Dita Ndërkombëtare e Muzeve zhvillohet çdo vit më 18 Maj. Kjo ditë është krijuar nga ICOM (International Council of Museum – Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve) në vitin 1977 duke synuar të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e muzeve në zhvillimin e shoqërisë.
Tema e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve për vitin 2017 është; Muzetë dhe historitë tabu (ose historitë e kontestuara apo historitë e debatuara): Të thuash të pathënën në muze ose të thuash të paimagjinueshmen.
Kjo temë përqëndrohet në rolin e muzeve, të cilët duke punuar në dobi të shoqërisë, shndërrohen në pika kyçe për nxitjen e marrëdhënieve paqësore mes njerëzve. Në këtë mënyrë nënvizohet fakti se pranimi i historive që ngjallin kundërshti është hapi i parë në krijimin e një të ardhme të përbashkët nën flamurin e pajtimit. Kjo inkurajon muzetë të luajnë një rol aktiv përmes një qasje paqësore në trajtimin e historive traumatike duke nxitur ndërmjetësimin dhe pikëvështrimet e ndryshme.
Në kuadër të kësaj dite, Muzeu Historik Kombëtar organizon tre veprimtari:
1- Çelja e ekspozitës me temë “Muzetë dhe historitë tabu. Thesare të argjendarëve vendas”, e cila përmban rreth 20 objekte prej ari dhe argjendi, të cilat janë punuar nga argjendarët vendas, që i përkasin shek. XVII-XVIII. Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun nga data 18 maj deri më 4 qershor 2017, në pavijonin e ikonave të Muzeut Historik Kombëtar. Qëllimi i ekspozitës është të promovojë kulturën kombëtare të argjendarëve tanë, duke qenë se tradita e punimit të objekteve kishtare ka qenë e ndaluar për 50 vjet.
2- Veprimtari e përbashkët midis ICOM Shqipëria, Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu Arkeologjik dhe Qendra e Studimeve Albanologjike. Më 18 maj 2017, ora 13:00, pranë sallës “Kostandin Shpataraku” organizohet: Tavolinë e rrumbullakët me temë “Muzetë dhe historitë e kontestuara: të thuash të pathënën në muze”.
3-Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve (18 maj) dhe Natës Evropiane të Muzeve (20 maj), Muzeu Historik Kombëtar do të qëndrojë i hapur për publikun deri në orët e vona të natës si dhe hyrja do të jete falas.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.