31 maji është Dita Botërore kundër duhanit. Në këtë ditë në të gjithë botën organizohen aktivitete ndërgjegjësuese kundër pirjes së duhanit. Kjo datë është vendosur si e tillë, me shpresë që ky gjest të jetë fillimi për braktisjen e përhershëm të vesit.
Kjo ditë është shpallur nga vendet anëtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vitin 1987. Vendet anëtare të OBSH, u përpoqën të sensibilizojnë opinionin mbi dëmet dhe rreziqet e duhanit dhe të inkurajojnë reduktimin e prodhimit dhe konsumit të duhanit. Për këtë arsye, çdo vit propozohet një slogan mbi luftën kundër duhanit.
Gati 6 milionë njerëz vdesin nga sëmundjet lidhur me duhanin çdo vit. Vetëm 8% e popullsisë botërore jetojnë në vendet me taksat mjaft të larta të duhanit. Sipas OBSH-së, më shumë se 600 mijë që janë jo duhanpirës, vdesin duke pirë cigare të dorës së dytë.
Dëmet
Çdo vit në të gjithë botën numri i të vdekurve për shkak të duhanit po rritet me ritme të frikshme. Duhani gjatë djegies çliron 4 mijë lëndë, që nga nikotina dhe monoksidi i karbonit dhe deri te katranet, substancat me përbërje benzopireni, kobalti radioaktiv, që janë ndër shkaktarët e kancerit të mushkërive.
Vështirëson frymëmarrjen | Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 90-95% e tumoreve të mushkërive shkaktohen nga pirja e duhanit dhe cigaret janë përgjegjëse për rreth 30 mijë vdekje në vit. Pirja e duhanit shkakton bronkit akut, afatgjatë, bronkit kronik dhe emfizemë, si dhe incidencën dhe ashpërsinë e episodeve astmatike dhe infeksionet e përsëritura të frymëmarrjes.
Shkatërron zemrën | Duhani është shkaktari kryesor i infarktit dhe i sëmundjeve koronare të zemrës te gratë dhe burrat. Ai rrit gjithashtu rrezikun e arteriosklerozës dhe të infarktit miokardik, sepse favorizon formimin e pllakave dhe të trombeve. Duhanpirësit rrezikojnë të sëmuren dy herë më shumë sesa ata të cilët nuk e pinë atë.
Rrit impotencën | Tymi i duhanit është një faktor rreziku në mosfunksionimin e organeve gjenitale të meshkujve. Studimet tregojnë se si pirja e duhanit rrit rrezikun e impotencës, me një incidencë mes 5% dhe 15% më të lartë sesa ajo e joduhanpirësve.
Plak lëkurën | Edhe nga pikëpamja estetike, duhanpirja ka një ndikim negativ mbi trup. Duhani zvogëlon mbrojtjen imunitare përkundrejt pllakave bakteriale, shkakton një zverdhje të dentinës dhe rrit rrezikun e gingivitit. Përveç këtyre, duhani përshpejton plakjen e lëkurës.
Shtatzëni me probleme | Duhanpirja gjatë shtatzënisë është krim, pasi mund t’i shkaktojë dëme të përhershme fëmijës tuaj ose shkon deri në abortet spontane. Një grua shtatzënë, e cila pi duhan rrezikon të lindë fëmijë të vdekur ose nën peshë. Gjithashtu pirja e duhanit gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë vonesë në rritjen dhe zhvillimin mendor të fëmijës, si dhe të mushkërive.
Kancer jo vetëm në mushkëri | Pirja e duhanit rrit rrezikun e kancerit të fshikëzës, mëlçisë, laringut, ezofagut, pankreasit, gojës, por edhe për zhvillimin e diabetit në kohë të hershme. Kur kombinohet me pirjen e alkoolit, ky rrezik shkon 150/1 në raport me popullsinë joduhanpirëse. Duhani ndikon edhe në ngushtimin e enëve të gjakut të stomakut, rrit përqindjen për ulcerën e stomakut, ndërkohë që rrit me 2,7 herë rrezikun për kancer në stomak.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.