Nëse 5 shekuj më parë mjekimi bazë për gurët në veshka ishte uji, po njësoj edhe sot rekomandohet konsumimi i sa më shumë lëngjeve. Shqetësimet dhe krizat që manifeston sëmundja përshkruhen gati-gati njësoj, ndërsa lundrohet në të njëjtat ujëra edhe kur flitet për shkaktarët që çojnë në formimin e gurëve në veshka. Për prof.dr Myftar Barbullushin, mjekimi tradicional mbetet bashkëkohor edhe sot.
Por ky nuk është i vetmi pikëtakim me të kaluarën e largët. Duke na vënë përballë letërkëmbimin e piktorit, skulptorit dhe poetit italian Michelangelo Buonarroti, doktori heq paralelet mes dy kohëve, dy realiteteve, që duken se nuk janë edhe aq të largëta kur bëhet fjalë për gjenezën e sëmundjes, masat për parandalimin dhe metodat e trajtimit.
“Edhe pse 500 vjet më parë, Michelangelo piketon mjekimin tradicional që mbetet bashkëkohor edhe sot, mjekimin e tyre kryesisht me lëngje dhe banjat termale, megjithëse kjo e fundit diskutohet shumë në kohët moderne. Nëse i referohemi parandalimit dhe mjekimit të sotëm të gurëve në veshka.
“Lionardo, po të shkruaj për një krizë të fortë veshkash, e cila është aq e tmerrshme, sa mund ta përshkruajë vetëm ai që e ka provuar. Më dhanë të pi shumë ujë dhe nxora me urinë copëza gurësh në ngjyrë të bardhë e më pas u qetësova shumë. Me ndihmën e Zotit, shpresoj që të paktën për ca kohë të jem i qetë…”, i shkruante më 15 mars të vitit 1549, i madhi Michelangelo Buonarroti, nipit të tij Lionardo Buonarroti Simoni. (Letter 323). Ky magjistar i gdhendjes në mermer të veprave të një bukurie të pashoq, me këto fjalë do të gdhendte në imagjinatën tonë ç’do të thotë krizë e gurëve të veshkave, të cilën e përshkruan të tmerrshme, si dhe elemente jashtëzakonisht të domosdoshme në vënien e diagnozës, dhe sidomos në mjekimin e tyre. Gratë e përshkruajnë atë si një dhimbje që tejkalon dhimbjet e lindjes, ndërsa studentëve të mjekësisë u thuhet se pacienti përpëlitet në shtrat si gjeli që i kanë prerë kokën. Njihen në literaturë edhe raste vetëvrasjeje nga stresi i dhimbjes. “Mëngjes dhe darkë, për rreth dy muaj, po pi ujë prej një burimi që është rreth 40 milje nga Roma (Viterbo). Mjekët më thonë se ky ujë shkrin gurët e veshkave. Prej tij unë po nxjerr copa gurësh në urinë. Unë jam aq i lidhur me të, sa nuk pi apo ha asgjë tjetër”. (Letter 334, Letter 325). Edhe pse 500 vjet më parë, ai piketon mjekimin tradicional që mbetet bashkëkohor edhe sot, mjekimin e tyre kryesisht me lëngje dhe banjat termale, edhe pse kjo e fundit diskutohet shumë në kohët moderne. Nëse i referohemi parandalimit dhe mjekimit të sotëm të gurëve në veshka, këshilla më e mirë, absolute dhe më e rëndësishme është të pish në mënyrë uniforme gjatë ditës rreth 2 litra ujë. Një metodë e thjeshtë, por efikase. Përbërja e ujit në minerale dhe aciditeti i tij janë të rëndësishëm. “Michelangelo vuan nga kripërat në urinë, të cilat së fundi janë kthyer në gurë në veshka, dhe prej vitesh ai është në duart e mjeshtrit Realdo Colombo, shoku i tij i ngushtë, i cili e trajton atë me injeksione dhe me një dietë të veçantë…”, do të shkruante në vitin 1540 biografi i tij, Giorgio Vasari, duke evidentuar kështu një koncept shumë të qartë që në atë kohë, që gurët formohen nga kripëra minerale dhe/ose substanca organike të pranishme në urinë në formë të tretur dhe dieta është një element shumë i rëndësishëm. Të dhënat e sotme të shkencës janë në harmoni të plotë me faktin që 75-80% e gurëve në veshka kanë në përbërje të tyre kryesisht oksatatin e më pak fosfatin e kalciumit dhe se oksalatet, kalciumi dhe fosfori në përbërje të ushqimeve kontribuojnë në formimin e gurëve. Edhe aciditeti i urinës konsiderohet i rëndësishëm në formimin e gurëve. Përkundrazi, citratet, kaliumi dhe magneziumi janë substanca që pengojnë formimin e gurëve. Vetëm në 5-10% të rasteve përmbajtja e gurit është nga acidi urik, duke e bërë të domosdoshme ruajtjen e copëzave të gurit që dalin nga veshkat për të përcaktuar përmbajtjen e gurit në laborator. Është kjo arsyeja që limoni, si rezultat i përmbajtjes me citrate, do të ishte i përzgjedhur. Më pak portokalli, sepse përmban sheqer dhe i dëmshëm konsiderohet konsumimi i qitros. I diskutueshëm shumë është efekti i kafesë dhe i çajit në formimin e gurëve në veshka, ndërkohë që alkooli duhet të evitohet.
