Në fokus

February 8, 2016 | 10:57

Dita Ndërkombëtare e epilepsisë/ Mjekja: Sëmundja nuk prek inteligjencën, mos u ndjeni të turpëruar nga diagnoza

 

28 shkurti njihet si Dita Ndërkombëtare e epilepsisë. Kjo është një nismë e përbashkët e Zyrës Ndërkombëtare për epilepsisë (IBE) dhe Lidhjes Ndërkombëtare kundër epilepsisë (IEKA). Festohet në më shumë se 138 vende, duke rritur kështu ndërgjegjësimin dhe nevojën urgjente për rritjen e hulumtimit për këtë sëmundje. Epilepsia është një nga sëmundjet, me të cilën më së shumti diagnostikohen fëmijët, çka do të thotë se fillesat e para të kësaj sëmundjeje vërehen që në moshën 5-vjeçare. Është një prej sëmundjeve më të shpeshta në neurologji dhe hyn në grupin ne sëmundjeve konvulsive, që manifestohet me ndryshim të thellë të vetëdijes dhe tkurrje të muskujve. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rreth 50 milionë njerëz në botë vuajnë nga epilepsia, e cila praktikisht është mbingarkesë e një aktiviteti elektrik që zhvillohet periodikisht në tru dhe shkakton humbje ndjenjash dhe lëvizje të pakontrolluara.

Epilepsia mund të shfaqet në forma të ndryshme, ndërkohë që personat të cilët vuajnë nga kjo sëmundje duhet që t’i nënshtrohen një trajtimi të vazhdueshëm mjekësor, por gjithashtu të gëzojnë edhe mbështetje sociale, siç janë trajtimet nëpër qendra të riaftësimit fiziko-mental.

Brunilda Zllami, mjeke neurologe dhe shkrimtare e njohur ka ndarë me lexuesit e saj disa të dhëna rreth kësaj sëmundjeje dhe mënyrës së trajtimit të saj.

Kirurgjia e Epilepsisë

Kirurgjia e Epilepsisë është një procedurë që heq dhe izolon zona të trurit që janë përgjegjëse për krizat epileptike. Ky trajtim dedikohet për pacientët, krizat e të cilëve nuk kontrollohen mirë me mjekim. Rreth 30% e pacientëve që vuajnë nga epilepsia kanë kriza të cilat konsiderohen të patrajtueshme mirë me medikamente, që do të thotë:  kriza që vazhdojnë me gjithë përdorimin e antiepileptikëve dhe kombinimeve të tyre”, shkruan mjekja.

Çfarë është kirurgjia e epilepsisë:

Është një procedurë e cila:

  1. Heq zonën që prodhon kriza

ose

  1. Limiton përhapjen e aktivitetit epileptik

Kush është kandidat për kirurgjinë e epilepsisë?

Kirurgjia e epilepsisë është një mundësi për t’u konsideruar kur:

  • Krizat nuk janë të kontrolluara me mjekime (të patrajtueshme)- rreth 30% e pacienteve kanë kriza rezistente ndaj trajtimit, por ka dhe raste kur pacientët kanë efekte anësore të rëndësishme gjatë mjekimeve  dhe nuk mund t’i marrin ato;
  • Krizat e pjesshme, që gjithmonë fillojnë në një zonë të trurit (fokus lokalizuar)
  • Kriza që në mënyrë të rëndësishme prekin cilësinë e jetës së pacientit
  • Kriza të shkaktuara nga lezione si: indi i dëmtuar, tumori i trurit, keqformimet arterio-venoze ose defekte të lindjes
  • Kriza që mund të përhapen në të gjithë trurin (gjeneralizim sekondar)

Më së shumti rekomandohen pacientët të cilët vazhdojnë të kenë kontroll të keq të krizave pas provimit të dy ose tre kontrolleve me mjekime të ndryshme ose kombinime të tyre dhe janë vlerësuar nga mjekë neurologë ( epileptologë) si kandidatë për kirurgjinë e epilepsisë.

Sipas mjekes Zllami, epilepsia është një nga sëmundjet më të shpeshta neurologjike dhe me këtë diagnozë pacientët mund të kenë një jetë krejtësisht normale mes krizave. Në shumicën e rasteve nuk është sëmundje që prek inteligjencën apo nuk invalidizon të sëmurin, nuk e privon atë nga jeta sociale, romantike dhe familjare. Shumë njerëz të famshëm kanë vuajtur nga diagnoza e epilepsisë dhe kjo nuk i ka ndalur në gjenialitetin e tyre. Mendohet se aktiviteti jonormal i lobit temporal (epilepsia temporale) mund të luajë rol në kreativitet; Lewis Carroll duket se është inspiruar nga aurat e epilepsisë temporale për “Lizën në botën e çudirave”. Epileptikë të famshëm kanë qenë dhe Aristoteli, Van Gog, Njuton, Nobel, Dostojevksi, Dikens, Da Vinçi, Paganini etj.

Është e rëndësishme që të mos ndiheni të turpëruar nga diagnoza, të mos kompleksoheni nga ajo, të mjekoheni rregullisht duke ndjekur këshillat e mjekut. Gjithashtu e rëndësishme është që të keni një jetë sa më normale dhe të mos jetoni me frikën e krizës së radhës.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top