Posta

August 13, 2016 | 11:00

Do të doja t’i shmangia ëndrrat!

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Më ndodh gjatë natës të ëndërroj shumë, mirëpo nuk jam në gjendje t’i largoj mendimet. Herë pas here më del gjumi e kjo më shqetëson. Ndërsa gjatë ditës, në fakt, i kushtoj vëmendje çdolloj aktiviteti dhe e përmbush më së miri. Kështu ndihem e plotësuar. Përse këto mendime ndodhin natën duke ndërhyrë në ëndrrat e mia? Do të doja t’i shmangia, por si t’ia dal mbanë?

Përgjigjie:Ëndrrat janë një mundësi shumë e mirë për të ruajtur shëndetin tonë mendor. Ato e shkarkojnë të pandërgjegjshmen tonë dhe sigurojnë elementë domethënës për të vendosur kontakt me këtë të fundit. Mos u dekurajoni, lërini ëndrrat të shprehin vetveten e tyre dhe kushtojini vëmendje jetës suaj të përditshme, aty ku e ndërgjegjshmja duket më në pah. Nëse ëndrrat janë shqetësuese, do të thotë që edhe ngarkesa e jetës suaj është e madhe. Një thes i mbushur duhet zbrazur që të ngarkohet sërish. Ju më thoni se dita është e mbushur dhe kështu harroheni me të. Mos ndoshta doni të më thoni se po shmangni problemet që ju brejnë në të përditshmen tuaj? Mekanizmat mbrojtës, të cilat S. Freud i përkufizoi me aq mjeshtëri, luajnë një rol të rëndësishëm në jetën tonë, pasi na përshtatin më së miri me realitetin dhe vetja jonë pajiset me “amortizatorë”, të cilët mundësojnë që ne të mos lëndohemi. Lëndimet psikologjike vijnë më së shumti nga përdorimi i madh i këtyre mekanizmave. Ne mund të priremi p.sh të mohojmë realitetin, gjërat që na ndodhin, që PO ndodhin, mendime, njerëz etj. Ne jemi të aftë të shmangim situata të nevojshme për t’u realizuar etj. Por edhe pse e ‘rregullojmë’ për momentin me veten, ato janë sërish aty dhe ëndrrat, bëhen dalja më e sigurt dhe e domosdoshme e presionit të madh të akumuluar me kohë. Pra, provoni të përballeni gradualisht me veten tuaj, qoftë edhe duke kërkuar ndihmë profesionale. Mbështetja e një profesionisti mund t’ju ndihmojë të vendosni kontaktin me veten tuaj, nëse ky hap ju duket (dhe patjetër që është) i vështirë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top