Në fokus

September 22, 2016 | 7:38

Dilemat e një martese të hapur

Psikologe Hipnoterapiste Klinike Pedagoge pranë UET

Psikologe
Hipnoterapiste Klinike
Pedagoge pranë UET

Një term pak i dëgjuar dhe i diskutuar këtu te ne apo edhe në vendet e tjera. Si term është shprehur në 1972-in nga George dhe Nena O’Neill në librin me të njëjtin titull. Çfarë do të thotë martesë e hapur?

Janë dy partnerë në të njëjtën marrëdhënie, që përfshihen edhe në marrëdhënie të tjera, pra, takohen, bëjnë seks dhe sërish janë me partnerët e tyre. Në Amerikë mendohet se vetëm 3-4% e popullsisë përfshihen në të tilla marrëdhënie, ndërsa të dhënat e psikologëve rezultojnë në 1% të popullsisë. Edhe ata që punojnë si terapistë të çifteve tregojnë se kanë pasur raste shumë të rralla. Martesat e hapura janë një marrëdhënie, të cilën jo të gjithë njerëzit janë gati ta pranojnë, qoftë edhe kur e dëgjojnë si proces. Duhet të jenë të dy partnerët të gatshëm që të përfshihen në të tillë proces ose, nëse njëri prej tyre e dëshiron, tjetri të mos e vuajë xhelozinë, tradhtinë, të ndihet i nënvleftësuar. Me këtë term jam ndeshur para shtatë vitesh, kur studioja në Londër me një çift artistësh (po e theksoj që artistët janë më të hapur ndaj gjërave që mund të konsiderohen tabu për të tjerët), të cilët e kishin praktikë të tyre këtë lloj marrëdhënie.

Unë isha psikologe dhe po vazhdoja formimin tim, por përsëri u shtanga për një moment, sepse ne jemi mësuar gjithmonë të dëgjojmë për marrëdhënie të tilla, por që bëhen në fshehtësi dhe i quajmë “tradhti”. Në praktikë ne dëgjojmë raste kur njëri prej partnerëve ka marrëdhënie me dikë tjetër, ku bashkëshorti/ja nuk e di ose s’e pranon këtë fakt. Fillojnë grindjet, mosmarrëveshjet, sherret dhe përsëri historia vazhdon. Por ka edhe raste të tjera kur partneri/ja (në më të shumtën e rasteve në Shqipëri janë femrat që e pranojnë këtë fakt) jetojnë me dhimbjen e ndarjes së dashurisë apo të personit të dashur me dikë tjetër. Te ne apo edhe në vende të tjera mund të ndodhë që të lindin edhe fëmijë nga këto marrëdhënie të fshehura, por përsëri askush nuk e merr guximin që të hyjë në martesa të hapura. Atëherë ka diçka për të cilën ne njerëzit nuk jemi akoma gati ta pranojmë. Është proces që përfshin emocionet, ndjenjat, egon, krenarinë e një njeriu, prandaj është kaq e vështirë për t’u pranuar. Në martesat e hapura partnerët i prezantojnë të jashtmit si miq të familjes në prezencë të fëmijëve, pra, edhe këtu që pretendohet se gjithçka është e hapur, përsëri ka rezerva. Në të gjithë botën ka grupe ku marrëdhëniet seksuale janë të lirshme mes çifteve apo shkëmbimi i partnerëve si një lloj terapie. Në këndvështrimin tim, kjo do të marrë kohën e vet për t’u bluajtur psiqikisht nga njerëzit. Unë jam dhe mbroj fort tezën e të ndierit mes dy partnerëve, qofshin këta të martuar, dashuruar apo që bashkëjetojnë. Lidhja mes dy njerëzve përfshin energjitë e tyre, ku rrjedhin më pas të gjitha ndjesitë emocionale apo fizike. Sa më shumë të jemi të dhënë pas lakmisë dhe gjërave materiale, aq më shumë do të harrojmë shpirtëroren dhe do vazhdojmë të kërkojmë kënaqësi diku jashtë. Formimi im spiritual është për pastërti dhe besnikëri në ndjenjë, qofsh i martuar apo jo. Martesa nuk përbën këtu problemin kryesor, sepse njerëzit do të rendin pas pasionit edhe nëse janë të lidhur në një kurorë. Ka raste të shpeshta kur partnerët kanë bërë “tradhti bashkëshortore” dhe vijnë në terapi duke qarë apo duke u ndierë në faj për partnerin, të cilit po ia bëjnë këtë gjë, apo shprehja më e shpeshtë e tyre “ai/ajo nuk e meriton këtë që po i bëj unë”; “ai/ajo nuk do të ma falë nëse e merr vesh të vërtetën, sepse është e vetmja gjë që ma ka kërkuar që në fillim se nuk e duron dot”. Në raste të tilla ti ndihesh në faj për partnerin, por nuk i reziston dot pasionit tënd. Do të ishte më mirë të mbahej e fshehur, të tregohej, apo të ishe në marrëdhënie të hapur?! Pasi është ndarë nga bashkëshortja prej pesë vitesh, ai thotë se vetëm ajo e ka dashur pastër, por që ai nuk mund t’i përgjigjej besnikërisë së saj. Ky mashkull ka dashur martesë të hapur, por vetëm në drejtimin e tij, ndërsa bashkëshortja duhet ta donte dhe ta falte.

A mund të funksionojë një mënyrë e tillë komunikimi mes çiftit? A vazhdon të ekzistojë dashuria mes dy partnerëve kur njëri prej tyre përfshihet në një marrëdhënie tjetër? Për më tepër, a ekziston dashuria mes dy partnerëve, të cilët janë përfshirë në një martesë të hapur?

Akoma nuk mund të japim përgjigje të sakta për të gjitha këto pyetje. Por një gjë është e sigurt, dashuria është mbi të gjitha këto dhe askush nuk mund t’i rezistojë. Të jetosh në të tashmen dhe momentin, nuk është vetëm seks me ata që dëshiron, sepse në këtë rast mbetemi në nivelin me të ulët të qenies njerëzore, ndërkohë që shpirtërorja nuk humbet, nuk zhduket, nuk mbaron asnjëherë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top