Më i rëndësishëm është kufizimi i kripës në ushqime, pasi kripa rrit nivelin e kalciumit në urinë, i cili çon në formimin e gurëve. Proteinat e mishit kanë shumë aminoacide që përmbajnë sulfur. Ky i fundit në urinë kthehet në acid sulfurik, i cili e bën urinën acide e për pasojë favorizon precipitimin e kripërave. Ndaj, në moshat e avancuara, kufizimi i mishit të kuq ul tendencën për të formuar gurë në veshka. Perimet dhe frutat e freskëta duhet të jenë të preferuara në dietën e këtyre të sëmurëve, pasi ato përmbajnë kalium edhe citrate që parandalojnë formimin e gurëve. Me një logjikë të thjeshtë, do të duhej që ushqimet që përmbajnë kalcium të kufizoheshin. Nuk është tamam kështu, sepse kalciumi i marrë me ushqime pjesërisht thithet në zorrë dhe pjesërisht lidhet me oksalatet e ushqimeve dhe eliminohen së bashku me jashtëqitjen, duke pakësuar kështu oksalatet në urinë. Kjo gjë nuk vlen për kalciumin e marrë si ilaç nga goja, i cili shton mundësinë e gurëve në veshka, pasi i pirë jashtë vakteve të ushqimeve nuk ka oksalate për t’u lidhur dhe përthithet i gjithi në zorrë. E dëmshme është marrja e vitaminës C në tableta në këta të sëmurë. Kujdes: shmang ushqimet e konservuara dhe frutat e thata. “Mjekët më thonë se vuaj nga një lloj podagre, prej së cilës kam dhimbje në këmbë dhe në duar…” (Letter 405).
Pikërisht acidi urik i rritur në sëmundjet e podagrës duhet të ketë qenë shkak i gurëve të veshkave të artistit, vërejnë studiuesit e tij. Në fakt, në 5-10% të rasteve përmbajtja e gurit është nga acidi urik. Është kjo arsyeja që te të sëmurët me mbipeshë, me yndyra të rritura, apo me diabet, nivelet shpesh të larta të acidit urik në gjak janë shkaktarë të gurëve në veshka. Matja e nivelit të acidit urik, pra uricemisë dhe e aciditetit të urinës, në të cilin kripërat e acidit urik precipitojnë me formim gurësh, është e domosdoshme në këtë kategori pacientësh. Epidemia e mbipeshës dhe e diabetit në USA dhe në Europë është shoqëruar me një rritje të theksuar të shpeshtësisë së gurëve në veshka, që ka arritur në 6-7% të popullatës adulte. “Mjekët thonë se unë vuaj nga gurët dhe sëmundje në veshka. Ata vazhdojnë të më trajtojnë për këtë sëmundje të keqe të veshkave, edhe pse kanë shumë shpresa…” (Letter 323). Në këtë letërkëmbim ai lë të nënkuptosh se gurët e shpeshtë i kishin dëmtuar funksionin e veshkave, humbja e të cilit shoqërohet me lodhje të madhe, pasi helmimi i organizmit nga helmet organike që nuk eliminohen dot nga veshkat, anemia, tensioni i lartë janë shenja që konfirmojnë këtë dëmtim të funksionit të veshkave. Pak kohë pas kësaj letre, gjendja e tij do të rëndohet shumë dhe ai do të vdesë, ndoshta nga azotemia, pasi nuk kishte dializë apo transplant me të cilën mjekohen sot të sëmurët me humbje të funksionit të veshkave si shkak i gurëve në veshka. Rreth 20% e të sëmurëve tanë që bëjnë dializë apo janë transplantuar si shkak i sëmundjes, kanë pasur gurët apo infeksionet e rrugëve urinare të patrajtuar ashtu siç duhet. Ky fakt është shumë i rëndësishëm, pasi në përgjithësi të sëmurët nuk e dinë që përpos dhimbjes së fortë që japin gurët në veshka, më e keqja është prishja e funksionit të veshkave. Ndoshta dhe urologët nuk janë aq të qartë në këtë gjë, sepse nuk mund të shpjegohet ndryshe fakti që një pjesë e tyre, pasi diagnostikojnë e mjekojnë gurët në veshka, nuk u rekomandojnë të sëmurëve të bëjnë të gjitha analizat për të gjetur shkakun dhe përmbajtjen e gurëve, në mënyrë që të parandalojnë riformimin e tyre. Brenda dy deri në pesë vjet pas një episodi të gurit në veshka, i sëmuri ka 50% shanse të formojë përsëri gurë, nëse nuk merr masat e domosdoshme parandaluese.
