Këshilla & Arsye

November 5, 2019 | 8:20

Disa rregulla për të qenë një nënë e mirë

1.Mos kërko të jesh një nënë e përsosur

Tensioni që përjetoni për të arrirë perfeksionin nuk është sjellja dhe mendimi i duhur për të rritur një fëmijë të lumtur, duke qenë se jeta është e mbushur plot me të papritura. Është e pamundur të jemi të përsosura kur bëhemi nëna, pasi pikërisht në këtë periudhë jeta është e përbërë nga rrëmujëra dhe pa rregulla si dikur. Kjo është një arsye për t’ju shpjeguar se përse shtëpia do të jetë e rrëmujshme, frigoriferi mund të jetë bosh, diçka mund të jetë duke u djegur mbi sobë kur në të njëjtën kohë bie zilja e telefonit dhe fëmija mund të jetë duke qarë.

2.Mësojini fëmijës pavarësinë

Objektivi juaj i përditshëm është t’i mësoni fëmijës të bëhet i pavarur. Sigurisht që është e vështirë, por përpjekja juaj do t’i japë frutet e veta kur fëmija të mos varet më nga ju të paktën për disa gjëra të thjeshta. Kjo qasje duhet të bëhet shumë natyrshëm, edhe pse kërkon shumë durim dhe butësi, por në fund mendoni gjithnjë për përfitimet psikologjike që pavarësia do t’i dhurojë fëmijës suaj edhe për të ardhmen.

3.Kultivoni ndjenjën e humorit

E vetmja mënyrë për të përballuar ndryshimin e madh që sjell rritja e një fëmije është pikërisht kultivimi i ndjenjës së humorit. Qeshni me veten, me partnerin për sjelljet qesharake dhe zhvillimet e përditshme të fëmijë suaj. Qeshni me bisedat e gjata që kanë si argument kryesor peripecitë në lidhje me fëmijën. Mendoni që është vetëm çështje kohe dhe të tilla shqetësime mund të përballohen mjaft mirë vetëm duke qeshur e duke i marrë me optimizëm.

14.Jini besnike me vetveten

Është e gabuar të heqësh dorë nga pasionet dhe interesat personalë në momentin kur bëheni nënë. E rëndësishme është të gjeni kohën për gjërat që adhuroni të bëni. Mjafton të qartësoheni me veten për disa prioritete dhe t’i zbatoni në rutinën tuaj të përditshme (të lexoni, të pini një kafe me miq, të bëni sport etj). Duket gjithnjë më e thjeshtë kur mendojmë t’i respektojmë pasionet tona dhe shumë e vështirë më pas për t’i vënë në zbatim, por mjafton të sforcohemi pak për të gjetur kohën qoftë edhe për shumë pak minuta që t’u gëzohemi pasioneve tona. Nëse kujdeseni edhe për nevojat tuaja, atëherë do të jeni një nënë më e lumtur dhe më e realizuar.

5.Jini e durueshme

Fëmijët janë të padisiplinuar, të zhurmshëm dhe shumë të rrëmujshëm. Për këtë arsye roli i nënave është i karakterizuar nga durimi i treguar kundrejt çdo sjelljeje dhe një kujdesi intensiv e të vazhdueshëm. Është koha që të largoni nervozizmin me një frymëmarrje të thellë.

6.Përcaktoni rolet

Një grua ka rolin e saj si nënë dhe nuk mund të jetë kurrë një shoqe apo një shok për fëmijën e vet, mirëpo ky dallim duket i vështirë në kohët e sotme kur bindja ndaj prindërve nuk shihet më si një detyrim. Sot njihet botërisht modeli i “familjes demokratike”, i cili duket i pranuar përfundimisht nga të gjithë. Por fëmijët kanë gjithnjë nevojë për autoritetin prindëror dhe është e arsyeshme të vendosen kufij të mirëpërcaktuar.

7.Aftësia për t’u shkëputur

Me ndryshimin e madh që ndodh në jetën tuaj, siç mund të jetë sjellja në jetë e një fëmije, rritja dhe kujdesi i përhershëm ndaj tij, mendja është në arrati të vazhdueshme duke depozituar nevojat dhe detyrat e reja. Në këtë kontekst, është e domosdoshme të shkëputeni për t’u çlodhur dhe për të mbajtur në formë shëndetin tuaj mendor. Një dush i ngrohtë, një film që ju pëlqen ta shihni apo shijimi në pak minuta i disa prej interesave tuaja personale që janë sipërpërmendur, përbëjnë aftësinë tuaj për të organizuar si detyrimet ndaj fëmijës, edhe respektimin e vetes.

Revista Psikologjia

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top