Mendimi i orarit të punës mund t’i bëjë shumë prej nesh të ndihen si robot. Kur ne shkojmë në punë në 9:00 dhe dalim prej saj në 17:00 (mund të ndodhë edhe në 18:00 apo 20:00) duket sikur kemi humbur pasionin i cili na frymëzon.
Si një i rritur, si e kuptoni që keni punuar mjaftueshëm? Përgjatë 8 orëve të punës, treguesit tipikë përfshijnë respektimin e orarit, një promovim apo një rritje page – ose ezaurimin fizik me gjithë detyrat që duhet të përmbushni, mbledhjet, dokumentet, email-et etj.
Dita me 8 orë pune është një standard i vendosur shumë kohë më parë. Por bota ka ndryshuar.
Jetojmë në shekullin XXI ku informacioni është bërë elementi më i rëndësishëm dhe burimi për shumë profesione. E megjithatë, ne angazhohemi dhe respektojmë të njëjtin standard të përditshëm prej 8 orësh për të rritur produktivitetin dhe për të vlerësuar performancën tonë.
Dhe kjo është e padrejtë
Punonjësit e epokës industriale ishin fizikisht të kërkuar. Ligji i Adamson Act u miratua (SHBA, 1916) si përgjigje ndaj nevojës së punëtorëve të fabrikave për të mbrojtur shëndetin dhe të drejtat e tyre.
Por me punët që lidhen me njohuritë që po rriten si në numër dhe në kompleksitet, treguesit e performancës dhe shenjat e mbingarkesës janë më pak të dukshme. Ndonjëherë ndihemi edhe keq nëse jemi joproduktive brenda një orari pune që na është përcaktuar. Bëhet një dështim në disiplinë dhe në forcën e vullnetit nëse nuk mund të përqendrohemi e të punojmë, punojmë e punojmë brenda 8 orëve. Për punët që kërkojnë kreativitet, kuriozitet dhe fleksibilitet, puna 8 orë është e parëndësishme dhe herë-herë e kufizuar.
Unë nuk po përpiqem të them që duhet të heqim dorë nga puna 8 orë. Disa profesionistë mbështeten në strukturën dhe orarin për të përmbushur detyrat të cilat u janë ngarkuar. Disa njerëz e duan ndjesinë e kontrollit që ai u jep. Është e rëndësishme të dini se keni mundësi të dilni nëse ndjeni se kjo ndikon në reduktimin e kreativitetit tuaj.
Por disa vende pune do të falimentonin në mungesë të një dite punë me 8 orë, kurse të tjera do të lulëzonin.
Ajo çka duhet të bëjmë është të shikojmë sipërmarrësit që rregullojnë kohën e tyre për të përmbushur kërkesat e produktivitetit, kreativitetit dhe eficencës për të drejtuar një biznes me një buxhet të limituar. Struktura dhe disiplina duhet të gjejnë ende rrugën e tyre në qëndrimet e punonjësve që i besojnë mendimit për të bërë sa më mirë punën e tyre.
Si ta gjejmë atë që është më e mira për ne?
Si profesionistë të dijes, ne kemi nevojë të kalojmë kohë duke menduar dhe ushqyer kureshtjen tonë me aktivitete si leximi.
Charlie Munger, një partner biznesi i Warren Buffet, ka thënë në një intervistë për CNBS se “në gjithë jetën time, nuk kam njohur asnjë njeri të zgjuar që nuk lexonte gjithë kohës – asnjë zero. Gjysmën e kohës Buffet e kalon duke lexuar. Ai ka shumë kohë për të menduar”.
Dijet nuk ndalen
Duke u përqendruar tek orari i punës më shumë se sa tek cilësia, rrezikojmë që motori ynë mendor të punojë me të njëjtin vaj mendor, me cilësi të dobët. Kur ne rreshtim së mësuari, qëndrojmë larg një burimi të rëndësishëm që mund të na ndihmojë që të rritemi në karrierë në vitet e ardhshme, si dhe në jetën personale.
Në fillim, duke iu larguar orarit standard mund të duket se jemi duke punuar më pak, por ju do të kuptoni më pas se kjo bën sens.
*Chiara Mesiona
Burimi: Ladders/Monitor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.