Pika referimi

August 24, 2020 | 10:06

Dr. Besnik Jakaj: Ja kalvari i tmerrshëm e torturues që kalojnë qytetarët shqiptarë të infektuar me Sars Covid-2, Covid-19

Qytetarët shqiptarë sipas protokolleve të përcaktuara nga MSH nëse kanë shqetësime të ngjashme me simptomat e Covid-19 duhet të telefonojnë nr. 127 që është urgjenca kombëtare.

besnik-jakajQytetari telefonon 127, nga urgjenca marrin përgjigjen standarde rri në shtëpi dhe komuniko me mjekun e familjes.

Qytetaret telefonojnë mjekun e familjes, mjeku me të drejtë kur dyshon për diagnozën suspekt: Sars Covid-2, i njofton se duhet bërë tamponi, scaneri pulmonare, analizat biokimike në mënyrë që të vendosin diagnozën e saktë dhe të fillojnë mjekimin përkatës.

Sigurisht që kjo është gjëja e duhur profesionale e shkencore për të vendosur terapinë dhe mënyrë e trajtimit në kushtet e shtëpisë apo hospitalizimin e pacientit.

Qytetari në bashkëpunim edhe me mjekun e familjes telefonon përsëri 127 dhe kërkon të bëhet tamponi, pasi këtë kërkon edhe mjeku i familjes, 127 përgjigjet qëndroni në shtëpi, pini paracetamol e vitaminë C dhe do vijmë e të marrim tamponin.

Në rastin më të mirë për 3 deri ne 5 ditë punonjësit e shëndetësisë paraqiten për t’i marrë tamponin qytetarit, ndërkohë në shumicën e rasteve gjendja shëndetësore e pacientit vazhdon e rëndohet.

Më në fund merret tamponi, qytetari pret përgjigjen e cila vonon gjithashtu 3 deri në 5 ditë të tjera.

E kështu për 6 deri në 10 ditë vazhdon kalvari i të gjithë qytetarëve që i zë ky hall.

Nga ana tjetër në shumë raste gjendja shëndetësore, psikologjike e për pasojë edhe ajo imunitare vijnë dhe përkeqësohen, ndërkohë virusi gjen terrenin e përshtatshëm për të përparuar në organizmin e të infektuarve.

Kjo është me kuptimin e plotë të fjalës aleancë me virusin. Ata që kanë fatin e mirë në përgjigje imunitare të fortë dhe reagim të mirë nga mjekimi e kalojnë pa pasoja dhe bëhet ritestimi pas 14 ditëve nga dita që ka rezultuar tamponi pozitiv, që detyrohen të presin edhe për 4 deri në 6 ditë të tjera pë të marrë përgjigjen e ritestimit, në mënyrë që të quhen të shëndosh dhe të lirë për të vazhduar jetën normale.

Pra ky kalvar zgjat rreth 30 ditë për ata që janë me fat të mirë e organizëm rezistent.

Pjesa tjetër përfundojnë në spitalet Covid në reanimim apo intubim dhe kryesisht si pasojë e vonesave të jashtëzakonshme të lartpërmendura.

Të sëmurët e hospitalizuar në spitalet Covid janë një kalvar tjetër vuajtje e dhimbje për ata dhe familjaret e tyre.

Jam shprehur disa herë e nuk po ndalem as tani, kjo situatë keqmenaxhimi ka bërë që qytetarët të humbin totalisht besimin në institucionet shëndetësore publike.

Qytetarët që kanë mundësi ekonomike kanë kohë që po e zgjidhin këtë hall në mënyrë private duke u diagnostikuar në kohë e për pasojë duke u mjekuar në kohë në kushtet e shtëpisë.

Por duhet përmendur që shumica e qytetarëve shqiptare nuk e kanë këtë mundësi, pasi ka një kosto mjaft të lartë.

Për kujtesë dhe thirrje për qeverinë që të marrë masat sa më shpejt, po bëj një përllogaritje të thjesht të kostos së diagnostikimit dhe mjekimit për një person të prekur me Covid.

Tamponi 100 euro, skaneri 100 euro, analizat biokimike që do kontrollohen dy deri në tre herë mbi 100 euro, përcaktimi i diagnozës minimalisht kushton 300 euro.

Terapia bazë e trajtimit të Sars Covid-2 konsistonte kryesisht në kombinimin e barnave të mëposhtme, por kuptohet në varësi të simptomave, gjendjes, sëmundjeve të tjera të mbivendosura dhe analizave biokimike;

Antiviral, antibiotik, antikoagulant, kortikosteroide, vitamino terapi etj.

Në varësi edhe të nevojës së kohëzgjatjes së trajtimit minimalisht ka kosto 300 euro.

Sigurisht që trajtimi në kushtet e shtëpisë kërkon edhe pajisje mjekësore si, glukometër, oksimetër, aparat tensioni, termometër, në shumë raste edhe aparat oksigjeni, kostoja minimale e tyre shkon 400 euro.

Ky trajtim sigurisht kërkon edhe personel shëndetësor në mënyrë të vazhdueshme që përsëri do e sigurosh vetë.

Në total ky trajtim në shtëpi në rastin më të mirë i kalon 1200 euro.

Shumica e familjeve shqiptare nuk i kanë këto mundësi financiare.

Prandaj qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme pasi situata është jashtëzakonisht e rëndë…

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top