Aktualitet

April 13, 2023 | 9:00

Do të përfaqësojnë Shqipërinë në “Eurovision”, Albina dhe familja Kelmendi flasin për sfidën e tyre në festival. Ja mesazhi për shqiptarët: Të japin sa më shumë mbështetje…

Albina Kelmendi ka folur së fundmi në një intervistë të dhënë, për sfidën e përfaqësimit të Shqipërisë në “Eurovision 2023”, që zhvillohet në Britaninë e Madhe.

Gjatë kësaj interviste ajo flet edhe për pengun e saj që nuk mundi të takojë një prej idhujve të saj, si dhe një prej figrave emblematike të Festivalit në RTSH, Vaçe Zela.

Sipas saj, sikur njerzit ta donin njeri- tjetrin me shumë, ti thonin njëherë në ditë njeri- tjetrit “Duje”, paqja në botë do ishte më e madhe.

Albina ka edhe një mesazh për të gjithë shqiptarët kudo që janë të jenë më aktiv, në çdo formë, që nga ajo e rrjeteve sociale e deri te votimi, me qëllim që në çdo vend ku të jehojë kënga shqipe, në këtë rast edhe kënga “Duje”, të bëjë që ata të ndihen krenarë kudo që ndodhen.

Sapo keni përmbyllur një tur prezantimi të këngës “Duje”, ose siç është etiketuar “Festa e Eurovizion Vazhdon”, nga Polonia deri në Izrael. Cilat janë mbresat nga ky tur? A po shkruani historinë?

Nga ajo qe kemi kaluar nga ky tur na është zgjuar ndjenja e tejkalimit të të gjitha pritshmërive tona në çdo aspekt. “Duje” të këndohet nga të gjithë me plot ndjenjë, na jep të kuptojmë se mesazhi dhe qëllimi me këngën tonë ka depërtuar thellë edhe në publikun jo shqiptar!

Andaj, tani, duke qenë në dijeni të asaj çfarë përjetuam në këto evenimente, po na bën të ndjejmë edhe atë që nuk është vetëm koha që bënë historinë, por janë njerëzit ata që bëjnë historinë.

Të jesh pjesë e një festivali shumë të njohur të muzikës shqiptare, siç është Festivali i Këngës në RTSH, dhe më pas për të përfaqësuar Shqipërinë në një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës botërore, siç është Eurosong, është njëra anë, kurse sfida reale në Eurosong është diçka tjetër. Cila mendoni se do të jetë pika juaj më e fortë në sfidën në Britani?

Sfidat janë të shumta nga ato burokratike e deri edhe te ato ekonomike. Por, siç kemi besuar deri më tani se, të qënit vetvetja, është arma më e fortë që kemi në dorë.  Do mbesim kështu jo vetëm në këtë eveniment, por për të tërë jetën.

Karriera juaj kryesisht është e një solistje, ndonëse shumë fansa tuaj në Kosovë dhe Shqipëri e dinë që familja Kelemendi është një familje e apasionuar pas muzikës. Përse zgjodhët që në këtë sfidë komplekse muzikore të bëni pjesë të performancës edhe familjen tuaj?

Po qe se i ktheni, apo hulumtoni nga e kaluara, mund të gjeni se, që nga fillimi i karrierës time nga TheVoice of Albania, jemi deklaruar për dëshirën e pjesëmarrjes apo përfaqësimit të Shqipërisë, por edhe të Kosovës, e cila ende s‘ka arritur të jetë pjesëmarrëse, qe e vetmja mënyrë e i imja për paraqitje që do jetë bashkë me familjen. Kjo është dëshirë dhe vullnet i kahershëm. E gjithë kjo, për faktin se i dimë potencialet tona.

Për publikun duhet treguar se kjo familje, siç jemi paraqitur, është ajo e rrethit të afërt apo më mirë të themi e vogla, pasi ne rrethohemi edhe nga një rreth më i gjerë muzikantësh, të dëshmuar tani edhe si profesor muzike, që kanë lënë gjurmë në historinë e muzikës së Kosovës. Në këtë rast duke veçuar axha im Arsim Kelmendi, i cili është edhe Obo-isti i parë i diplomuar në Kosovë.

Çfarë keni mësuar nga përvoja për të hedhur hapin e duhur në Eurosong?

Jeta është mësim. Asgjë të mirë nuk ta fal askush. Atë duhet ta marrësh dhe kjo nuk është e lehtë! Fillimisht kjo, deri tani ku jam, më ka lënë të kuptoj dhe besoj se me cilat sfida janë ballafaqur kolegët e mi në të kaluarën dhe bashkëndjejmë me ta të gjitha dhimbjet nga ajo shpirtërore, deri edhe te ato subjektive. Rezultatet e arrituara të kolegëve nga e kaluara, nga ky eveniment nuk janë vetëm përgjegjesi e tyre. Tani ne besojmë që kjo do të vijë edhe nga faktorë të tjerë shumë relevant duke filluar nga buxheti e deri te përkrahja e publikut vendor.

Çfarë do të thotë pjesëmarrja në Eurosong për karrierën tuaj muzikore?

Përfaqësimi kombëtarë është përgjegjësi, dhe një faqe e historisë në karrierën time, e cila konsiderojmë se do të shndrit gjithë jetën për ne!

Rrethanat botërore bënë që Eurosong të mos zhvillohej në Kiev, por të zhvendosej në Britani. Si do ndjeheshe nëse do këndoje në Kiev? A do ishte më emocionuese edhe në kontekstin e rrethanave atje?

Në çdo vend ku jehon kënga shqipe, në këtë rast edhe kënga jonë, do ndjehem krenare. Sikur njerëzit ta donin njeri- tjetrin më shumë, ti thonin një herë në ditë njeri- tjetrit “Duje”, paqja në botë do ishte më e madhe. Paqe për Ukrainën.

Shumë kritikë në fushën e muzikës, ju konsiderojnë si një pasuese mjaft të denjë të disa prej zërave më të mirë të muzikës në Kosovë dhe Shqipëri si Pagarusha, Vaçe Zela etj. Ndjeheni e përkëdhelur nga ky kosntatim apo ndjeni më shumë përgjegjësi?

Të krahasohesh me dy divat më të mëdha të kombit tonë është ndjenjë e madhe. Jam rritur me këta zëra, kam arritur edhe të këndoj para të madhes Nexhmije Pagarusha. Do mbetet nje gropë e madhe për mua që s’mu dha rasti ta takoj Vaçe Zelën. Mbetet synim i imi të bëhem, Albina Kelmendi.

Të përfaqësosh shqiptarët kudo janë në eventin e Eurosong është përgjegjësi për ty, po përgjegjësia e shqiptarëve, në raport me ty dhe Eurosng, cila do të duhet të jetë?

Siç e theksova më sipër, në pika shumë të shkurta nga ajo që kam parë në këtë tur koncertesh në vende të ndryshme, lirisht mund të konstatoj dhe besoj që përkrahja institucional dhe e popullit mungon shumë. Prandaj edhe rezultatet shpesh s’janë të kënaqshme, përkundër faktit se kemi pas dhe këngë të mira! Të shpresojmë që institucionet të japin më shumë mbështetje, sidomos ne sferën financiare, dhe publiku shqiptarë të jetë më aktiv, në çdo formë, që nga ajo e rrejteve sociale e deri te votimi.

 

 

/Panoramaplus.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top