Kanë 28 vite bashkë, që prej njohjes së rastësishme apo deri diku me dashje, në Qytetin Studenti. Ai nga Tropoja, ajo nga Dibra. Donika dhe Besnik Mustafaj, në rrëfimin e tyre për jetën e përbashkët, i mëshojnë idesë se njeriu është qenia më e mistershme, se një mashkull dhe një femër mbartin sinjale të pashpjegueshme për njëri-tjetrin dhe… tërheqja është edhe pasojë e kuriozitetit që ata ngjallin…
Besnik Mustafaj
Në formë postulati: ç’është gruaja për ju?
Ka shumë postulate të formuluara nga të tjerët. Unë nuk e kam një të tillë. Di se jeta ime do të ishte ndryshe pa ekzistencën e femrës pranë meje që në adoleshencë. Nuk e di si do të kishte qenë ajo jetë, nuk jam në gjendje ta përfytyroj, por jam i sigurt se do të kishte hapësira të mëdha të shkreta.
Si duhet të jetë një grua që të tërheqë vëmendjen tuaj?
Për mashkullin, që është brenda meje dhe në shikim të parë, ajo duhet të jetë doemos e bukur. Koncepti për bukurinë femërore, pastaj, është temë më vete. Gjithsesi, edhe kur flasim për shikimin e parë, ka rëndësi themelore për mua mënyra si e pohon prezencën e vet femra.
Shpesh, në rininë e hershme, njerëzit kanë modele imagjinare për gruan e jetës. Cili është rasti juaj?
Nuk kam pasur model. Por tani, në mënyrë retrospektive, mund të them ndoshta se aspekti familjar tek femra që do të ishte zonja e shtëpisë sime, ka qenë i domosdoshëm.
Sa ngjan gruaja juaj me nënën tuaj…
Fizikisht jo, vërtet, Dona nuk i ngjan fare nënës sime. Por mund të përmend një ngjashmëri, të cilën unë sigurisht që s’kam qenë në gjendje ta pikas në fillimet e lidhjes sonë: aftësia për të qenë shumë e vëmendshme për familjen, autoriteti i natyrshëm mbi djemtë dhe mbi mua…
Çfarë vjen pas pasionit, në një marrëdhënie burrë-grua? Sa gjatë reziston ajo?
Lidhjes martesore nuk i mjafton pasioni. Pjesa seksuale është sigurisht e domosdoshme, por mirëkuptimi seksual nuk është domosdo pasion. Përvoja më lejon ta them se një lidhje martesore, nëse fillon vetëm me pasion, vështirë të zgjasë. Lidhja martesore është më e stërholluar, sidomos kur në themel ka dashurinë, dhe e tillë ka qenë qysh kur ka lindur njerëzimi.
Çfarë keni marrë nga njëri-tjetri?
Nuk e kemi bërë ndonjëherë inventarin, por nuk do mend se kemi marrë e dhënë shumë njëri me tjetrin. Unë për vete jam bërë familjar. Ky është ndryshim themelor. Qysh në gjimnaz poezia nisi të bëhet qendrore në preokupimet e mia, jo thjesht si trill i moshës, por si qëllim jete. Mandej një shkrimtar është bohem, të paktën unë kështu e përfytyroja shkrimtarin në rininë time të parë, njeri i padisiplinuar, i parregullt me jetën e tij, që përmban gjithsesi në vetvete një dekadencë. Porse nuk u bëra i tillë.
Që një burrë e një grua të rrinë bashkë duhet të jenë të njëjtë, apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?
Nuk besoj se ka rregull në këto punë. Çdo përpjekje për ta futur në një rregull e varfëron jetën, i largohet së vërtetës.
