1.Përfshirja në një marrëdhënie ka kultin e saj të shenjtë, shkëmbimin e ndjenjave të larta
Midis këtij shkëmbimi mbetet vend për të lënë mënjanë krenarinë. Dashuria nuk ka vend për krenari, kokëfortësi, shpirtin e kundërshtarit, sidomos kur vëreni se situata po merr rrugën jo të duhur. Për të çuar përpara një lidhje dihet se nuk është gjë e thjeshtë, ndaj kërkohet impenjim, mirësjellje. Është e nevojshme çdo “përulësi”, e cila të shihet si shërbesë ndaj dashurisë së madhe, jo si nënshtrim ndaj partnerit.
2.Diskutoni me qetësi për gjërat që ju bezdisin
Ka gjëra fare të vogla, që krijojnë një shqetësim te ju, një ngarkesë emocionale jo të mirë, ndaj është e udhës që në një moment tjetër t’i risillni në bisedë këto vogëlsira, me zgjuarsi e duke i bërë të ditur partnerit se ju bëjnë të ndiheni jo komodë. Kështu kërkoni një formë tjetër alternative, ku mund të bëni paqe me veten. Askush nuk është në mendjen e tjetrit. Ju duhet të flisni në mënyrë sa më të qartë. Shprehini idetë, dëshirat dhe përshtatuni që të dëgjoni edhe pritshmëritë e tjetrit. Vështirësia e komunikimit është një nga motivet kryesore për të cilat grindet një çift. Ndaj kujtohuni gjithnjë që një komunikim i efektshëm është thelbësor për një marrëdhënie të mirë në çift.
3.Kuptoni nëse gjërat janë të qëllimshme ose jo
Brenda një lidhjeje ka gjëra që nuk duhen bërë edhe pse hapësira e sekreteve dhe intimitetit është shumë e vogël. Ndonjëherë xhelozia, kurioziteti i tepërt, risitë në lidhje, përgjigjet e nxituara, mungesa e mirësjelljes apo mënyra e të kërkuarit të gjërave marrin formën e një urdhri. Kontradita të tilla vijnë si formë e bërë enkas dhe jo si diçka e pamenduar mirë ose si e paqëllimshme për të cenuar bashkëjetuesin.
4.Sfidoni vështirësitë, thurni strategji për rikuperim
Dashuria e vërtetë tregohet kur ka më shumë stuhi. Të mbështeteni te partneri do t’ju bëjë të kuptoni se jeni më të fortë, do ju lidhë më shumë. Shpeshherë bashkëpunimi sjell fuqinë. Ndaj zgjidhni të përdorni shprehi të llojit: do ia dalim, do mundohemi ta kalojmë këtë moment të vështirë, gjërat nuk janë aq keq sa duken. Shkëmbeni mendime me njëri-tjetrin, pasi do ju bëjnë të ndërtoni strategji të reja për të përballuar më mirë vështirësitë.
5.Një natë pasioni romantike funksionon gjithmonë
Të gjithë e dimë se punët e mëdha na bëjnë të humbasim edhe intimitetin, pasionin e madh në konsumimin seksual të marrëdhënies. Dëshira për partnerin si në “kohët e fillimit” rindez ndjenjat dhe rizgjon kënaqësinë e munguar prej kohësh.
6.Bëni dhurata
Mjaftojnë shumë pak gjëra për të thënë se jam me ty dhe të mendoj. Në shopping mund t’i blesh gjërat që i pëlqejnë: varësen te pasqyra e makinës, librat e preferuar, një album, fanellën e skuadrës së preferuar, një sms për t’i uruar ditë të mbarë, apo për ta pyetur thjesht: si ndihet, si është?
7.Biseda nostalgjike për lidhjen, vështirësistë e superuara
Nëse keni shumë kohë në një lidhje, kujtoni gjithmonë momentet e bukura të saj, risillni ndër mend problemet e vështirësitë e kaluara së bashku. Mund të bëni edhe ironi me veten për ndonjë veprim tuajin në mënyrë që të sillni humor në lidhjen tuaj. Ndërsa çiftet e sapolidhur mund të sjellin ndërmend historitë e fillimit, flirtet e para me njëri-tjetrin, daljet e para, puthjet, etj.
