Një shprehje e vjetër thotë që “në teori, teoria dhe praktika janë e njëjta gjë. Në praktikë, ato nuk janë”.
Pra, në teori, nëse ju punoni më shumë se tetë orë në ditë, produktiviteti juaj duhet të rritet në lidhje me orët ekstra – nëse ju jeni një robot. Por pjesa më e madhe prej nesh nuk janë robotë. Ne lodhemi dhe shpërqendrohemi dhe ritmi në punë ngadalësohet gjatë ditës. Disa studime të fundit kanë treguar se orët e gjata shkaktojnë ulje të produktivitetit.
Koncepti fillestar i ditës së punës ka pasur si pikënisje dritën natyrale të diellit – njerëzit punonin nga lindja e diellit në perëndim. Me shpikjen e dritës artificiale gjatë revolucionit industrial, pronarët e fabrikave patën idenë e madhe duke detyruar njerëzit të punonin më gjatë në një javë. Megjithatë, Henry Ford zbuloi se orët e gjata në punë nuk përkthehen në rritje të produktivitetit dhe vuri në zbatim orarin me 8 orë në ditë dhe në fund 40 orë punë në javë në fabrikat e tij.
Edhe sot e kësaj dite, ne përdorim këtë orar (ditor/javor) si model mendor dhe e aplikojmë këtë në një mjedis modern pune, dhe kjo është tërësisht e gabuar dhe kundërproduktive. Puna moderne (veçanërisht ajo që lidhet me dijen) nuk ka pse të bëhet në një vazhdimësi bllokuese prej 8-orësh.
Studime të fundit kanë treguar se ne jemi më produktivë me pushime të shpeshta dhe të gjata përgjatë ditës. Njerëzit që punojnë nga shtëpia dhe i caktojnë vetë oraret e tyre e dinë këtë gjë prej kohësh.
Koncepti i të punuarit për një kohë të shkurtër dhe menaxhimit të energjive tuaja në krahasim me kohën po fiton terren tek ekspertët e produktivitetit.
Çelësi është që ju të përqendroheni vërtet gjatë kësaj kohe të shkurtër dhe t’i mbani shpërqendrimet në minimum. Niseni me Pomodoro Technique*, pra 25 minuta punë dhe një pushim prej 5 minutash. Përdoreni pushimin e përcaktuar për të shpërblyer veten me shpërqendrimin tuaj të preferuar – rrjete sociale, YouTube, një kafe, apo një ecje jashtë. Më pas kthehuni dhe përqendrohuni. Kur merreni me një punë, mos bëni një pauzë deri sa ta ndjeni se e keni të nevojshme. Përqendrohuni në punën që keni në dorë dhe rezistoni që të kontrolloni email-in, të përgjigjeni në telefon, si dhe ndaj shpërqendrimeve të tjera. Me kalimin e kohës, me këtë teknikë, produktiviteti juaj do të rritet.
Ju do të kuptoni se kjo do t’ju bëjë më produktivë pa qenë e nevojshme të punoni për orë ekstra dhe të punuarit me orë të gjata nuk është e nevojshme. Përdorni përfitimet e produktivitetit për të kaluar sa më pak orë në punë dhe më shumë kohë duke jetuar jetën.
Orët suplementare në punë për një kohë të shkurtër janë OK. 70-80 orë në javë në mënyrë të vazhdueshme është e dëmshme. Nëse ende doni të punoni disa orë më shumë, duhet të kuptoni shenjat e ezaurimit dhe lodhjes dhe të siguroheni se në të vërtetë këto orë janë produktive dhe jo vetëm një kohë e kaluar në tavolinën tuaj të punës për të bërë përshtypje të mirë në sytë e drejtuesve tuaj.
Si një ish-mjek i ndihmës së shpejtë, njoh shumë njerëz që kanë pësuar infarkte të hershme dhe kanë pasur probleme në shëndet për shkak të stresit në punë. Por gjatë punës sime nuk kam takuar askënd që në momentet e fundit të jetës të ketë dashur të kalonte më shumë orë në punë.
Pomodoro Technique* është një metodë e menaxhimit të kohës, e zhvilluar nga Francesco Cirillo në fund të viteve ‘80. Teknika përdor një timer për të ndarë kohën në punë në intervale, tradicionalisht 25 minuta punë dhe 5 minuta pushim. Koha gjatë së cilës punoni për 25 minuta quhet Pomodoro (nga italishtja do të thotë domate). Francesco Cirilo përdorte në kuzhinë një timer në formën e domates dhe nga kjo e ka marrë emrin metoda e tij. Pas 4 “pomodoros” (100 minuta punë dhe 15 minuta pushim) ju mund të bëni një pushim më të gjatë 15-20 minuta.
*Bernie Klinder
Burimi: INC/Monitor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.