Gruas në të gjitha kohët i është veshur imazhi i qenies së mistershme…
Misteri më i madh i globit është njeriu vetë, është jeta. Por gruaja e ka marrë me kohë “monopolin” e misterit, pse të tillë e kanë përshkuar kontaktin me të burrat, të cilët edhe në numër kanë qenë ku e ku më të shumtë se gratë që kanë shkruar për dashurinë. Po më vjen ndër mend se qysh në Dhjatën e Vjetër, madje në Zanafillë, pra në kapitullin e parë, thuhet “Atëherë Jakobi puthi Rakelën, ngriti zërin dhe qau”. Është shprehur në mënyrë madhështore tronditja që pëson burri tek ndjen brenda vetes vrundujt e pashpjegueshëm që i shkakton kontakti mishnor me feminilitetin. Nuk mund të ishte gjë tjetër veç magji, mister. Dhe kështu ka vazhduar të jetë deri në ditët e sotme, kur fjalën për të treguar ç’ndodh midis të dyve e kanë burrat. Sepse, kur shkruan një grua, për shembull Kethrin Mensfild, femra nuk paraqitet më si mister. Shkurt, misteri ngjall adhurim dhe kjo tregon se, përtej retorikës, burri e ka adhuruar femrën. Unë e pranoj se jam një nga këta burra. Nga ana tjetër, jam po ashtu i bindur që dhe burrat mbajnë po aq mister brenda vetes. Sepse femrat nuk dashurohen me statuja.
Si janë rolet që luani në shtëpi ju dhe gruaja juaj?
Vetë angazhimet që ka njëri dhe tjetri jashtë shtëpisë, ndikojnë në përballimin e punëve brenda në shtëpi. Gjithsesi, familja ime është tradicionale. Dhe, për koincidencë, Dona gjendet në të njëjtat rrethana si nëna ime: në një familje meshkujsh, unë, babai im dhe dy djemtë. Katër meshkuj me një femër. Ajo është strumbullari. Të gjithë përpiqemi si e si t’ia lehtësojmë barrën sadopak. Por, në atë pjesë ku ajo do ta dëshmojë doemos dashurinë për ne të katërt, që është kuzhina, nuk na lejon shumë të përzihemi. Ne jemi mësuar. Por ka punë që i bëjmë. Unë, bie fjala, di të gatuaj, por më jepet shumë rrallë leja. Në shtëpinë tonë nuk është parë asnjëherë se kush sjell më shumë apo më pak të ardhura. Kjo ka krijuar një ndjenjë barazie në familje. Buxhetin e ka mbajtur dhe e mban gruaja ime.
Një burrë, përballë sakrificave të gruas ndihet i përkëdhelur, apo e sheh sakrificën si detyrë të pashmangshme bashkëshortore?
Zakonisht për sakrifica flasin gratë, të cilat nuk ndjehen me mungesa në aspektet e tjera të jetës familjare e ku më kryesori është afeksioni, respekti. Ankesa e tyre, them unë, shkon përtej lodhjes fizike nga punët në shërbim të familjes.
A sakrifikon një burrë?
Unë sakrifikoj për një shok, një të afërm, por për prindërit, gruan dhe fëmijët e mi në të gjitha rastet vetëm përmbush detyrimet.
Sa i vëmendshëm jeni ndaj vogëlimave, të cilat rëndom gratë i vlerësojnë?
E sigurt është që Dona është më e vëmendshme. Tani që janë rritur djemtë, më kanë bërë dhe mua pak më të vëmendshëm ndaj atyre që ju po i quani vogëlima. Por, nuk shquhem… Ky është një defekt i imi, të cilin Dona, për fatin tim të mirë, e ka pranuar me kohë.
Çfarë dhuroni zakonisht për ditëlindje, e çfarë merrni?
Veshje nuk dhuroj, sepse është Dona që zgjedh edhe të miat. Ajo ka pa dyshim shije më të stërholluara se unë. Dhuratat për raste solemne, siç janë ditëlindjet, i zgjedhim zakonisht me djemtë. Sidomos i vogli, Andi, di ta bëjë shumë mirë këtë gjë.
Donika Mustafaj
Në formë postulati: ç’është burri për ju?
Bashkëshorti për mua është gjithçka. Është personi më i dashur që kam. Plotësuesi im, sepse mendoj se një burrë dhe një grua gjatë gjithë jetës plotësojnë njëri-tjetrin, pavarësisht se shpeshherë secili prej të dyve ka prioritetet dhe ambiciet e veta. Kjo, edhe në rastin e çiftit tonë.
Si duhet të jetë një burrë që të tërheqë vëmendjen tuaj?
