Prej të tjerëve mësojmë vazhdimisht, nga e mira e tyre dhe e keqja gjithashtu. E kjo na bën veç më të fortë e më të denjë për jetën, pa dyshim. Por, në këtë përballje dimensionesh duhet doemos që uni, ajo çka të përket vetëm ty, të priret drejt zhvillimit origjinal të vetvetes. Ti rritesh dhe gjithkush mund të ndihmojë duke vënë një tullë mbi mur, por askush prej tyre nuk mund të ndikojë aq sa të mos njihesh se je Ti, në fakt. E në këtë sfidë të përhershme nuk duhet parë asnjë “dikush” si modeli që mund të kopjohet lehtësisht me laps kopjativ, por disa bashkë janë në gjendje ta lartojnë atë që mund të quhet pa frikë: njeri. I këtij mendimi është edhe personazhi ynë, Dom Gjergji i famullisë “Shën Lucia”, një predikues shembullor i frymës katolike, në atë shtëpi të Zotit ku gjithkush mund të hyjë pa drojë.
Në bisedat e përditshme mes miqsh, kolegësh apo të afërmish, përpiqemi të ngremë e rrahim biseda që mes nesh krijojnë pikëpamje të reja apo përshtypje që në vetvete ndryshojnë edhe qëndrimet tona. Në fakt, të mësosh nga të tjerët sa e mundshme është?
Takimi me të tjerët në përgjithësi, qoftë në biseda, qoftë në jetën e përditshme, në punë, në shkollë, lagje a kudo, është gjithmonë një mundësi. Në përgjithësi qëndrimet tona nuk i ndryshon aq shumë ajo çka thotë apo bën tjetri, por gatishmëria ime për ta lejuar që ajo bisedë, apo qëndrim të më ndryshojë. Nga të tjerët mësohet gjithmonë. Mund të mësosh për mirë ose për keq. Më kujtohet një fragment nga filmi ”Patch Adams” me Robin Williams, i cili duke folur për fenomenin e transfert-it thotë që “…çdo qenie njerëzore ka impakt mbi një qenie tjetër njerëzore”. Dhe kjo është e vërtetë. Duam apo nuk duam, të tjerët ndikojnë te ne dhe ne mësojmë nga të tjerët. Ndërsa ndryshimin e kemi ne vetë në dorë, kuptohet ndryshimin për mirë në këtë rast. Ne jemi pedagogët e vetvetes. Pedagog do të thotë ai që udhëheq, shoqëron fëmijët në rritjen dhe edukimin e tyre (ne gabimisht e përdorim vetëm për universitarët). Vetja jonë është si një fëmijë, në çdo moshë që të jemi, duhet marrë për dore, duhet mësuar e udhëhequr, por po nuk e bëmë ne për veten tonë, të tjerët nuk kanë shumë mundësi. Të tjerët pra janë një mundësi e artë. Mund të mësohet prej çdo njeriu. Por, për këtë duhet së pari përvujtëni, që do të thotë të pranosh që nuk i di të gjitha dhe dëgjim i kujdesshëm ndaj çdo mënyre sesi komunikon tjetri me ty (fjala, trupi, gjestet etj). Të dëgjosh tjetrin është një art më vete, e jemi pak të mësuar që ta bëjmë këtë gjë. Por ama është një mrekulli, pasi edhe te personat që paragjykon se s’kanë asgjë për të të mësuar diçka e bukur del.
Sa e shëndetshme ka qenë kjo në rrugëtimin tuaj individual përgjatë cikleve të ndryshme të jetës?
Unë jam përpjekur të mësoj nga të tjerët gjatë gjithë jetës sime deri më tani. Jo gjithmonë ama kam pasur përvujtëninë e duhur ta bëj këtë gjë e nganjëherë jam treguar edhe dembel. Shpesh krenaria apo vetëmjaftueshmëria, sidomos ajo rinore, apo vetëkënaqësia intelektuale, nuk të lënë që tjetri të të bëhet mësues në njëfarë mënyre. Unë sigurisht që kam mësuesit e mi gjatë jetës sime, herë të mirë e herë të këqij, mësuesit e jetës e kam fjalën. Me kalimin e viteve dhe me pjekurinë, e sheh që, sa më shumë kalon koha, aq më shumë ke nevojë të mësosh nga të tjerët. Arti i të jetuarit është ai art që ka nevojë për mjeshtra e ata duhet të zgjidhen me kujdes, për arsye se jeta na jepet vetëm një herë. Ajo është një mundësi e vetme e për këtë mësuesit duhen zgjedhur me kujdes. Më së pari mësuesit, pra të tjerët, të mësojnë me dëshminë e jetës së tyre. Ne jemi të prirë drejt përngjasimit (imitimit) në veprime, më shumë se sa në fjalë. Në këtë kuptim unë kam pasur dëshmitarë të mirë në jetë që kanë ndikuar shumë tek unë. Mund t’ia nis që nga fëmijëria në familje e më gjerë në fshatin ku jam rritur. Gjyshërit dhe prindërit janë kontakti i parë me të tjerët përveç vetes sonë. Më vonë mësuesit në shkollë, por edhe shokët më të mëdhenj e kështu me radhë deri në ditët e sotme.
