Studimet shkencore e tregojnë: shëndeti ndërtohet në tryezë, mbi bazën e ushqimit që hamë. Ndaj është e udhës t’i japim rëndësinë e duhur një diete të ekuilibruar, e karakterizuar nga marrja e balancuar e ushqimeve të ndryshme.
Çfarë do të thotë të hamë si duhet?
E ngrëna konsiderohet një nga kënaqësitë e jetës, por “të hamë mirë” nuk do të thotë vetëm të ngopemi. Konsumimi i ushqimeve të mira dhe cilësore, në një ambient miqësor, pak nga të gjitha, por në sasinë e duhur, është në fakt po aq e rëndësishme. Ekuilibri në të ushqyer nuk ndërtohet në një pjatë të vetme, apo në një ditë të vetme, por nënkupton vazhdimësinë ditë pas dite, javë pas jave. Nuk ka ushqime “të ndaluara”, siç edhe as ushqime “të mrekullueshme”, edhe pse pa dyshim disa ushqime konsiderohen më të shëndetshme (frutat, perimet, peshku) dhe të tjera më pak (si ushqimet me sheqer apo me shumë kripë, mishi i kuq, yndyrnat me origjinë shtazore).
Përfitimet e ushqyerjes
Një mënyrë korrekte ushqyerjeje ndihmon në ndërtimin, forcimin, ruajtjen e trupit dhe furnizon energjinë e përditshme të domosdoshme për funksionimin e mirë të organizmit. Një ushqyerje e duhur është vendimtare për zhvillimin e shëndetshëm fizik, duke filluar nga ngjizja, pastaj gjatë fëmijërisë dhe në fazat e mëpastajme të jetës. Ushqyerja e ekuilibruar lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e mirë materno-infantil, u thjeshtëson fëmijëve të mësuarin, ndihmon të rriturit të jenë më produktivë. Një dietë e balancuar, kombinuar me një stil aktiv jetese, që parashikon praktikimin e përditshëm të aktivitetit fizik, ndihmon të ruajmë peshën e duhur trupore, duke na lejuar një rritje më harmonike nga këndvështrimi fizik dhe ai psikologjik.
Shpesh, shumë njerëz mbipeshë apo obezë, kanë tendencën të tregohen me gisht nga shoqëria. Më në veçanti, fëmijët kanë tendencën të zhvillojnë një marrëdhënie të vështirë me trupin e tyre dhe bashkëmoshatarët, e për pasojë izolohen akoma më shumë me një rritje të paevitueshme të zakoneve sedentare. Ushqyerja e shëndetshme ndihmon parandalimin dhe trajtimin e shumë sëmundjeve kronike si: obeziteti e mbipesha, tensioni i lartë, sëmundjet e aparatit kardioqarkullues, sëmundjet metabolike, diabeti i tipit 2, disa forma tumoresh. Veç kësaj, një ushqyerje e shëndetshme forcon sistemin imunitar, duke ndikuar në mbrojtjen e organizmit nga disa sëmundje që nuk lidhen drejtpërdrejt me ushqyerjen.
Rreziqet e ushqyerjes jo të mirë
Ushqyerja jo e shëndetshme ndikon në shqetësime shëndetësore. Për të pakësuar shqetësimet e arterosklerozës dhe pasojat e saj është e rëndësishme të kufizoni yndyrnat me origjinë shtazore gjatë dietës suaj. Është e këshillueshme edhe ulja e përdorimit të përditshëm të kripës dhe yndyrës, për ekuilibrin e vlerave të tensionit të gjakut e kështu edhe të rrezikut nga tensioni i lartë dhe problemet kardiake. Ndaj duhet pakësuar konsumi i mishit dhe i yndyrnave shtazore, sepse ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes konsumit të tyre të tepruar dhe rrezikut nga tumoret. Në veçanti, rreziku ndaj obezitetit, përcaktohet jo vetëm nga një dietë e gabuar, por edhe nga një stil jetese sedentare. Mbipesha dhe obeziteti janë vlerësuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) si kushtëzime jo normale apo grumbullim i tepruar i yndyrnës trupore, që është një rrezik i lartë për shëndetin.
Planifikoni vaktet
Planifikimi i vakteve të javës ndihmon të hani më shëndetshëm. Bëni blerje të menduara: hapi i parë është të bëni blerje të mençura, të cilat duhet të përbëhen në tri të katërtat me ushqime me origjinë vegjetale.
Këshilla praktike
- Përfshini familjen në programimin e menusë
- Përmbajuni listës që keni bërë kur të shkoni të bëni pazarin.
- Jepini përparësi drithërave integrale, perimeve e frutave.
- Ndryshoni mënyrën e pjekjes e gatimit, duke përdorur më shumë vaj ulliri.
Planifikimi më parë i ushqimeve është një strategji e thjeshtë, por mund të japë përfitime të mëdha. Ky është përfundimi i një studimi në “International Journal of Behavioral Nutrition and Physical Activity”. Në këtë studim, të bërë në Francë në më shumë se 40 mijë persona, studiuesit kanë arritur në përfundimin se ata që vendosnin më parë se çfarë do të hanin gjatë javës kishin një dietë më të shëndetshme dhe bazuar në këshillat e nutricionistëve për ushqimet e balancuara. Këta persona rrallëherë ishin mbipeshë apo obezë.
Efekte pozitive
Si shpjegohen të dhënat e studiuesve francezë? Kur vendosim më përpara menunë javore, është më e thjeshtë të alternojmë zgjedhjet, por edhe të organizohemi për të gatuar në shtëpi, pa gatuar ushqime të shpejta siç ndodh shpesh, të cilat kanë bazë sallamrat apo djathrat. Në studime të ndryshme, konsumimi i shpeshtë i gatimeve të përgatitura në shtëpi lidhet me cilësinë më të mirë të dietës. Një nga vështirësitë kryesore në planifikimin e menusë është t’ia dalim të bëjmë bashkë nevojat e të gjithë familjes, sidomos kur ka fëmijë, të cilët në mesditë kanë orarin e të ngrënit. Nëse të gjithë e dinë më parë se çfarë do të hanë në mbrëmje, do të jetë më e lehtë edhe për të tjerët të zgjedhin në drekë ushqime të ndryshme, në mënyrë që dieta të jetë e balancuar.
Si të zgjidhni
Cilat janë kriteret për të planifikuar vaktet? Hapi i parë është bërja e pazarit. Çantat duhet të përmbajnë tri të katërtat ushqime vegjetale, duke filluar nga frutat e perimet – të cilat janë një shtysë shumë e mirë për të krijuar menunë bazuar me stinën – për të vazhduar me drithërat: grurë, oriz, makarona, bukë integrale, që duhen konsumuar çdo ditë në vaktet kryesore. Nuk duhen harruar as fasulet, bizelet, thjerrëzat, që duhen alternuar në ditë të ndryshme. Pjesa tjetër e dietës duhet të përmbajë ushqime shtazore, por pa e tepruar me mishin e kuq. Peshku duhet konsumuar të paktën tri herë në javë.
Përgatiti: Manjola Ereqi | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.