8.Ushqimi i preferuar
Edhe kur jeni grindur e nuk dëshironi të hidhni hapin i pari, mund të gatuani diçka, të cilën partneri e pëlqen shumë. Meshkujt mund të përgatisin mëngjesin për femrën e tyre. Dhe femrave, si gjithmonë u takon dreka, duke gatuar ushqimin e tij të preferuar, e duke filluar bisedën me: Si t’u duk darka?
9.I duruari, i fituari
Mos diskutoni asnjëherë në publik. Gjatë një marrëdhënieje ka shumë arsye për të diskutuar, por është e rëndësishme që këtë gjë ta ezauroni gjithmonë privatisht. Të grindeni në prani të të tjerëve, nuk sjell asgjë të mirë. Njëri nga të dy mund të ndihet i poshtëruar ose të bjerë pre e sharjeve në sy të të tjerëve apo miqve të zakonshëm. Mos i ushtroni presion, duke i thënë në përgjithësi se kur të fejoheni, martoheni, gjërat mes jush do të shkojnë shumë mirë. Lërini gjërat të rrjedhin vetë.
10.Peshorja e vlerave
“Nga anon peshorja” thonë më së shumti këshillat e mamasë, në mënyrë që të përqendroheni më shumë tek aspektet pozitive, për të mos i lënë ato negativet t’ju tërheqin zvarrë. Rëndësia qendron te vlerat e njeriut, dhe ju duhet të zgjidhni dikë që mbart vlera pozitive njerëzore.
11.Mbani mend “të mirat” e mëdha, jo “të këqijat” e vogla
Ripërsëritja e momenteve të këqija, fjala e fundit, zënkat e vazhdueshme, duke i përmendur e sjellë si shembuj, ironi, fakte, herë pas here nuk janë aspak të shëndetshme as në aspektin emocional. Mirë është të dini të falni për të çuar përpara lidhjen e bukur që keni nisur, për të çuar përpara objektivat që keni dhe për të marrë kënaqësi të mëdha. Të gjithë bëjmë gabime, që mund të falen ose jo. Por nëse falni, duhet ta bëni me vërtetë. Nuk vlen asgjë nëse shtireni që keni falur një gabim, e më pas ia rikujtoni me rastin e parë që ju jepet. Nëse e keni kuptuar se marrëdhënia juaj është e çmuar dhe që një vështirësi e caktuar mund të kalohet, atëherë bëni të pamundurën që ta harroni e më pas dashurohuni sa më shumë të jetë e mundur.
12.Rëndësia e entuziazmit
Humori, energjia, entuziazmi në çift janë çelësi për të qenë të lumtur. Buzëqeshja ka aftësi të madhe të forcojë marrëdhënien dhe të krijojë një bashkim intim. Bërja e aktiviteteve ndihmon në angazhimin e energjive për t’u fokusuar në gjërat e mira të jetës e të vetvetes. Shumë pak gjëra i afrojnë njerëzit sa mund t’i afrojë gjithashtu edhe arma e fortë e të pasurit një partner të buzëqeshur gjithë kohës. Shfrytëzojeni këtë fuqi pothuajse magjike të buzëqeshjes dhe shtojini marrëdhënies suaj edhe shumë sens humori, ndoshta duke parë së bashku spektakle argëtues apo filma komikë dhe bëni sa më shumë shaka. Fundja, entuziazmi juaj mund të jetë cilësia që ka pëlqyer tek ti dhe të ka zgjedhur si partner/e. Asgjë s’ka formë, as dashuria dhe as marrëdhënia në çift, ku secili ka specifikën e tij për marrëveshjet e mosmarrëveshjet, e këto sugjerime më lart janë për t’i provuar e për të dhënë një rezultat më të mirë, e vetë ju të ndryshoni taktikë drejt pozitivitetit, sigurisht. Përpjekjet për lumturi nuk janë asnjëherë të tepërta. E nëse të gjitha këto nuk funksionojnë, dorëzohuni, marrëdhënia juaj ka mbaruar dhe ndjenjat nuk janë më të pranishme.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.