Dollapi është një hapësirë shumë e rëndësishme. Por, nëse duam që gjithçka që kemi të hyjë brenda, duhet të dimë ta organizojmë atë. Por si i bëhet për të pasur një dollap të rregullt dhe që çdo veshje të arrijmë ta shohim? Më poshtë do të lexoni këshilla për ta bërë dollapin tuaj sa më funksional.
Ndërrimi i stinëve, ngrohja e motit, është koha për t’i bërë dhe një zëvendësim gardërobës. Po ku t’i vendosim palltot e trasha, tesha që nuk na duhen më të paktën për muajt e ardhshëm? Në dollap! E thjeshtë si zgjidhje, por tepër e vështirë për ta zbatuar, pasi në dollapët tanë nuk ka më vend as për një gjilpërë. Shpesh kemi tendencën t’i grumbullojmë rrobat e panevojshme, të cilat na i zënë të gjitha hapësirat e dollapit dhe që nuk lënë vend për blerjet e reja.
Organizoni dollapët për sezonin e ri
Mënyra se si ne i mbajmë veshjet tona është shumë e rëndësishme. Nëse i fusim rrobat në dollap të papalosura, ky është fillimi i rrëmujës dhe dollapi do të jetë gjithmonë i mbushur plot e përplot. Çdo veshje duhet vendosur në mënyrë të organizuar. Kjo shërben për të pasur më shumë hapësirë. Po si të veprojmë? Ndiqni këshillat tona… Mendohuni mirë, a jeni me të vërtetë kaq racionale sa të arrini ta sistemoni grumbullin e madh të veshjeve sa herë që e shihni? Bluzat, pulovrat, fundet që i keni prej vitesh në dollap ndonjëherë ju duken të pazëvendësueshme, por në të vërtetë prej sa kohësh nuk i përdorni më? Megjithatë, tendenca për të grumbulluar nuk është një sëmundje e pashërueshme, ndaj mësoni se si t’u bëni vend blerjeve të reja. Një tjetër sekret është të dini të ndani veshjet për secilin pjesëtar të familjes, për të shmangur rrëmujën. Edhe të brendshmet duhet t’i mbani të ndara dhe në rregull. Jorganët, batanijet, kuvertat, duhet t’i hiqni, derisa të vijë sërish koha për t’i përdorur. Shumë truke mund t’i vini në zbatim për të zënë sa më pak vend dhe për t’i pasur në gjendje sa më të mirë për dimrin e ardhshëm. Në vend që të përdorni kutitë e zakonshme, mund të blini thasë të mëdhenj prej cope apo plastikë, të cilëve më pas u heq ajrin.
Si të pastrojmë dollapin
Ardhja e stinëve të ngrohta do të thotë edhe ndryshim i veshjeve dhe dollapëve për të mbajtur vetëm gjërat më të domosdoshme, ndaj ndiqni këshillat tona… Është ndjesi që njihet: keni shumë veshje për t’i futur të gjitha në dollap dhe si gjithmonë nuk keni asgjë për të veshur. Nëse në dollap keni veshje prej shumë kohësh, është pikërisht ky çasti i duhur për t’i hequr qafe dhe për të vënë rregull. E ku ka rast më të mirë?! Të organizosh dollapin, rrjedhimisht do të thotë të heqësh dorë nga e kaluara për sa i përket veshjes dhe kjo mund të jetë e vështirë për ju, edhe kur bëhet fjalë për rroba që nuk i përdorni më prej kohësh. Dhe ja ku vjen e pashmangshmja, ardhja e pranverës që të “detyron” rinovimin e gardërobës, por për fat të keq dollapi gati sa s’po plas. Ka ardhur çasti për t’i dhënë vetes kurajë dhe për t’u përballur me ndryshimin e gardërobës pa inate dhe keqardhje. I druheni faktit që nuk ia dilni dot mbanë dhe shpresoni dëshpërimisht të vishni ende pantallonat që keni veshur kur ishit në gjimnaz? Lexoni më poshtë këshillat tona për t’ia dalë mbanë dhe për të organizuar sa më mirë gardërobën. Gjeni pajisjet e nevojshme për t’ia dalë në këtë sipërmarrje pa u lodhur. Së pari, ju nevojitet shumë kohë në dispozicion dhe hapësirë dhome për të vendosur rrobat, thasët apo kutitë për veshjet që do të dhuroni, mbani apo hidhni. Do t’ju nevojitet dhe një dozë durimi. Por, para se të filloni dhe të stresoheni nga ankthi i largimit të rrobave që i keni për zemër, ndiqni rregullat tona, më pas përvishni mëngët, merrni disa thasë hedhurinash dhe sistemoni dollapin tuaj për stinën e re.
• Boshatisni gardërobën tuaj. Vendosini mënjanë rrobat e trasha dhe ato më të holla. Më pas filloni dhe seleksiononi veshjet që duhet të vendosni në dollap, ato që duhet të vendosni në kuti për sezonin tjetër, si dhe ato që duhet të falni apo hidhni. Si fillim, çlirohuni nga rrobat që nuk ju nevojiten më. Mos ndjeni keqardhje, pasi rrobat që nuk i keni veshur prej dy sezonesh, me shumë gjasa nuk do t’i vishni më.
• Freskoni dollapin. Përfitoni nga rasti për ta pastruar dollapin nga brenda në të gjitha anët e tij, madje edhe sirtarët. Më pas, hapni dritaret dhe ajroseni mirë dhomën.
• Arkivoni veshjet dimërore: lani dhe hekurosni edhe veshjet e fundit të dimrit që ju kanë mbetur nëpër shtëpi. Më pas ndajini sipas kategorive (pantallonat, fundet, pulovrat, trikot, palltot, tutat, xhaketat, kapelat, shallet dhe dorezat). Vendosini rrobat më të vogla nëpër kuti me etiketa, veshjet e mëdha nëpër qese që të jenë të mbrojtura nga pluhuri dhe vërini në dollap në pjesën më të lartë.
• Organizoni veshjet e verës: nuk ju mbetet gjë tjetër veçse të varni në dollap fustanet, fundet, pantallonat e lehta, bluzat apo këmishët. Veshjet sportive palosini dhe vendosini në një hapësirë të dukshme apo nëpër sirtarë. Dhe në fund, për të shpërblyer veten për suksesin në këtë punë të lodhshme, vishni këpucët dhe dilni e bëni blerjet e fundit që i nevojiten gardërobës suaj, sepse nuk ka gjë më çlodhëse sesa t’i dedikohesh më në fund blerjeve…. pa asnjë breje ndërgjegjeje.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.