Nga Hysen Kica
Egziston një mundësi e thjeshtë dhe shumë praktike për të komunikuar e për të njohur sa më shumë miq. Facebook përdoret jo vetëm për t’u argëtuar, për të mësuar të shkruani e të lexoni drejt gjuhën shqipe, të merrni dije nga fusha të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë e shkencës, por edhe të gjeni miq të mirë.
Për të gjetur të tillë miq mbani mend disa rregulla shumë të rëndësishme:
Së pari duhet të mësoni t’i respektoni njerëzit dhe të kuptoni se ky është parimi themelor mbi të cilin duhet të mbështeteni, që të keni sa më shumë miq. Sjellja e kulturuar tregon respektin ndaj vetes dhe figurën tuaj sociale. Mos harroni kurrë se miku juaj në Facebook nuk i pranon kërcënimet, fyerjet, vetëlavdrimet apo mendjemadhësinë! Në qendrimin më të thjeshtë ju injoron apo edhe ju bllokon.
Shmangni pyetjet, kuriozitetin e tepruar dhe shprehjet pa përmbajtje. Mundohuni ta njihni mikun tuaj dhe të shfrytëzoni afërsitë botëkuptimore.
Synoni që:
– mesazhet të jenë sa më të shkurtëra
– të krijoni emocione positive
– të ngjallni kuriozitet
– të jeni të sinqertë
– të fitoni respektin e miqve tuaj
Ka shumë raste kur njerëzit nuk prezantohen me emrin apo edhe gjininë e tyre të vërtetë, prandaj mos besoni se të gjitha ato që shkruhen janë të vërteta.
Facebook është një lojë efikase kundër stresit, por edhe një lojë që mund ta përdorin edhe mashtruesit. Përdoreni Facebook aq sa ju duhet dhe merrni prej tij ato që ju vlejnë. Mësoni t’i respektoni njerëzit!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.