Në fokus

November 15, 2017 | 9:26

Djali me sëmundje të rrallë dergjet i paralizuar, prindërit mes lotësh kërkojnë ndihmë

Denis Capuni është një djalë normal si qindra e mijëra adoleshentë të tjerë shqiptarë, por fati i keq i tij ka bërë që të jetë i prekur nga një sëmundje shumë e rrallë.

denisi

17-vjeçari është prekur nga “diskopia muskulare”, e cila prek 1 në 10 mijë persona. Familja Capuni jeton në qytetin e Memaliajit mes halleve dhe problemeve të shumta sociale. Djali i vetëm i tyre dergjet në shtrat prej shtatë vitesh. Denisi ka lindur i shëndetshëm, por në vitin 2009, në moshën 10-vjeçare, u diagnostikua nga një mjeke specialiste në kryeqytet me sëmundjen e rrallë. Mes dhimbjes, Denisi i mundur nga sëmundja që e ka lënë në shtrat, flet pak. Nga koha e gjatë që ka kaluar në shtrat, ai as nuk e kujton kohën kur ishte si gjithë fëmijët e tjerë. Vetëm për ilaçet e 17- vjeçarit familja ka një shpenzim mesatar mujor prej 17 mijë lekësh.

babai

Një prej medikamenteve, që është edhe më kryesori, për funksionimin normal të zemrës, familja mund ta blejë vetëm në kryeqytet, sepse në jug të vendit nuk gjendet. Familja Capuni jeton në mjerim të plotë.

Ata u detyruan që të zhvendoseshin nga fshati Arrëz e Madhe dhe të përqendrohen në qytetin e Memaliajit, pikërisht për shkak të sëmundjes së Denisit, me qëllim që të ketë afër spitalin apo mjekët. Lanë shtëpinë e tyre në fshat dhe jetojnë në një banesë përdhese të marrë me qira në një prej lagjeve të qytetit të vogël. Ndërsa rreth 50% e shpenzimeve të ilaçeve të djalit paguhen nga shteti në formën e pensionit që përfiton. I ati i Denisit, Dashamir Capuni, ka lënë bagëtinë dhe punët e tokës në fshat i detyruar nga rrethanat e krijuara dhe endet në Memaliaj apo Tepelenë në kërkim të ndonjë pune sa për të mbajtur frymën familja. Ndërsa e ëma e Denisit, Enkelejda, nuk e shikon jashtë portës së shtëpisë. Ajo ndodhet “e ngujuar” brenda katër mureve të dhomës ku është Denisi. Asaj i ka rënë edhe barra më e madhe e përkujdesjes së djalit të saj të vetëm. Ajo gdhihet dhe të ngryset duke u përkujdesur për djalin dhe kur fle Denisi, merret me punët e shtëpisë. “Problemet e Denisit me shëndetin nuk kanë të sosur”, shprehet e ëma. “Deformimi i kockave dhe lodhja e zemrës janë ato që e kanë rënduar situatën. Ishim në fshat, pasi Denisi u rëndua dhe ngeli kështu, nuk kisha as mjekë afër dhe u detyruam dhe erdhëm në Memaliaj”, tregon Enkelejda Capuni. Ndërsa kryefamiljari flet për gjendjen ekonomike të tyre. “Nga gjendja ekonomike jemi copë- copë, nëse mund të themi se vetëm me kempin e tij shtyhemi. Marrim ilaçet e tij, të cilat shkojnë 170 mijë lekë, pa llogaritur drita, ujë. Ndonjëherë po doli ndonjë punë, shkojmë, por është shumë vështirë për punë, se nuk ka”, shprehet babai i Denisit, Dashamir Capuni. Babai i 17- vjeçarit nuk ka ndonjë kërkesë të veçantë për shtetin, por kërkon vetëm pak vëmendje, jo luks, por ndihmë sa për të përmirësuar sadopak jetën për djalin e tyre.

PIRO NASE/PANORAMA

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top