Do të të shkruaj një letër.
Do të ta lë tek koka e krevatit e ta gjesh kur të zgjohesh në mëngjes.
Do të të shkruaj letër, jo se nuk dua të të flas e të ta them përballë po për të të rikujtuar ty sa bukur është të lexosh ato që shkruhen për ty.
Kam shkruar për ty para se të të njihja.
Kam shkruar për ty kur të gjeta.
Po shkruaj për ty tani që të dëgjoj si përplas dyert e dollapeve në kërkim të bluzës që të është fiksuar për të veshur sot.
Do vazhdoj të shkruaj për ty edhe kur të grindesh se e kam lënë televizorin tek ai programi që ke inat.
Do të të shkruaj për të të kujtuar herën e parë që sytë e tu panë tej përtej të mive.
Do të të shkruaj për të të thënë se kush ishte momenti që më gdhende tëndin emër, në timen zemër. Për të të treguar kur ma rrëmbeve shpirtin për mos të ma kthyer më kurrë. Për të të treguar, cili ishte momenti që e kuptova që dorën tënde do e shtrëngoja gjatë në jetë.
Më ke bërë të ndjej aq shumë, sa më ke bërë të shkruaj qindra rreshta. E për këtë do të të jem përjetë mirënjohëse. Prandaj dua të të shkruaj sërish sot.
Sot, që të kam në krah. Sot, që të kam shokun e jetës. Sot, që bërtet që nga ballkoni se nuk po i gjen atletet që shkojnë me bluzën që më në fund e gjete. Sot, që të kam mbështetje e në të njëjtën kohë motiv nervash e acarimi. Sot, që mi njeh të gjitha skutat e errëta që më fshehin sytë, e më mësove dhe mua ta dua dhe errësirën time. Sot, që të kam shumë më shumë, se sa kisha parashikuar në përrallën në kokën time.
Dua të të shkruaj sërish sot.
E të ta them sërish. Çdo rrahje e zemrës, çdo psherëtimë e shpirtit, çdo fjalë e dalë nga unë, që kanë emrin tënd si hije mbi vete, ja kanë vlejtur.
Të ta kujtoj rrugëtimin që na ka sjellë këtu ku jemi.
Do të të shkruaj një letër, sepse i dua fjalët. Se ju kam besuar shpesh gjuhën e shpirtit e kanë ditur ta përkthejnë. Andaj sot, si shumë herë të tjera dua të t’i dedikoj ty fjalët që lindin për ty.
Dua të të them sërish dhe të të shkruaj sërish që çdo pritje për të të dëgjuar ‘Mirëmëngjes’-in nën strehën tonë, do i kisha bërë sërish. Do të të kisha pritur edhe 100 vjet të tjera në të njëjtin vend, sepse shpirti di shumë më shumë se mendja. Sepse shpirti nuk gënjehet dhe nuk mbushet me fjalë bosh që nxjerr goja, po lexon çdo përqafim që flasin sytë.
Nuk di në sa jetë të kam pritur e më ke kërkuar, për tu gjendur në këtë të sotmen krahëlidhur, por di që do të të kisha pritur edhe në njëqind të tjera, sepse i besoj verbërisht nevojës së shpirtit tënd e timit për tu gjetur.
Do të të shkruaj një letër për të të thënë që ja vlejti besimi symbyllur që do gjeheshim gjithmonë pavarësisht çdo gjëje.
Ja ka vlejt pritja e palodhur se ishte thjesht çështje kohe e kishim nevojë të rriteshim vetëm, për të triumfuar bashkë.
Do të të shkruaj, për të të kujtuar, që ja dolëm!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.