Në qoftë se do të hedhim një vështrim të përgjithshëm në shoqërinë e sotme, çdo gjë duket e realizuar, e arrirë dhe ndonjëherë edhe perfekte. Megjithatë, po të analizojmë më thellë këtë shoqëri, ku pjesë e së cilës jemi secili prej nesh, do të shohim se ka ende probleme të pazgjidhura. Këto probleme kanë lindur që në kohërat më të lashta dhe vazhdojnë të infektojnë dhe brezat e rinj. Një nga këto probleme që ndeshim çdo ditë është dhe diskriminimi seksual që pësojnë femrat. Është pak e çuditshme, sepse të dy sekset performojnë specifikisht çfarë shoqëria pret nga ata, por vetë kjo shoqëri diskriminon më shumë seksin femër. Në fillim, çdo anëtar i shoqërisë duhet të kuptojë se çfarë është diskriminimi i seksit, mashkull apo femër qoftë. Duke u bazuar në fakte historike dhe teori sociale, diskriminimi i seksit i referohet një sjelljeje jo të drejtë kundrejt këtij seksi, që sërish mund të jetë femër ose mashkull. Kjo sjellje e bën tjetrin të ndihet i abuzuar dhe inferior në shoqërinë ku jeton. Siç dihet dhe nga historia, ky problem i ka rrënjët në lashtësi, atëherë kur meshkujt duhej të siguronin ushqimin dhe gratë ‘të paafta’ qëndronin me fëmijët. Kjo është e përgjithshmja, por abuzimi i femrave, i cili vazhdon në forma të ndryshme, varion nga njëra kulturë në tjetrën. Duke qenë se unë jam rritur si pjesëtare e shoqërisë dhe kulturës shqiptare, kur kthehem pas në kujtime, në njëfarë mënyrë ndjej se jam diskriminuar. Për faktin se isha femër unë apo dhe shoqet e mia, ishim të privuara nga disa ‘privilegje’ krahasuar me djemtë. Femra gjithmonë duhej të ishte shumë e lidhur me prindërit, t’i dëgjonte ata në mënyrë të padiskutueshme dhe të kishte një profil absolut pozitiv në rrethin shoqëror. Gjithashtu, ajo duhet të ishte e përgatitur për ‘të shkuar te burri’. Im atë, një qytetar tiranas, edhe pse me nivel të lartë arsimor dhe përvojë, gjithmonë e ka parë mamanë time si ‘seks i dobët’. Edhe pse ajo kontribuonte në edukimin e brezave për vite me radhë si mësuese, si mike e denjë e librit, volejbolliste e dëgjuar për brezin e saj, sërish ajo vuante nga diskriminimi që i bëhej si femër, pasi edhe im atë i përkiste kësaj shoqërie patriarke. Edhe sot e kësaj dite meshkujt shqiptarë e trajtojnë gruan si jo të denjë në shumë aspekte.
Diskriminim?
Edhe në botë… Duke e lënë për pak kulturën tonë, po kulturat e vendeve të tjera të botës si e manifestojnë diskriminimin ndaj femrës? Në shumë vende, në Lindjen e Mesme, ky lloj abuzimi merr forma shumë të egra dhe për më tepër konsiderohet si një gjë krejtësisht ‘normale’. Në Indi, abuzimi seksual ndaj femrës performohet nëpërmjet hedhjes së acidit në fytyrë apo trupin e gruas ‘së padenjë’. Ky është fenomen i ditës dhe femrat që e vuajnë konsiderohen si ‘të pamoralshme dhe të pabindura’. Meshkujt, përkundrazi, nuk ndihen aspak fajtorë. Më së fundi qeveria indiane ka miratuar ligjin për dënimin e personave që bëjnë këtë lloj abuzimi te femrat, i cili quhet ‘Acid Atak’, duke i dënuar me 10 vjet burgim ose 1 milionë rupi, vlerë e barabartë me 17 mijë dollarë amerikane. Këtë lajm e pasqyroi edhe New York Times, në fund të vitit të kaluar. Por a mund të quhet kjo një arritje? A mund të rregullohet sërish fytyra e një femre të djegur me acid për 17 mijë dollarë. Po të flasim për konfidencën e saj në shoqëri, kjo femër nuk do të jetë më krenare për çka është, qoftë edhe për aparencën e saj. Aparenca te çdo femër flet shumë, qoftë dhe një rrudhë më tepër apo më pak, ndaj si do të ndihet ajo pas këtij shpërfytyrimi permanent? Në Arabinë Saudite seksi femër diskriminohet ndryshe. Nëse një femër kapet duke i dhënë makinës, ajo duhet të shkojë në burg. Një ekstrem tjetër të abuzimit gjinor e gjejmë në Turqi. Aty nuk ka fare mbrojtje për femrat e abuzuara, gjë që nënkupton se ato e meritojnë dhunimin nga meshkujt. Në Kinë gjejmë një tjetër formë diskriminimi. Duke e specifikuar, në disa zona të Kinës, çiftet abortojnë ose japin për adoptim fëmijën, nëse ai është i seksit femër. Po t’i hedhim pak sytë në shoqërinë amerikane (aty ku unë jetoj prej 17 vjetësh), a ekziston diskriminimi ndaj seksit femër kaq hapur dhe si konceptohet nga anëtarët e kësaj shoqërie të zhvilluar? Historia është e njëjtë edhe këtu. Femra kurrë s’ka qenë e trajtuar si meshkujt. Duke u bazuar te studimet që kanë bërë historianët apo sociologët: “një grua e martuar ka pasur të drejta dhe status ligjor pak më shumë se sa një skllave”. Sociologet e para të të drejtave të grave si Charlote Perkins Gilman, e njohur në historinë amerikane, si dhe Betty Friedan, kanë përshkruar të njëjtën mënyrë diskriminimi që femrave u është bërë edhe në vendet e tjera të botës. Ato duhet të ishin të bindura në maksimum dhe të tregonin kujdes për fëmijët dhe shtëpinë. Problemi ekziston edhe sot e kësaj dite në SHBA, por tani ka një formë të re. Femrat janë të diskriminuara kur vjen puna për punësim. Shumë nga vendet e punës fitohen nga meshkujt, edhe pse niveli i edukimit mund të jetë i njëjtë me femrat. Gjithashtu, nga statistikat, femrat janë më pak të paguara për një punë që e bëjnë njëlloj si meshkujt. Së fundi, a do të ketë një ‘shërim’ kjo lloj sëmundje e shoqërisë mbarëbotërore? Pavarësisht se gruaja tani është shumë më e organizuar dhe zë një vend të rëndësishëm në shoqëri, ajo përsëri diskriminohet. Ç’mund të bëj unë? Ç’mund të bëjë një femër tjetër? Personalisht, luftoj çdo ditë që t’i tregoj shoqërisë potencialin që kam. Mbase dhe shumë shoqe të miat bëjnë të njëjtën gjë. Dilema qëndron te fakti që ky problem ka lindur me shoqërinë dhe mund të vdesë vetëm kur kjo shoqëri të marrë fund. E trishtueshme, por e vërtetë!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.