Këshilla & Arsye

May 10, 2017 | 10:37

Dr.Blerta Gjoni: Nishanet, bëni kontrolle çdo vit!

Sëmundjet e lëkurës janë një proces që më së shumti shfaqen në ndryshimin e stinëve, sidomos me futjen e pranverës dhe verës. Ndikimi i rrezeve të forta të diellin bën që lëkura të pësojë dëmtime serioze dhe problematike. Mjekja dermatologe-estetike pranë Poliklinikës Qendrore të Specialiteteve në Tiranë, këshillon një kujdes maksimal në këto periudha, duke i mëshuar fort problematikës më të hasur, shfaqjes dhe acarimit të nishaneve. Në muajin e ndërgjegjësimit të kontrolleve që duhen bërë ndaj melanomave, ajo pohon se vëmendja duhet të jetë e larta për të shmangur rrezikun fatal.

blerta-gjoni

Dr.Shk.Blerta Gjoni Poliklinika Qendrore Tiranë

  • Sëmundjet më të përhapura janë të natyrës mykotike, por edhe me terrene alergjike, ndërsa një pjesë janë sëmundje me predispozitë gjenetike. Në faza të ndryshme të jetës shkaktarë janë faktorët stresantë, ambientalë si rrezatimi diellor, kohor si stina e pranverës me ndjeshmëri ndaj alergjenëve, pluhurave, detergjenteve, të cilët ndikojnë në shpërthimin e sëmundjeve të lëkurës në grupmosha të ndryshme dhe prek të dy sekset në mënyrë të barabartë. Nëse diagnostikimi është i menjëhershëm, sëmundja shkon drejt përmirësimit, në të kundërt ka përkeqësim. Kontrollet duhet të jenë herëpashershme.
  • Ndërgjegjësimi i pacientëve për mua do të thotë reagim i menjëhershëm për çdo ndryshim që shohin në lëkurë. Jo gjithmonë duhet të presin të shoqërohen me ndjeshmëri si kruarje, dhimbje ose ënjtje. Theksoj, ka rëndësi që sëmundja të kapet në hapat e parë, në mënyrë që të mos përhapet te personat e tjerë, familjarë ose kolektive kur janë sëmundje ngjitëse të lëkurës. Në raste dyshuese, rekomandimi për në shërbimin dermatologjik të QSUT kërkon diagnozë specifike, kryerjen e biopsisë dhe shtrimin spitalor.

melanoma

  • Në pranverë rrezatimi diellor mund të ndikojë në përmirësimin e disa sëmundjeve të lëkurës, ndërsa mund të ndodhë e kundërta për disa sëmundje të tjera. Ndaj këshillohet vizita te dermatologu për të ditur gjendjen reale të lëkurës. Kujdes duhet treguar ndaj zonave të ekspozuara për shfaqjen e njollave kafe. Rekomandohet kremi mbrojtës për fototipin e lëkurës dhe për moshën e pacientit. Kujdes duhet treguar edhe për zonat e depigmentuara të fytyrës dhe duarve, ku mund të diagnostikohet si vitiligo e lëkurës. Nëse nuk ruhen nga dielli, ato rrezikojnë thellimin e problemit dhe përhapjen edhe në zona të paekspozuara. Në muajin maj ne bëjmë fushata ndërgjegjësimi të popullatës mbi kontrollin e nishaneve nga mjekë dermatologë me anë të aparaturave dermatoskopike për parandalimin e kancerit të lëkurës, ku më agresivi konsiderohet melanoma. Një herë në vit çdo person duhet të kryejë kontroll të plotë të nishaneve te mjeku dermatolog si dhe të përdorë masa mbrojtëse si kremra me SPF+.

nderhyrjet

Estetika

Edhe në specialitetin e dermatologjisë sa vjen dhe bëhen më të rëndësishme ndërhyrjet estetike në lëkurë nga dermatologë që trajnohen dhe specializohen herë pas here jashtë vendit për të qenë sa më të përditësuar dhe cilësor në ndërhyrje të tilla. Duke qenë se dermatologjia është një specialitet sa i bukur aq edhe i vështirë, është përgjegjshmëria e specialistit të zgjedhë metodën e duhur të ndërhyrjes. Pasi ka bërë diagnostikimin e lëkurës, shmang rreziqet që mund të shfaqen, zgjedh materialin cilësor për manipulim. Nuk mund të krahasohen mjekët e diplomuar, specializuar në dermatologji dhe njëkohësisht me trajnime brenda dhe jashtë vendit me persona joprofesioniste. Para çdo ndërhyrje invazive si mesoterapia, prp, botox, fillers, lazer, peeling, duhet t’i paraqitet pacientit një fletë konsensusi ku bien dakord me pritshmëritë si edhe efektet e mundshme sekondare që mund të shfaqen dhe që po nga mjeku dermatolog trajtohen e shërohen. Kujdesemi që materialet që përdorim të mbahen brenda standardeve, t’i shpjegojmë pacientit çfarë materiali injektojmë, pasi ndodh jo rrallë që diku tjetër bëhen ndërhyrje të tilla dhe për efekte sekondare, drejtohet te ne, e kjo s’është aspak e drejtë. Njerëzit sa vijnë po ndërgjegjësohen që vizitat dhe ndërhyrjet estetike të lëkurës për rinimin e saj të bëhen nga mjekë dermatologë me përvojë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top