Cili ka qenë modeli ku ju keni përftuar më shumë në jetë?
Nuk ka një model të vetëm. Janë disa persona apo modele që kanë ndikuar tek unë. Gjyshi im ka qenë njëri prej tyre, ai i fillimit. Po ashtu edhe prindërit e mi, babai me forcën e karakterit e komunikimin me njerëzit e nana ime me butësinë dhe komunikimi brenda shtëpisë. Më pas, kam pasur profesorët dhe udhëheqësit e mi shpirtërorë. Kujtoj me shumë mall një prift në Itali me të cilin ende dëgjohemi shpesh, që ishte për mua modeli i një njeriu dhe intelektuali të mirë e të dashur. Më ka shoqëruar për tre vjet dhe më pas kemi vazhduar të dëgjohemi vazhdimisht. Më pas, me raste ka pasur edhe njerëz të tjerë të afërt apo më pak të afërt që më kanë dhënë shumë. Kujtoj tre vjet që kam qenë në Kamzë dhe sa shumë kam përfituar në ato vite nga burra e gra shumë të mençur dhe inteligjentë, që me atë çka thoshin e përfaqësonin më kanë bërë të zbuloj një pjesë të Shqipërisë e të karakterit njerëzor që më parë nuk kisha fort dijeni. E janë edhe modelet t’i quajmë historike që, për mua, janë persona që kanë ndikuar në historinë e njerëzimit sikurse janë Benedikti nga Norçia, Françesku i Asizit, Injaci i Loylës, apo modele më afër nesh si Nënë Tereza e Kalkutës, Mahatma Gandi, Martin Luter King, Gjon Pali II, Benedikti XVI apo Papa Françesku. Të gjithë këta e të tjerë kanë lënë gjurmë në formimin e personalitetit tim. Modeli i epërm i njeriut për mua mbetet Krishti, sidomos si shembulli më tërheqës dhe joshës i ushtrimit të dashurisë ndaj të gjithë njerëzve deri armiqtë e tij. Megjithatë duhet thënë se ato janë vetëm modele, të mësojnë diçka, por secili nga ne, unë Gjergji jam modeli i vetvetes, unik dhe i papërsëritshëm dhe në këtë botë do të hedh gjurmët e mia që janë vetëm të miat e kështu do të krijoj modelin tim. Është ai shestim, plan që Zoti ka mbi secilin prej nesh dhe është thjesht origjinal, i papërsëritshëm, as ka ekzistuar më parë e as nuk do të ekzistojë më kurrë një tjetër si unë.
Sa e vështirë është në kohët e sotme të përfitosh nga modelet?
Varet gjithnjë nga pika e referimit, nga modeli që zgjedh që të përshtatet më shumë, por që, sikurse e thashë më sipër, nuk mundet kurrë të zëvendësojë origjinalitetin. Njeriu duhet të priret drejt zhvillimit të origjinalitetit të vetvetes. Modelet na ndihmojnë, janë si shenja treguese në një rrugë që ama është vetëm e imja. Modelet pozitive, për një rritje të shëndoshë, janë gjithnjë të pranishëm në jetën tonë dhe nuk është e vështirë t’i njohësh. Vështirësia qëndron te vullneti për të përfituar prej tyre. Unë mendoj se në ditët e sotme, por ka disa dekada kjo gjë, madje edhe brezi im e më të vjetër se unë, në përgjithësi janë kapur pas modelesh të brishta pa shumë asht, por kalimtare dhe shumë sipërfaqësore. Sot p.sh. mbizotëron modeli i fitimit të lehtë, i njeriut të fortë. Kriminaliteti dhe korrupsioni para se të jenë fenomene sociale apo politike janë fenomene antropologjike dhe të rrënjosura në psikikën e njeriut. Korrupsioni është një rrugë e shpejtë për të arritur një qëllim. Nuk ka durim dikush të presë në radhë e atëherë korrupton ose bëhet kriminel kur dikush e pengon në arritjen sa më të shpejtë të qëllimit të tij. Apo akoma, modelet e sfilatave apo të show-ve televizive etj., me radhë. Janë të gjitha fenomene dhe modele të një kulture të cektë dhe sipërfaqësore e cila nuk ka rrënjë. Këto merren si modele. Por, modelet e mira ekzistojnë, ofrohen, mjafton të kesh vullnet të zgjasësh dorën.
