20 qershori është Dita Botërore e Refugjatëve. Sipas të dhënave të bëra publike nga OKB dhe me përpunimin e PeëResearchCenter është hartuar harta globale e origjinës dhe destinacioneve të emigrantëve kudo në botë.
Në vitin 2015, harta tregon se 1.120.000 shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Tre janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë.
Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë dhe në Mbretërinë e bashkuar 10 mijë.
Sipas censusit të fundit të INSTAT, rezidentë në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë tashmë 40% të atyre që banojnë në vend.
2015-ta shënoi një rritje e valës së emigracionit, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Europian, por dhe SHBA-ve. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i kërkesave për azil të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian ka shënuar një rritje të frikshme në vitin 2015. Numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 439%, duke arritur në gati 66 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë.
Një tjetër rekord ishin aplikimet për lotarikë amerikane, që në vitin 2015 arritën në 200 mijë.
Shqipëria është ndër vendet më të varfra të Evropës. Norma e zyrtare e papunësisë është 18%. Vendi është gjithashtu duke luftuar me çështje të rëndësishme të korrupsionit. Si rezultat, tundimet për të marrë një leje qëndrimi për arsye ekonomike në shtetet të tjera janë të larta.
Gjithashtu, dhuna dhe lufta civile në Siri dhe Irak kanë zhvendosur miliona njerëz duke krijuar problematika, kryesisht në BE.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.