Në fokus

July 11, 2017 | 20:06

Diploma nga La Sapienza nuk e bëri dot as mjek fshati në Korçë

Kryeministri Edi Rama, pas fitores së zgjedhjeve, u bëri thirrjeve qytetarëve që të tregonin eksperiencat e tyre të këqija në lidhje me administratën shtetërore.

1682a2fa67eb5b71b965f5ffbb9b477caec16f24_1499775882-6268367

Lidhur me këtë kërkesë të Ramës, ka reaguar kardiologu Martin Mano, i cili ka treguar sesi diploma e tij italiane nuk e ndihmoi dot as të emërohej doktor në një fshat të Korçës.

screenshot-3_1499776360-3890910

Postimi i plotë që mjeku i dërgoi kryeministrit:

Eksperienca negative? Kërkoj ndjesë që në fillim për një parantezë të shkurtër që do bëj. Jam diplomuar për Mjekësi të Përgjithshme në universitetin “La Sapienza”, me note maksimale. Më quani idealist, por edhe budalla nëse dëshironi, por pas diplomimit edhe abilitimit në Itali vendosa të kthehesha në kapërcyell të zgjedhjeve të vitit 2009, atëherë kur PD me LSI do keqqeverisnin vendin për katër vite. Pas njohjes së diplomës dhe rregjistrimit tek urdhëri i mjekut aplikova për vendet e lira të punës, asokohe në fshatrat e Korçës, që më thënë të drejtën edhe për të marë vesh se ku kishte vende të lira ishte andrallë më vete pasi drejtuesit lokalë të shëndetit publik vetëm më sorrollasnin.

Pavarësisht diplomës sime, me nota të shkëlqyera për më tepër, as punë në fshat në arrita dot të marr. Të njëjtit drejtues lokalë ma bënë të qartë me gjuhën e tyre të drunjtë se duhet të drejtohesha tek zyra e punës në selinë e PD-së lokale, ku duhet të dorëzoja aty kurrikulumin bashkë me një kërkesë punësimi. Nuk kaloi shumë e në janar 2010 largohem përsëri, drejt Veronës kësaj rradhë, ku pas një konkursi fitoj të drejtën e specializimit për kardiologji, që e përfundoj me rezultate maksimale në qershor 2015.

Kthehem përsëri në atdhe. Duhet të them se kësaj rradhe njohja e diplomës mori më shumë kohë, duke u shoqëruar e me një shije të hidhur kur mora në dorë një fletë format A4 të thjeshtë (kur në kohën e Saliut të paktën lëshonin një karton të lëmuar), me një njollë gjalpi në njërin cep, të shoqëruar me udhëzimin që t’a mbaja me kujdes se “nuk lëshojmë duplikat” (absurd më vete ky).

Gjithësesi dëshira ime ishte të punoja në Korçë. I nxitur edhe nga bonusin që kishte vendosur ministria për pozicionin e Kardiologun në Korçë vendos të bëj aplikimin e posaçëm, në fund janari fillim shkurti 2016. Kaloi një muaj dhe nuk marr asnjë përgjigje. Atëherë mendoj të kontaktoj drejtorin e atëhershëm të spitalit të Korçës, me shpresën se mbase do mund të nxiste ministrinë të përshpejtonte procedurat duke qenë se dhe spitali kishte nevojë për kardiolog.

Përgjigja që mora më tronditi “sa të jem unë këtu ti nuk vjen të punosh me bonus këtu”. I zoti e jep, tellalli s’e shet. Sot ky zotëri është prefekt i Korçës. Vendos t’i drejtohem përsëri ministrisë personalisht, me anë të disa miqve të mi, arrij të takoj një funksionar të kësaj ministrie duke i shpjeguar situatën. Përsëri takimi më la pa fjalë. Nga mohimi dhe shprehja e padijes që ministria nuk merrej me çështjen e bonusit, kur e vërteta ishte e kundërt, deri tek “ty nuk të takon” apo “pse nuk shkon të kontribuosh për qytetin tënd pa bonus”. Përsëri e njëjta sjellje, i zoti e jep tellalli s’e shet. Me të dalë nga ky takim kam nisur vetëm një email një shefi kardiologjie për të kërkuar informacion nëse kishin nevojë për kardiolog, përgjigja erdhi vetëm në një javë, pas një muaji u nisa në Itali sërish dhe nisa punë, ku jam edhe sot e kësaj dite.

Ndërkohë që në Shqipëri harxhova kot 9 muaj të jetës sime në pritje të lëvizjes së qerres së shteti, që me sa duket nuk lëviz po nuk ja vajise ingranazhet me verdhushka. I vetmi person që është treguar i gatshëm, përtej pritshmërive të mia ishte zoti Niko Peleshi të cilin e kontaktova për tjetër arsye, por që i bëri shumë përshtypje se si kishte mundësi që më kishin sorrollatur pa më dhënë zgjidhje.

Nuk e di sa i ndjeshëm jeni ju z.Rama ndaj faktit që Shqipëria po pëson një hemorragji të pandalshme të mjekëve që largohen njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria. Ndoqa vizitën tuaj në urgjencën e Spitalit Shefshqet Ndroqi, edhe fjalët tuaja se do vijnë mjekë italiane të punojnë në spitalet tona, falë pagave të majme që do jepni. Dua vetem t’ju them se punën nuk e bën vetëm paga por mbi të gjitha kushtet e punës. Gjithë të mirat!/peshkupauje.com

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top