Shpesh dëgjoj nëna që janë divorcuar nga bashkëshortët dhe i shajnë e përgojojnë pa as edhe një lloj censure.
Harrojnë se ky burrë edhe pse nuk është më bashkëshorti dhe mund t’i meritojë të sharat dhe etiketimet, është babi i fëmijës së tyre.
Fëmija nuk ka baba tjetër dhe nëna nuk duhet t’ja shëmtojë edhe më shumë figurën e babait. Fëmija vuan shumë nga ngjarje të tilla, madje në të shumtën e rasteve mendon se është fajtor apo që babai nuk e do.
Nëna duhet të mendojë si për veten: nëse dikush i shan babanë, si do të ndihet?
Nëna edhe pse keni të drejtë të ndiheni keq, e shara dhe etiketimet nuk janë gjëja më e mirë që mund të bëni. Nëna duhet t’i tregojë të vërtetën fëmijës, madje e ka për detyrë, por brenda etikës, ku fjalët të zgjidhen me kujdes dhe sidomos toni me të cilin shprehen. Të sharat dhe etiketimet nuk tregojnë gjë tjetër, përveçse të ndjerit viktimë për situatën që po përjetojnë. Një grua që punon, që rrit fëmijën duke përballuar divorcin, nuk mund të jetë viktimë, por vetëm një grua e zonja. Prandaj nëna nuk duhet ta ulë nivelin e vlerave të saj me sharje banale.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.