Nga Orjona Tresa / Foto Vlasov Sulaj
Me njërën dorë djalin mbështjellë pas vetes dhe me tjetrën mikrofonin. Një foto sa njëmijë fjalë që pati fokusin e shumë telekamerave dhe aparateve fotografikë, e që padyshim dëshmoi një ndjeshmëri të fortë për kauzën e organizuar, protestën shqiptare kundër luftës në Ukrainë. Protestuesit, mes tyre dhe përfaqësues të shoqërisë civile, ishin mbledhur para Ambasadës Ruse në Tiranë. E gjendur në krye të detyrës, Rovena Cerka, gazetare e politikës në Report TV, jashtë parashikimeve të raportimit të lajmit, u bë pjesë e transmetimit të drejtpërdrejtë të ngjarjes. Ndonëse, përgjegjësia e saj në ato momente ishte shumëfish më e lartë. Përveç solidaritetit ndaj ngjarjes, përkushtimit ndaj profesionit, ajo u gjend aty edhe si nënë, shoqëruar nga djali i saj 3 vjeç e gjysmë, të cili i dha një tjetër mësim për jetën.
Foto e shkrepur nga reporteri i “Revistës Psikologjia” më ngacmoi të merrja një përjetim të Rovenës, emocione të një ngjarjeje e cila na përfshiu të gjithëve.
Këto ditë kanë shënuar një rekurs në përditshmërinë e të gjithëve, por më tepër të gazetarëve të cilët janë përfshirë në raportimin dhe evidentimin e ngjarjeve që lidhen me Ukrainën. Madje media pothuaj të gjithë linjën e saj ia ka kushtuar kësaj ngjarjeje botërore. Si u gjendët me djalin tuaj në protestën që u mbajt para ambasadës ruse?
Faktikisht aty u gjenda thjeshtë sepse duhet ta mbuloja si ngjarje dhe duke qenë se ishte parashikuar jashtë orarit tim të punës, nuk mund të humbisja asnjë moment nga koha ime me tim bir. Vëmendja kryesore është tek ai. Por sigurisht që nuk mund të lija as punën pas dore, ndaj zgjidhja më e mirë ishte që ai të më bashkohej në një punë që përkonte të ishte për një ngjarje shumë pozitive e frymëzuese. Fillimisht isha skeptike, sepse temperaturat pasdite janë mjaft të ulëta, por patjetër që kur është e mundur ai duhet të jetë me mua pasi moment që jemi të ndarë qenia ime është gjysmake.
Si ia shpjeguat situatën?
I thashë se do të shkojmë në një vend me njerëz të mirë të cilët duan t’i thonë botës se e kanë xhan!
I kishit folur për ngjarjen më herët?
Mesili është vetëm 3 vjet e gjysmë. Por ai i di mirë të drejtat tij. Mami i ka treguar edhe se ku i kanë njerëzit limitet e tyre. Ai është një fëmijë i lirë, pozitiv dhe shumë i paqtë. Është e vështirë që të ia shpjegosh një fëmije gjendjen e luftës, madje pa ekzagjerim do të thoja se është edhe e padrejtë. Fëmijët nuk duhet kurrsesi të dinë se kjo botë ka edhe vrasës. Një njohuri e tillë në një moshë kaq të hershme do të shkatërronte ëndrrat dhe imagjinatën e tij, dhe unë nuk jam një vrasëse. Nuk mund të ia heq shkëlqimin e rrezedritës nga sytë e tij të bekuar.
Sa e vështirë është t’i flasësh dhe t’i shpjegosh fëmijës për luftën?
Nuk e di, nuk do të mund t’ia shpjegoja dot. Detyra jonë si prindër është që fëmijëve t’u japim aq informacion sa ata përballojnë, dhe mosha e tij është e papërshtatshme për njohuri të tilla. Sigurisht ai e ndjen se është duke ndodhur diçka e fortë dhe e trishtë kur unë ndjek kronikat nga mediet e vendit por edhe ato ndërkombëtare mbi atë që po ndodh sot në Ukrainë, por nuk mendoj se arrin ta perceptojë.
Sa vjeç është djali dhe cilat ishin reagimet e tij?
Mesili është tre vjeç e gjysmë. Gjatë protestës kishte momente që ai donte vetëm të luante sepse ngjyrat e flamurit ukrainas, qirinjtë e ndezur dhe mimozat në duart e disa qytetarëve duket se i përcillnin një energji festive. Edhe njerëzit mes trishtimit të thellë për jetët e humbura në Ukrainë ishin të gëzuar që ishin parë sërish me njëri-tjetrin për një qëllim të mirë.
