Lifestyle

July 5, 2017 | 10:27

“Dora tjetër”, një rrëfim intim i domethënies së migrimit

Ky roman tregon se si “tjetri” nuk është thjesht një i njohur apo një fqinj, “tjetri” mund të jetë çdokush, edhe një komb i tërë, në përpjekje për t’u çliruar nga kthetrat e çnjerëzores.

“Dora tjetër” është rrëfimi me dy zëra i jetëve të ndërthurura të një refugjateje nigeriane dhe një kryeredaktoreje të një reviste britanike. Bletëza, refugjatja nigeriane, sapo ka dalë nga qendra e paraburgimit për imigrantët e paligjshëm, ku ka jetuar në kushte të vështira për dy vjet. E vetmuar në një vend të huaj, pa miq e pa para, ajo vendos të kërkojë mbështetjen e së vetmes vendase që njeh. Sara është një nënë e re e moderne, kryeredaktore, një fragment i së kaluarës të së cilës lidhet me Bletëzën.

nigeria

Para disa vitesh ato janë takuar, rastësisht, në një plazh në Nigeri, ku Sara po kalonte pushimet me të shoqin, në një përpjekje për të shpëtuar martesën e tyre. Ajo që ndodhi në atë plazh, jo vetëm i shkatërroi përfundimisht, por shndërrohet në një makth që kthehet në jetën e tyre papritur, në çastin kur Bletëza i merr në telefon.

Ky roman paraqet një dramë personale, njerëzore dhe shoqërore që ka ndodhur e do të vazhdojë të ndodhë për sa kohë në botë ka varfëri, padrejtësi e luftë. E megjithatë, ai lexohet edhe si një rrëfim intim i domethënies së migrimit, mallit, frikës dhe etjes për liri. Ndër të tjera, romani ilustron përmasën gjithëpërfshirëse të statusit të refugjatit; sesi ai i rrafshon të gjitha dritëhijet e një jete dhe sesi ky rrafshim e shndërron individin në një dokument, në një fije të bardhë letre me shkrim të zi, e cila vërteton, pa dyshimin më të vogël, nëse ai individ ka të drejtë të ekzistojë apo jo. Në përballje me këtë shpërfytyrim të individit, autori shtron pyetjen: sa nga ne, mendjehapurit e shpirtgjerët, do të shtrinin një dorë?

bee

Kritika

Në një botë plot me turpe dhe padrejtësi, zgjedhjet e guximshme dhe instinktive të personazheve sfidojnë dëshpërimin e pashmangshëm, duke shndërruar një roman politik në një histori triumfuese, prekëse dhe njerëzore. – The New York Times

“Dora tjetër” është nga lloji më i mirë i romaneve politike: je pothuajse tërësisht i pandërgjegjshëm për politikën në të, pasi ky libër nuk ka të bëjë me gjëra abstrakte, por me qenie njerëzore. – The Washington Post

“Dora tjetër” është një kalërim ambicioz dhe guximtar nga xhungla e Afrikës, te një takim tronditës në një plazh, te disa zyra mediatike në Londër dhe te jeta shtëpiake në rrethinat e saj të gjelbra. Pjesërisht thriller, pjesërisht një sagë multikulturore, ky libër i kredh personazhet e tij në çështje si migrimi, globalizimi, dhuna politike dhe përgjegjësia personale. – The Guardian

Përveç dialogëve me një zgjuarsi të mprehtë, një fabule të ngarkuar me emocione dhe betejave etike të personazheve tejet të gjalla, “Dora tjetër” paraqet edhe një sfidë për të ripërtërirë pikëpamjet tona rreth mirësjelljes njerëzore. – The Independent

chris* Chris Cleave është shkrimtar dhe opinionist britanik. Romani i tij i parë, “Incendiary”, u botua në njëzet vende të botës dhe u përshtat për kinemanë në një film me aktorët Michelle Williams dhe Ewan McGregor. Romani fitoi çmimin Somerset Maugham Award dhe arriti ndër finalistët e çmimit Commonwealth Writers’ Prize.

Romani i tij i dytë, “Dora tjetër”, arriti ndër finalistët e Costa Book Awards, rezultoi një nga librat më të shitur të vitit sipas New York Times-it dhe do të përshtatet për kinemanë në një film me Nicole Kidman.

Fragment nga libri

… ju kërkoj menjëherë të bini dakord me mua, ju lutem, se një shenjë nuk është kurrë e shëmtuar. Ja, damkosësit kështu duan që të mendojmë ne. Por ju dhe unë duhet të bëjmë një marrëveshje për t’i sfiduar ata. Ne duhet t’i shohim të gjitha shenjat si bukuri. Mirë? Ky do të jetë sekreti ynë. Sepse, ta keni prej meje, shenja nuk krijohet tek i vdekuri. Shenja do të thotë: “Mbijetova”.

 

pegi-dora-tjeterTitulli: Dora tjetër

Autor: Chris Cleave

Përktheu: Alina Karaulli

Gjinia: Roman

Shtëpia Botuese: PEGI

Çmimi: 1000 lekë

Koleksioni Mozaik

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top