Profili juaj është ai i një kleriku, sa e shëndetshme është feja në modelimin e një njeriu të devotshëm për shoqërinë e jo vetëm?
Feja e nënkuptuar si besim në Zotin është një instrument, ndërsa qëllimi është takimi me Zotin, dashuria për të. Në letrën e tij drejtuar Korintasve, Shën Pali thotë se: kur të takohemi me Zotin nuk do të ketë nevojë as për fe e as për shpresë, sepse në fund do të mbetet vetëm dashuria. Në këtë këndvështrim e shoh unë fenë, si diçka që më ndihmon të dua Zotin dhe njeriun më shumë. Nëse më pengon për këtë, atëherë ajo kthehet në një shkandull (skandalon, që nga greqishtja do të thotë pikërisht pengesë). Jeta shpirtërore është rrafshi njerëzor në të cilin gjërat marrin dritë dhe kuptim. Kur them shpirtërore kam parasysh të gjithë njeriun, trup, shpirt dhe psikikë. Nëse nuk jetojmë gjërat në një nivel të epërm, ato nuk kanë kuptim, zbehen dhe kthehen në monotone e të lodhshme. Feja ndihmon në rritjen integrale të njeriut. Po ashtu feja si religjion, pra si strukturë e organizuar, është edhe ajo një instrument në shërbim të jetës shpirtërore të njeriut, të rritjes së tij në besim, shpresë dhe dashuri. Atëherë ka shumë rëndësi nëse e shohim këtë religjion si instrumentum regni (mjet për të arritur dhe për të mbajtur pushtetin) apo instrumentum servitii (pra si shërbesë për rritjen e njeriut).
Sa e mundshme është të rrisim veten në marrëdhëniet e ndryshme që krijojmë gjatë jetës?
Marrëdhënia qëndron në themel të qenies në përgjithësi e aq më tepër të asaj njerëzore. Ne lindim nga një e tillë. Nga cilësia e marrëdhënieve varet cilësia e jetës sonë. Mund të themi: më thuaj çfarë marrëdhëniesh ke, të them çfarë jete bën. Në jetën time kam krijuar shumë marrëdhënie. Disa i kanë rezistuar kohës e disa të tjera jo. Nga disa prej tyre jam rritur e disa të tjera kanë ndikuar për keq tek unë. Megjithatë, i kam kërkuar gjithmonë marrëdhëniet me personat që unë mendoj se më ndihmojnë në rritje. Më të mirat kanë qenë ato ku ti ndihesh i barabartë me të tjerët, as inferior e as mbi të tjerët. Në këtë kuptim, unë kam një rreth miqsh, të martuar ose jo, e me familje shumë të shëndetshme me të cilët ndaj momente njerëzore shumë të bukura dhe që ndikojnë shumë në rritjen e pjekurinë time. Por, kam edhe marrëdhënie të tjera që e zbukurojnë jetën time, miq e shokë shumë të mirë.
Si mund të japim më të mirën për shoqërinë?
Është ana tjetër e monedhës, shumë e rëndësishme. Ne nuk jemi vetëm përfitues, marrës, por edhe kontribuues në shoqëri me modelin që ne krijojmë. Ne ndikojmë në shoqëri e atëherë ky ndikim duhet të jetë sa më i mirë dhe sa më pozitiv. Duke dhënë ama në të njëjtën kohë edhe marrim, pikërisht sepse jemi në marrëdhënie. Të japësh për shoqërinë është një përgjegjësi e çdo njeriu. Fatkeqësisht në këtë plan një individualizëm i tepruar dhe një ndjenjë frike apo dyshimi ndaj tjetrit na bën të mbrohemi e të mos japim gjithçka mundemi për të mirën e shoqërisë.
Botuar në revistën “Psikologjia”, nr.101
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.