Flokët konsiderohen si simboli i bukurisë femërore. Ne i adhurojmë reklamat e shampove, ku shfaqen femra me flokë të përsosur e të shëndetshëm, por mendojmë se ne vetë nuk mund t’i kemi kurrë ata flokë. Nëpërmjet këtij inserti ju paraqesim disa këshilla që do t’ju ndihmojnë t’i mbani flokët tuaj gjithmonë të shëndetshëm.
- Lajini flokët dy ose tri herë në javë
Këshillohet të mos i lani flokët çdo ditë. Sado që doni që ata të jenë të bukur përditë dhe për këtë arsye edhe i lani përditë, kjo mënyrë i heq flokëve vajrat natyralë që ata kanë dhe që janë thelbësorë për mbrojtjen dhe ushqyerjen e tyre.
- Mos bëni dush me ujë të nxehtë
Nëse dëshironi të keni flokë të shëndetshëm, gjithçka e ka zanafillën te rutina e larjes së tyre. Pikësëpari, duhet të gjeni shampon dhe balsamin e duhur për flokët tuaj dhe problematikat e tyre (nëse ka). Shmangeni dushin me ujë të nxehtë, sepse ai i dëmton flokët dhe u prish majat e tyre.
- Shkumoni skalpin e kokës, jo majat e flokëve dhe pastaj masazhojeni atë
Kur bëni dush, mund të përdorni sa shampo të doni, por harxhoni kohë kot nëse nuk e hidhni atë në vendin e duhur. Synoni gjithmonë skalpin, sepse është zona më e rëndësishme dhe masazhojeni atë, sepse kjo ndihmon edhe në qarkullimin e gjakut.
- Përdorni trajtime për flokun
Nëse i lyeni flokët, duhet t’i jepni rëndësi të veçantë kujdesit për të, nëse doni të keni gjithmonë flokë të shëndetshëm. Ka shumë lloje trajtimesh për flokë të lyer, kështu që bëni mirë të investoni në ato më të mirat, si maska apo serume, pa harruar një balsam shumë të mirë.
- Thajini flokët me peshqir para se të vendosni balsamin
Po, po, e lexuat mirë! Para se të vendosni balsamin, thajeni pak flokun me peshqir, sepse uji i tepërt në flokë nuk e lejon balsamin të veprojë si duhet dhe për pasojë, nuk i jep atij butësinë e duhur. Gjithashtu, balsamin vendoseni te majat e flokëve dhe jo te rrënjët, sepse skalpi yndyroset shumë.
- Mos përdorni shumë pajisje të nxehta për stilimin e flokëve
Shmangni sa të mundni pajisjet e nxehta për shtrirjen apo ondet e flokëve, apo edhe tharësen, sepse e dëmtojnë flokun. Në vend të tyre, përpiquni të bëni modele të ndryshme flokësh, për të shmangur pajisjet e nxehta. Mund t’i drejtoni flokët ditën e hënë, ndërkohë që të mërkurën mund të bëni një bisht ose gërshet të bukur.
- Mos i thani flokët menjëherë
Pasi t’i lani flokët, mund t’i mbani 15 minuta të mbështjella me peshqir, pastaj të përdorni tharësen, gjithmonë duke u siguruar që ta mbani atë në një distancë të sigurt nga flokët. Nxehtësia i dëmton flokët, sidomos nëse keni flokë të hollë.
- Përdorni trajtime mbrojtëse
Para se të përdorni pajisjet e nxehta për stilimin e flokëve, zgjidhni produktet më të sigurta për mbrojtjen e tyre.
Burimi / Intv.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.