit personal, në dëshirën për të qenë të përsosur, për të ngjallur admirim, për të qenë referimi i parë për fëmijët (është shumë negative nëse prindërit hyjnë në garë në terrenin e ndjenjave). Pastaj ka edhe një front të jashtëm, të lidhur me karrierën, me fuqinë ekonomike, aftësinë për të fituar vlerë shoqërore, me pushtetin dinamik… që mund të jenë shkatërrues: shijohen mossukseset e tjetrit, shfaqen nxitjet për ta tejkaluar, për t’i treguar se sa vlen”. Rivaliteti i pashprehur prodhon ndjenja negative, vuajtje. Mund të ndodhë që një grua të ketë dëshirën për të udhëhequr shtëpinë dhe përsosmëria e kërkuar të jetë pandërgjegjshmërisht bezdisëse. Laura Calabresi, psikologe dhe psikoterapeute në Milano, nënvizon: “Gjithnjë ka konkurrencë. Kjo mund të jetë stimuluese nëse shtyn në ndarjen e roleve, në përzierjen e kartave. E rëndësishme është ta deklarosh… me dashuri, nëse çifti funksionon: ‘Unë sillem kështu sepse të nxis, dua të jem më e mira, më e zonja, më e bukura’. Kështu tensioni zhdramatizohet, bie pasiguria”.

Fjala e duhur

Paaftësi për të treguar ndjenjat vetjake

Njerëzit ndryshojnë, ndryshon ndjeshmëria e tyre. “Por mbetet e vështirë t’i rrëfejmë frikërat, të shprehim nevojën për butësi, jo vetëm fjalët. Gjestet janë parathënia, hapja e dialogut, – pohon Vignati. – Nëse nuk dimë t’i përdorim, ndikojnë në reduktimin e ndjenjave”. S’duhen shpërfillur momentet e nevojshme të intimitetit për të rinovuar arsyet e të qenit bashkë. Boshllëku, mungesa e gjesteve i lënë hapësirë grumbullimit të pasigurive, dyshimeve. U ndodh çifteve të vënë në provë, që kanë kaluar momente të vështira, të mos mendojnë se vlen ende të pohohet rëndësia e njërit për tjetrin, forca e ndjenjave. Gabojnë. T’i bësh, ndihmon t’i paralajmërosh skoriet. Pse? “Është më mirë të mos bësh pis, sesa të pastrosh”.

Keqkuptimi

Çdonjëri e interpreton tjetrin në bazë të përvojës së vet 

E intepretojmë tjetrin në bazë të këndvështrimit familjar, të së shkuarës… “Në themel të keqkuptimit, – thotë Vignati, – është prishja e komunikimit, dëgjimi minimal i partnerit. Shuma e problemeve jo domosdoshmërisht është negative. Ekuilibër nuk do të thotë mungesë konfliktesh, por zgjidhje e tyre. T’i njohësh problemet do të thotë të përballesh me to me një formë metakomunikimi: çifti flet për vete, (‘Por nuk deshe të thuash që…’) dhe kështu mund të ndodhet në keqkuptim. Kurrë mos e nënvleftësoni peshën e keqkuptimeve të grumbulluara në kohë: mund të tronditin”.

Zhgënjim

Dukej një njeri i veçantë…

Në fillim dukej sikur do t’u përgjigjej të gjitha shpresave dhe nevojave tona. Në fakt, princi është shndërruar në bretkosë. “Në fazën e dashurisë romantike, rrëfejmë një përrallë. Pastaj duhet të bashkëjetojmë me rutinën, llogarisim premtimet e pambajtura, humbim besimin”. Laura Calabresi e kthen problemin nga ana tjetër: “A nuk ka qenë edhe faji ynë? A nuk kemi fantazuar pak si shumë, pretenduar shumë?”. Qartësohuni në këtë rast, krahasohuni dhe zhvilloni raportin, duke pranuar kalimin nga iluzioni romantik në realitetin që po ndërtoni së bashku.