Duhet të jetë i mençur. Këtu kam parasysh edhe aftësitë e tij për të menaxhuar situatat e ndryshme që dalin para në jetë, dëshirën për t’i gjetur zgjidhje gjithçkaje. Pamja e jashtme tek një mashkull kurrë nuk më ka tërhequr, edhe pse Besniku ka qenë një djalë i pashëm gjatë periudhës kur ne u njohëm dhe i lakmuar nga shumë femra të tjera. Nëse një burrë do të ishte shumë i bukur dhe aspak i zgjuar, nuk do më tundonte. Ishte fat për mua që tek Besniku i gjeta të dyja këto cilësi. Përpos kësaj, ai dallonte edhe për delikatesën e pashoqe dhe për mënyrën e zgjedhur të të shprehurit. Në ato vite kishte meshkuj që të drejtoheshin dhe të thoshin: “Unë të dua”. Ishte krejt e paimagjinueshme kjo gjë. Ky detaj tek Besniku ishte ndryshe. Ai m’i shprehu ndjenjat duke më thënë thjesht: “Kam simpati për ty”. Ne qëndruam rreth një vit bashkë, pa u treguar familjeve, deri sa vendosëm të fejoheshim.
Shpesh në nënvetëdijen e një vajze të re ekziston një model virtual për burrin e jetës. Po te ju?
Nuk kam ecur kurrë me modele. E kam marrë jetën ashtu siç më ka ardhur. Kjo edhe në zgjedhjen e partnerit të jetës. Në kokën time nuk kisha asnjë ide të qartë, thjesht dëshiroja që të kishte disa cilësi. Një mashkull apo femër nuk është asnjëherë qenie e përsosur. Mjafton që virtytet dhe cilësitë kryesore të jenë ato të duhurat, pastaj gjatë jetës ndodh edhe procesi i përshtatjes. Por, nëse një burrë ka zgjuarsinë, mendoj se i ka të gjitha. Ai di të sillet, të komunikojë, të krijojë raportet e duhura me njerëzit etj.
Për të qëndruar edhe pak te modeli: djemtë kërkojnë tiparet e nënave te gratë, ashtu si vajzat kërkojnë figurën e baballarëve (pak a shumë). Dëshironi ta kundërshtoni?
S’kam kërkuar kurrë që im shoq të kishte tipare të njëjta apo disa të ngjashme me tim atë. Nëse bëj një krahasim sot mes dy personave më të dashur në jetën time, konstatoj se babai im ka qenë njeri më i drejtpërdrejtë, ndërsa Besniku është më i përmbajtur…
Çfarë vjen pas pasionit, në një marrëdhënie burrë-grua? Nga se varet jetëgjatësia e marrëdhënies? Ç’ofron përvoja juaj?
Çdo grua duhet të shohë brenda vetes në mënyrë kritike. Duke bërë këtë, ajo e mban edhe pasionin gjallë, edhe emocionin të fortë, sepse reagon në funksion të kësaj. Gjatë ditës, shpesh më ndodh të mendoj se çfarë do i pëlqente më tepër tim shoqi, çfarë do ishte më mirë për familjen, reflektoj duke qenë gjithmonë grua dhe duke mbajtur pozicionin që kam, por edhe duke shpikur diçka interesante për të mbajtur gjallë pasionin dhe jetën në çift. Respekti, mirënjohja kanë ekzistuar kurdoherë në marrëdhënien tonë. Ndoshta tingëllon e çuditshme, por të vetmet zënka që ne kemi janë ato për konsumimin e tepërt të duhanit nga ana e Besnikut. Kjo harmoni mendoj se është meritë e tij, por edhe e imja që jam përshtatur.
Që një burrë e një grua të rrinë bashkë duhet të jenë të njëjtë? Apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?
