Mirëqenie

October 26, 2018 | 14:16

Dr. Ina Xhaxho / Anestezia e përgjithshme, të kurosh dhëmbët pa dhimbje e frikë

Higjiena dentare nuk mund të jetë një trend kurrsesi, por një nevojë periodike dhe e vazhdueshme për korrigjimin, trajtimin dhe parandalimin e probleme shëndetësore. Nëse dikur i frikësoheshim frezës, apo gjilpërës anestetike, nga pamundësia e teknologjisë së përparuar, sot i kemi të gjitha shanset për t’i realizuar të gjitha ato shërbime që deri dje i shtynim nga ankthi dhe stresi.

Nga Orjona TRESA | Foto: Vlasov SULAJ

Dr. Ina Xhaxho, stomatologe pranë “Spitali i zemrës Dr.Roland Xhaxho” në Tiranë, pohon se alternativat e fjalës së fundit të shkencës, i përkasin një mekanizmi strukturë që nga pajisjet e deri mjekët e specializuar, për trajtimin e rasteve nga më të ndërlikuarat, por edhe për pacientët me aftësi të kufizuar. Anestezia e përgjithshme është arma sekrete e një shërbimi pa dhimbje, frikë dhe vuajtje nga ndjesitë e shpjeguara psikologjike që mund të shkaktojë.

Çfarë është anestezia gjenerale?

Anestezia e përgjithshme është një zgjidhje për pacientët me aftësi të kufizuar dhe për ata të cilët janë odontofobik, pra kanë frikë nga dentisti. Anestezia e përgjithshme është një gjendje e veçantë, e induktuar me rrugë farmakologjike, e cila karakterizohet nga ato veprime reversible mbi sistemin nervor qendror, që përcaktojnë palëvizshmërinë ndaj stimujve të dhimbshëm. Anestezia e përgjithshme realizohet nëpërmjet kalimit të pacientit në 4 faza: Premedikimi; Induksioni; Mbajtja e anestezisë; Zgjimi.

Ju merreni me pacientë me aftësi ndryshe, si është bashkëpunimi me ta?

Pacientët me aftësi të kufizuar janë pothuajse jo bashkëpunues tek dentisti dhe shumica e dentistëve e kanë të pamundur t’i diagnostikojnë dhe t’i zgjidhin problemin e tyre. Tek ky grup pacientësh është vënë re në bazë të studimeve të kryera, që higjiena e gojës dhe kariesi dentar janë shumë të shprehura. Në studion tonë dentare deri tani, kemi trajtuar një numër të konsiderueshëm të pacientëve me aftësi ndryshe. 

Një numër të madh zënë vend fëmijët autikë, duke u ndjekur nga ata me sindromën down, tetraplegjikët, epileptikët dhe jo i vogël ka qenë edhe numri i pacientëve odontofobi apo i atij grupi pacientësh që kanë reflekse të mëdha të të vjellit, duke bërë pothuajse të pamundur lejimin e kryerjeve të procedurave dentare në kushte normale. Të bësh një dignostikë të saktë të një pacienti autik p.sh, apo të një pacienti me kujdes të veçantë në kushte normale, është pothuajse e pamundur. Për këtë arsye në momentin e vënies së pacientit në gjumë, me ndihmën e grafisë së gojës arrihet diagnoza e saktë.

Cilat janë indikacionet për anestezi të përgjithshme në stomatologji?

Kushtet kryesore në të cilat anestezia e përgjithshme gjen përdorim janë:

  1. pamundësia për të bashkëpunuar me pacientët me aftësi të kufizuar (autizmin, sindroma down, i vonuar mendor idiopatik, epileptike, tetraplegjike, paralizë cerebrale dhe çrregullime psikiatrike;
  2. Mungesa e efikasitetit, mundësisë së përdorimit të anestezisë lokale, sekondare ndaj infeksionit akut;
  3. nevoja e menjëhershme për terapi invazive, të një natyre kirurgjikale ose shumë-specialiste;

Pra, për nevojat dentare me anë të anestezisë së përgjithshme arrihet që në një seancë të vetme pacientë të gjejnë zgjidhje për të gjitha problematikat e tyre. Planifikimi i një procedure dentare nën anestezi të përgjithshme: Pacienti vjen në klinikën tonë i shoqëruar nga familjarët e tyre. Në atë ditë kryhet anamneza mjekësore nga mjeku kardio-anestezist Prof.Dr.Roland Xhaxho, i cili kërkon të dijë të gjitha problemet shëndetësore të pacientit. 

Pasi familjarët bien dakord, caktohet një ditë për procedurën. Familjarët marrin të gjitha këshillat e nevojshme që duhet të zbatojnë para ndërhyrjes. Me paraqitjen e pacientit në ditën e caktuar, i bëhen një sërë analiza të nevojshme, më pas ai monitorohet dhe fillon induktimi i anestezisë.

Preparati i përdorur është propofoli, i cili eliminohet shpejt nga organizmi. Procedurat minimalisht zgjasin rreth 4-5 orë, në varësi të nevojave dentare të pacientit. Ne punojmë me ekip stomatologësh, të cilët janë të specializuar në fusha të ndryshme në dentistri. Theksojmë se të gjitha procedurat dentare kryhen në një poltron dentar brenda një seance.

Cila është postprocedura?

Zgjimi. Pas përfundimit të procedurës, pacientit i ndalohet dhënia e propofolit dhe stimulohet zgjimi. Zakonisht, zgjimi nuk është aspak problematik. Fëmijët janë thjesht sikur kanë dalë nga një gjumë me ëndrra. Përafërsisht 30 minuta, pacienti së bashku me familjarin e tij, mund të largohen lehtësisht nga klinika. Në përvojën tonë lidhur me këtë grup pacientësh kemi vënë re që çdo procedurë dentare si pastrimi i gurëzave, mbushjet e klasave të II, terpait kanalare mbushjet e gradës III, ekstraksonet dentare dhe protezimi mund të kryhet nën anestezi të përgjithshme.

Cili është avantazhi i anestezisë së përgjithshme?

Avantazhi që ne i kryejmë këto procedura, është se ndodhemi brenda një strukture spitalore “Spitali i zemrës Dr.Roland Xhaxho” dhe se mjeku Prof.Dr. Roland Xhaxho, me pasionin e tij të pashtershëm do të ndihmojë sa më shumë pacientët në nevojë.

Cilat janë ndjesitë që merr pas një pune me fëmijët me aftësi ndryshe?

I dua pa fund fëmijët, por në momentin që janë nën anestezi të përgjithshme, arrij t’i shkëpus sentimentalizmat. Jam aty për t’u shërbyer këtyre fëmijëve, që as nuk arrijnë të flasin. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur pacienti me familjarin paraqitet në klinikë me një vizatim të bërë nga duart e të voglit.

Kur do e rekomandonit një anestezi të përgjithshme?

Unë vetë kam hequr tre dhëmballët e pjekurisë. Efektet anësore janë pothuajse “zero”. Në këto katër vite, deri tani asnjë rast problematik nuk është shfaqur me problematika. Në studion tonë dentare kryhen edhe të gjitha proceduarat e tjera dentare. Falënderoj Prof dr. Roland Xhaxho për ndihmën dhe mbështetjen që na jep, për të na ndihmuar dhe gjetur zgjidhje tek këto grupe pacientësh.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top