Posesiviteti

Skoria me rrënjë më të lashta

Ashtu si varësia, posesiviteti formohet para çiftit, nga përvojat fëminore. “Shprehet përmes një ankthi të fortë për kontroll, shpesh edhe në intimitetin fizik, – shpjegon Marta Colle. – Njëri nga partnerët imponohet dhe e detyron tjetrin qoftë edhe me butësi, manifeston xhelozi të pajustifikuara, shkon të kërkojë në pellgun e fantazmave të veta. Qysh të vegjël sinjalet për kontroll mund të helmojnë”. Nuk është vetëm frika e humbjes së tjetrit, por edhe për dashurinë e pamjaftueshme. “Pasiguria, – saktëson Laura Calabresi, – përkthehet në një investim të fortë emotiv. Marrëdhënia fillon e ndërtohet mbi këtë bazë, sepse në anën tjetër është dikush që e mirëpret nevojën për zotërim dhe e ushqen. Me kalimin e kohës situata ndryshon. Gruaja e varur shihet me bezdi, ankesat e saj për udhëtimet e punës së burrit nuk janë shenjë dashurie, por protestë bezdie. Një element i ri çekuilibron raportin: ai është emancipuar. Ose ajo e paralajmëron e inatosur kontrollin: ‘Ku je? Çfarë ke bërë? Me kë flisje? Pse nuk ishe në shtëpi?’. Shthurja e raportit mund të shoqërohet me shfaqen e një përpjekjeje… për të shpëtuar diçka që vlen… Si inventari në magazinën e një dyqani: bëhet për të zbuluar se edhe në gjërat që kanë mbetur mund të merret diçka”.

Inate të vjetra

Në fillesë ka gjithnjë një inat

Inati mund të jetë nga një sakrificë personale e panjohur. “Shqetësimi ngre krye çdo herë, pastaj arkivohet, kurrë nuk bëhet i qartë, – vëren Vignati. – Ndodh kaq shpesh, dhe pothuaj në mënyrë të pashmangshme”. Është mamaja që kujdeset për fëmijën, punë në të cilën burri nuk e shoqëron kurrë. Inati fillon të bëhet real. Mllefi grumbullohet rreth partnerit jo të pranishëm. Ka që heqin dorë nga një mundësi për të bërë karrierë, thjesht për të mos ndryshuar qytetin dhe ndjejnë pastaj keqardhje: problemi rrezikon të shfaqet si një plagë e dhimbshme, ose me tonin e shantazhit. Nyja nuk zgjidhet, problemi mbetet. “Kur del në sipërfaqe, është gjithnjë e nevojshme të ecim prapa në kohë: duhet shkuar të rrënjët, për të parë si ka filluar. Është mirë që tjetri ta njohë vlerën e dorëheqjes, – mbështet Vignati, – dhe nëse një rast i ri paraqitet, vendimi duhet marrë i përbashkët, me vetëdije të plotë, pa rrezikun e pendimit”.

Përjashtimi

Çifti i përkryer nuk është ai ku tregohet gjithçka

Bashkimi mes dy njerëzve nënkupton një hapësirë për t’u ndarë, “shkrirja” rrezikon humbjen e individualitetit dhe, në raste krizash, është tashmë e vështirë që parterët të rigjejnë identitetin vetjak të fillimit. “Të mos e bësh të përbashkët gjithçka nuk është keq, – thotë Laura Calabresi, – mjaft që përjashtimi të mos ketë të bëjë me një qëndrim negativ: t’i veshësh tjetrit përgjegjësinë e qëndrimit tënd (‘Nuk është i aftë: duhet t’i bëj të gjitha unë!’), i heq mundësinë për t’u rritur. Kësisoj, më shumë sesa shok, bëhesh një prind për të. Por ekziston një shpjegim më i hollë: Të refuzosh disa qëndrime të tjetrit (për shembull, ai rri e unë vrapoj ose, përkundrazi, ai organizon gjithçka dhe unë jam më e paorganizuara) është fryt i mekanizmit flakës. Çdonjëri largon atë pjesë të vetes që i provokon ankth dhe që sjellja e tjetrit ia kujton. Çdo formë për ta bërë, argëtuese ose e çuditshme, në fillim të një historie, më vonë bëhet e patolerueshme”. Përjashtimi priret të kristalizojë skoriet. Për t’i eliminuar, së pari lipset filluar nga pranimi i pjesës së mohuar të vetes.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top