Po përjetimi juaj atë ditë duke qenë në detyrë në rolin e gazetares?
Do të doja të mund të isha cinike në këtë rast e të thoja “ishte thjeshtë orari i punës”, por jo! Në të dyja protestat e zhvilluara deri tani para ambasadës ruse në Tiranë, unë isha aty për të punuar. Edhe nëse nuk do të isha gazetare, sërish do të isha e pranishme, njësoj si atëherë, kur ende nuk e kisha nisur këtë rrugë profesionale, që dilja për të protestuar kundër armëve kimike në vitin 2013 apo atë për importin e plehrave në vitin 2016.
Të protestosh kundër vrasjeve, kundër luftës, pro paqes, pro jetës e pro mbrojtjes së mijëra fëmijëve si imi, është një emocion që nuk e kisha provuar. Jam disi natyrë e ftohtë dhe nuk më pëlqen të shfaq ndjenjat e mia, por kur po merrja disa intervista live në protestën e dytë në të cilin ishin shumë ukrainas, e kisha të pamundur të mbaja lotët. Sigurisht duke mos u paraqitur para kamerës, pasi raportimi nuk duhet të ndikohet nga gjendja ime emocionale.
Njëkohësisht mbushesha me shpresë, duke menduar se nuk ka përfunduar gjithçka, duke ribesuar se ky vend, po, mund të ndryshojë dhe se fëmijët tanë do të mund të kenë një jetë të denjë, mes bashkëmoshatarëve që do të ndryshojnë mendësinë, sepse aty kishte mjaft fëmijë.
Si ia shpjeguar SOLIDARITETIN si virtyt?
Ai është fëmijë i vetëm, që do të thotë i përkëdhelur në kuptimin pozitiv, emocional dhe plot vëmendje. Ndaj edhe nuk është i pavëmendshëm ndaj të tjerëve. E vetëdijshme se të mos pasurit një motër a vëlla të bën egoist, e ushqej çdo ditë me frymën e ndarjes së gjërave të tij me shokët në lagje, të cilët i qeras sa herë mami i jep nga ëmbëlsirat e ndaluara.
Ka ndikuar diçka në aspektin psikologjik të djalit, i ka shtuar pyetjet e tij? Ju ka ndodhur herë tjetër ta merrni djalin me vete?
Po, shpesh e kam marrë në zyrë duke qëndruar me mua. Kolegët e kanë adhuruar gjithnjë, e kanë llastuar. Kam zgjedhur që të jem strikte si nënë, ushqyerja e shëndetshme dhe qëndrimi larg çokollatave dhe produkteve të konservuara është prioritet. Distancimi nga teknologjia nuk diskutohet, dhe kush i shkel këto rregulla Mesili e ka bërë menjëherë shok. Ka raste që ai nuk “ngopet” me praninë time dhe në mëngjes kërkon të mos largohemi nga shtëpia, por patjetër që në punë.
Shpesh e kam lënë djalin me temperaturë më shtëpi ose kopsht dhe nuk kanë qenë të pakta rastet kur nuk kam gjetur as 2 minuta kohë për të telefonuar dhe pyetur se si është. Por pjesa që urrej më shumë është kur shkel premtimet, sepse m’u desh të qëndroja më gjatë në punë, sepse duhet të trajtoj një çështje apo sepse një politikan vendosi të dalë në një konferencë për mediat apo sepse u bë një mbledhje e papritur. Mbajtja e fjalës për mua është e shenjtë dhe sa herë nuk kam mundësi ta realizoj atë i shpjegoj situatën dhe i kërkoj falje. Madje këtë e përsëris disa herë. Kështu ai mëson të argumentojë, mëson fjalë të reja por mbi të gjitha mëson se nuk është turp të kërkosh falje dhe nuk është gabim të falësh. Përmes gabimeve që bëj vetë me të bëj çfarë mundem për t’i dhënë mësime.
*Rovena Cerka, gazetare, diplomuar për “Komunikim, Marrëdhënie me Publikun”. Pjesëmarrëse në studime dhe konferenca, trajnime dhe aktivitete të fokusuara tek sociologjinë, filozofinë, politikën dhe gazetarinë. Prej 3 vitesh ushtron profesionin e gazetares, duke mbuluar politikën dhe politikat e qeverisë. Ka realizuar disa MINI dokumentarë që kam çmuar se kanë qëllim edukativ për publikun.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.