Në Ditën Ndërkombëtare pa Makina, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, iu bashkua grupit të aktivistëve pedalues për të promovuar më shumë lëvizjen me biçikleta, nga ku edhe dha një lajm të mirë: sot ajri në qytet është 15% më i pastër se një vit më parë. Në fjalën e tij për mediat, kryebashkiaku i Tiranës theksoi nevojën e përdorimit më shumë të biçikletës, transportit publik, ecjes dhe vrapimit.
“Sot kemi disa lajme më të mira: Lajmi i parë na erdhi dje nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, e cila në të gjithë qytetet e Shqipërisë ka parë një përkeqësim të cilësisë së ajrit, përveç Tiranës ku ajri është përmirësuar me 15%. Matjet e kryera në pikat fikse ku bëhen çdo vit, si në stacionet e përhershme, ashtu edhe në stacionet e lëvizshme, tregojnë se ndotja e ajrit në Tiranë është në rënie dhe sot kemi ajër 15% më të pastër”, u shpreh Veliaj. Ai shtoi se nëse ecet me këtë ritëm, brenda 5-6 vitesh mund të kemi ajër 100% më të pastër se sot.
Megjithatë, Veliaj tha se kjo është e pamjaftueshme. “Tirana ende mbetet një qytet i ndotur dhe që të vazhdojmë këtë trend të mirë, do të duhet ecim me punën që kemi bërë këtë vit. Disa gjëra kanë ndryshuar për mirë, është trefishuar numri i njerëzve që kanë blerë apo përdorur një biçikletë”, deklaroi Veliaj. Sipas atij, nëse vijohet me këtë ritëm, do të ketë jo vetëm përmirësim të ajrit, por gjithashtu edhe një jetë më të shëndetshme.
“Përveç se i rrisin vlerën pronës, investimet e bashkisë në korsi biçikletash dhe urbanizim, shmangin baltën e pluhurin që hyn në mushkëritë tona. Do të vijojmë me investime të këtij standardi, jo vetëm që të rrisim urbanizimin, por edhe që të përmirësojmë cilësinë e ajrit që thithim”, u shpreh Veliaj. Ai sqaroi se Bashkia e Tiranës do të investojë për shtimin e 1000 biçikletave, për të shtuar më shumë stacionet që qytetarët mund t’i aksesojnë e t’i përdorin për udhëtime brenda për brenda qendrës së qytetit.
Krahas investimeve dhe mbështetjes që do të vijë nga donacionet për rritjen e numrit të biçikletave, Bashkia e Tiranës do të ndërtojë edhe rrjetin minimal për përdorimin e tyre. Kryebashkiaku sqaroi se sapo është miratuar një masterplan i lëvizjes me biçikleta në Tiranë, që të mos ketë vetëm segmente të vogla si te Pallati i Kongreseve apo te rruga “Dritan Hoxha”, por të ndërtohet një rrjet i tërë komunikimi. “Investimi që do të bëjë bashkia në disa kilometra rrugë, do të jetë një korsi e dedikuar si një korridor, fizikisht i ndarë nga korsitë e makinave. Sot makina kanë vetëm 15% e banorëve, 85% e të tjerëve që nuk kanë makina, që duan biçikletën, që duan të ecin në këmbë apo transport publik, janë po aq aksionerë të këtij qyteti sa ata që kanë makina”, tha Veliaj.
Në “Ditën pa makina”, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ecovolis dhe rrjetin e informimit të BE, organizuan pedalimin masiv me biçikleta për të dhënë e mesazhin e reduktimit të përdorimit të automjeteve dhe promovimin e formave të tjera të transportit miqësor me mjedisin. Një grup çiklistësh nga Shkodra, që njihet si “Qyteti i biçikletave”, iu bashkuan pedalimit në Tiranë dhe vazhduan rrugëtimin në Vlorë, në mënyrë që t’i japin një mesazh dhe vlerë Ditës pa makina. Gjithashtu, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale Tiranë, në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme u zhvillua një orë mësimi informuese rreth lëvizshmërisë dhe impaktit të saj në mjedis.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.