“Mendimet janë të fuqishme, dhe në atë që përqendrohemi, edhe ajo do të rritet”.

Msc.Doruntina Grulaj
Miliona njerëz në gjithë botën vuajnë nga ankthi derisa tek disa mund të jetë më lehtë i përballueshëm. Ankthi është një ndjenjë e përgjithshme, frikë shpesh ndaj një rreziku të panjohur, jo real dhe të padukshëm. Ankthi mund të zgjasë pak, dhe në situata të veçanta. Por ai, mund të bëhet edhe kronik, me shqetësim të ekzagjeruar, të pakontrolluar. Ankthi mund të bëhet aq i theksuar sa të krijojë vështirësi në familje, punë e shoqëri.
Mund të cekim se ankthi është një term i përgjithshëm për disa çrregullime që shkaktojnë nervozizëm, frikë dhe shqetësim, i cili vjen në shumë forma, por të gjitha llojet e ndryshme shpesh kanë karakteristika themelore. Sikur edhe problemet e tjera të shëndetit mendor, ashtu të gjithë përjetojnë ankthin herë pas here. Andaj nuk duhet të hezitojmë të kërkojmë ndihmë nga miq tanë apo edhe mjekët.
Këto çrregullime ndikojnë si ndihemi apo si sillemi. Ankthi i butë është më pak shqetësues, kurse ankthi i rëndë ndikon seriozisht në jetën tonë të përditshme, dhe vjen si reagim ndaj stresit.
Shoqata Psikologjike Amerikane (APA) e përcakton ankthin si “një emocion të karakterizuar nga ndjenja të tensionit, mendimeve të shqetësuara dhe ndryshimeve fizike si rritja e presionit të gjakut”. Kështu shqetësimet rrotullohen rreth punës, parave, jetës familjare, shëndetit dhe çështjeve të tjera që na mundojnë. Ankthi shpesh shoqërohet me simptoma të njëjta si: paniku, probleme me gjumin, marramendje, frymëmarrje e shkurtër, përvoja e mbytjes, ndjenjë frike, parehati, tensionim të muskujve, dhimbje të butë, lodhje, ju duket sikur nuk po ndiheni mirë me shëndetin tuaj, nuk ju mban një vend, dëshironi të lëvizni. Kurse ata të cilët e kanë ankthin të lidhur me ndjenjën e perfeksionit, përgjithësisht kanë pritshmëri aspak realiste në lidhje me jetët e tyre. Sipas Psychology Today, ekziston një trekëndësh vicioz mes perfeksionizmit, ankthit dhe depresionit. Kjo është praktikisht, paaftësia për të përfunduar një detyrë pasi kërkohet vazhdimisht që të jetë përfekte.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.