Nuk ka nota absolutizmi në këtë pikë. Për mua, në një çift, nëse nuk ekziston ndjenja e fortë, të gjitha ngjashmëritë rrëzohen. Ne të dy edhe ngjasojmë edhe jo. Unë jam më e drejtpërdrejtë, Besniku është më i matur. Ai nuk mërzitet kollaj, unë po… por nuk e mbaj gjatë inatin. Në këto 30 vite së bashku, kemi marrë e dhënë shumë nga njëri-tjetri. -Gruas, në të gjitha kohët, i kanë veshur imazhin e qenies së mistershme. A jeni ndjerë misterioze, enigmatike, e pakuptueshme për burrin tuaj? Po, besoj që kam qenë edhe enigmatike. Sepse gjykoj që misteri e tërheq tjetrin. Besniku ndoshta shumë gjëra ende nuk i ka zbuluar tek unë, sepse nëse kjo ndodh, atëherë çfarë do të mbetej më pas…
A ndryshon gruaja në këndvështrimin e burrit pasi ajo është bërë nëna e fëmijës së tij?
Për herë të parë jam bërë nënë në moshën 24-vjeçare dhe kam konstatuar se dozat e dashurisë së Besnikut janë shtuar edhe më tepër ndaj meje dhe djalit.
Si janë rolet që luani në shtëpi ju dhe bashkëshorti juaj? Sa tradicionale është familja juaj?
Unë nuk kam turp të them që jam një grua tradicionale. Jemi rritur me këtë model, dua apo nuk dua unë. Me rritjen e fëmijëve jam marrë unë. Sepse nëse do të zgjidhja që Besniku të harxhonte kohë duke i larë fëmijët, apo duke i ndërruar ata, nuk do të kishte kohë për t’u ulur mbi fletën e bardhë… e pastaj ç’vlerë do kishte! I mora përsipër pjesën më të madhe të këtyre punëve, për t’i lënë kohë atij të shkruante. Për mua, kjo zgjedhje ishte e vetëdijshme dhe plot dëshirë.
Sakrificat e një gruaje për burrin janë detyra të pashmangshme…
Zgjedhjen time nuk e quaj sakrificë. Pastaj është roli i mëmësisë që ndërmerr çdo femër kur bëhet nënë. Nga ana tjetër, megjithëse Besniku ka pasur gjithmonë një jetë të ngarkuar me punë, me lëvizje jashtë shtetit, karrierë politike, sërish ai kur vinte në shtëpi merrej me djemtë, i shëtiste, i çonte në Teatrin e Kukullave…
Çfarë do të thoshit për pikat e përkimi profesional në një çift. Është mirë të jenë, apo përkundrazi, diskutimet e punës, sidoqoftë, duhen lënë jashtë derës së shtëpisë?
Në shtëpi, ne të dy nuk flasim kurrë për problemet dhe çështjet e punës. Besniku futet në shtëpi, mbyllet dera dhe jashtë saj qëndrojnë të gjitha diskutimet politike. Prioritet janë familja, fëmijët.
Sa i vëmendshëm është burri juaj ndaj vogëlimave, të cilat rëndom gratë i vlerësojnë? A merrni dhurata? A bëni?
Ne të dy nuk jemi çifti i dhuratave materiale dhe atyre të kushtueshme. Nëse dhurojmë diçka, ajo duhet të mbartë një simbol në vetvete. Një grua e di farë mirë sesi të bëjë të lumtur një mashkull, jo vetëm nga ana materiale. Nuk i harroj kurrë urimet për ditëlindje, të Besnikut dhe të djemve.
Çfarë dhuroni zakonisht për ditëlindje? Çfarë merrni dhuratë?
Në rastin e fundit, për ditëlindjen e djalit të vogël, unë dhe im shoq i dhuruam atij një filxhan porcelani të deformuar, ku shkruhej: “Të duam me gjithë defektet që ke!” Sepse ai është pak natyrë çapkëne. Ato që unë marr në raste festash janë lulet, gati i adhuroj.
Thuhet se… shekulli XXI është shekulli i grave…
Unë nuk jam feministe dhe nuk i pëlqej ato që janë, për të qenë e sinqertë. Roli i gruas duhet të jetë më i madh, sepse këndvështrimi i një femre dhe i një mashkulli janë të ndryshëm, nuk mund të barazohen. Gruaja duhet të luftojë, ta kërkojë vendin që i takon. Sigurisht, ne jemi ende një shoqëri maskiliste, por gjërat do të ndryshojnë me kohën. Gratë kanë kapacitete të mëdha për gjithçka.
Botuar në revistën Psikologji, nr.39
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.