Në fokus

April 8, 2020 | 8:05

Doruntina Grulaj: “M’u bë jeta nyje”, nëse të mundojnë këto ditë izolimi, më beso do e kuptosh më vonë sa të domosdoshme i ke pasur

 

Dëgjoj pothuaj për çdo ditë një shumicë njerëzish që thonë: “kjo koha e tanishme që po jetojmë dhe mënyra si e kalojmë na është bërë shumë e rëndë”, për të vetmin fakt që janë të mbyllur në shtëpi, nuk shkojnë në punë dhe nuk po mund të lëvizin. Besoj që secili nga ne e di që gjithçka ndodh më së paku për një arsye! E tani ju lutem të shohim një këndvështrim tjetër dhe të jemi falënderues për krejt çfarë jemi dhe kemi.

Msc.Doruntina Grulaj

Msc.Doruntina Grulaj

-A keni menduar ndonjëherë se do i jetonim këto ditë? E di, sigurisht që jo!

-A keni menduar se këto ditë disa i shohin si jetë të “pajetuar” e quajnë disa, do thoja ata që jetojnë të mbyllur si ne, siç po jetojmë tani. Eh! Ata po aq habi bëjnë me ne, pse e quajmë si të tillë këtë periudhë.
Ne brengosemi se mbetëm brenda të izoluar, por po i sëmuri që nuk mund të lëvizë e ka muaj i shtrirë në spital, po invalidët që nuk mund të lëvizin e qëndrojnë pothuaj shumicën e kohës vetëm në shtëpi (brenda vetëm në një dhomë), të burgosurit me apo pa faj, e që përveç një hapësire të kufizuar nuk mund të lëvizin më shumë, po të vetmuarit që nuk kanë njeri tjetër në shtëpi, po ata që vuajnë nga depresioni që edhe ditët me diell ndonjëherë nuk i duan, edhe momentet e lumtura ndodh që nuk dinë t’i gëzojnë, e të verbërit që duan të shohin natyrën si ndryshon me stinët…

2Fundja edhe ne që punojmë jemi të mbyllur në objektet dhe vendet e punës, ndoshta me më shumë se 8 -10 orë, të duket e rëndë kjo?! S’do mend se është e rëndë, por vlen, sepse duhet punuar dhe jetuar, e këtë #rrinështëpi mos e merr si të rëndë se do bësh çfarë të dojë qejfi ( brenda mundësive shtëpiake), mjafton të pushosh e do flesh më shumë se kurrë më parë, dhe s’do kesh alarm të paktën për pak ditë ose javë, me shpresën se gjithmonë do gëzosh edhe një mëngjes, e ndihuni të lumtur për çdo ditë që hapni sytë…
Kjo kohë që jemi duke jetuar, duhet vërtet ta ushqejmë mendjen dhe zemrën me gjëra të tjera e jo me ankesa, ta jetojmë të tashmen, mos t’ia lejojmë vetes mërzinë e të ftojmë stresin, ankthin, frikën veç pse janë falas (gratis). Nuk kemi nevojë, as s’do na duhen kurrë, edhe sikur të ishin me pagesë e të kishim mundësinë për t’i blerë.

Tani duhet të fokusohemi, të mos mendojmë negativisht thellë e gjatë dhe të lodhim mendjen, sepse në ditët që do i kthehemi rutinës që kemi bërë secili prej nesh. Jemi të bindur se po atë dinamikë do kemi, po at stres e lodhje do na ofrojë jeta, mos më shumë, prandaj mundohuni të shijoni këto ditë, të relaksoheni, sepse ata që tani më së shumti po lodhen e nuk po ankohen kurrë, e aq më pak, po mundohen të na bëjnë qejfin janë prindërit tanë, motrat, vëllezërit, që ndoshta edhe po i bezdisim me kërkesa e preferenca tona dhe ata nuk po ngurrojnë, për çudi asnjëherë nuk u lodhën. Prandaj nëse dikush thotë:
“Ju bë jeta burg dikujt”, dil shih te burgu!
“Ju bë jeta nyje dikujt”, shih tek nyjet!
“Ju bë jeta e mërzitur brenda”, dil e shih dikë që nuk ka strehim, s’ka vend ku të hajë, ku të pijë, as ku të flejë, as ku të rrijë, e ndoshta edhe në pamundësi që të ushqehet.
Nëse të mundojnë këto ditë izolimi, më beso do e kuptosh më vonë sa të domosdoshme i ke pasur, e sa punë të janë lehtësuar, e sa të këqija do i kesh larg, e sa sfida tjera do jesh i/e përgatitur t’i kalosh.

Ndoshta kjo se çfarë po i ndodh tani gjithë globit, disa teoricienë mund ta quajnë: e gjitha kjo situatë, kjo pandemi Covid 19 është çështje politike, përfituese, shpërqendrim i mendjes së qytetarit të globit, kurse në aspektin fetar është sinjal nga Zoti, se bota ka marrë rrjedhë tjetër, njerëzimi po shkon drejt shkatërrimit…

E them qoftë nga dora e njeriut, padyshim Zoti ka për të na ruajtur e të keqen ka për ta ndaluar, kurse qoftë nga Zoti prapë nuk kam as dyshimin më të vogël se Ai ka për të na ndihmuar, sikur  jemi sprovuar e na ka ndihmuar në momente që kemi menduar se më vështirë s’bëhet.

Prandaj t’i gëzohemi këtyre ditëve që kemi, të bekuara qofshin, dhe mos të harrojmë se e keqja nuk ka fund, ashtu sikurse e mira. Gëzojeni çdo ditë të jetës dhe mos harroni, përmbajuni thënies së bukur “Duajeni dhe ruajeni veten, mos pritni nga askush që ta bëjë për ju” dhe “Duajeni dhe ruajeni veten që t’ju duan e t’ju ruajnë të tjerët!”

Të jemi sa më shumë pozitiv thellë brenda vetes, të kemi besimin se gjithçka çfarë kalojmë janë vetëm momente kalimtare që na sjell jeta, e ne duhet gjithmonë të buzëqeshim. Kështu edhe momentet qofshin nga më të vështirat, bëhen fare të lehta.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top