VESHKA DHE ARTI
“Secili piktor pikturon veten e tij”, i atribuohet Michelangelo-s nga biografi i tij, Vasari. Në kohën që pikturonte Kapelën Sistine, ai vuante nga gurët në veshka dhe ndoshta edhe për këtë arsye ai ishte familjar me strukturën dhe funksionin e veshkave, elemente të së cilës ai do t’i përdorte edhe në artin e poezinë e tij. Konceptet dominuese të funksionit të veshkave në atë kohë bazoheshin në mësimet e Galenit, sipas të cilit veshkat ishin të pajisura me një forcë atraktive, që u lejonte atyre të ndanin skorjet nga pjesa serioze e gjakut, element ky i përdorur me shumë mundësi nga Mjeshtri i madh në Kapelën Sistine, ndërmjet 1508-s dhe 1512-s, në skenën e Separation of the Waters from the Firmament, për të ilustruar librin e Gjenezës.
MICHELANGELO, GURËT NË VESHKA DHE ASTRONAUTËT
Pikërisht këtë imazh magjik që ilustron librin e Gjenezës, të pikturuar në Kapelën Sistine, do ta stamponte në makinën e famshme Robonaut-2, ndërtuar nga NASA dhe General Motors, grupi i astronautëve që punojnë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, që jo rastësisht do ta quanin “Man and Machine”, ku astronautët janë në rolin e Zotit, ndërsa Robonaut-ët në atë të Adamit. Megjithatë, pakkush e di se përveç kësaj sigle magjike, astronautët kanë edhe një fakt tjetër të përbashkët me Michelangelo-n. Ata vuajnë shumë nga gurët dhe krizat në veshka. Sa larg duhet të shkojë imagjinata të kesh një krizë të tmerrshme veshkash i ndodhur me qindra mijëra kilometra larg tokës?! Është kjo arsyeja që NASA i përjashton apriori nga udhëtimet në hapësirë ata pilotë që kanë vuajtur nga gurët në veshka apo kanë histori familjare për gurë në veshka. Vetëm vitet e fundit, ajo ka financuar një sërë studimesh për mekanizmat e formimit të gurëve në veshka dhe sidomos në ata që udhëtojnë në hapësirë. Mungesa e gravitetit bën që kocka të mos i nënshtrohet peshës së zakonshme trupore, duke çuar në dalje të kalciumit nga kockat dhe eliminimin e tij nëpërmjet veshkave, ku jo rrallë mbetet në rrugët urinare në formë të gurëve. Mendohet se falë këtij mekanizmi, daljes së kalciumit nga kockat, gratë me osteoporozë janë më të favorizuara të kenë gurë në veshka në raport me ato që nuk vuajnë nga ky problem, duke konfirmuar kështu rëndësinë e metabolizmit të kripërave, e sidomos të kalciumit, në mekanizmat e formimit të gurëve në veshka. Edhe Ministria e Mbrojtjes Amerikane ka financuar shumë studime mbi gurët, pasi ushtarët amerikane në Irak kanë vuajtur shumë nga gurët në veshka. Temperaturat e larta në Irak, veshjet me uniforma mbrojtëse të trasha, pesha e armëve dhe pajisjeve të tjera të rënda bëjnë që ata të djersijnë shumë dhe duke mos pasur shumë kohë e mundësi për të pirë aq sa duhet lëngje me qëllimin për të evituar shkuarjen e shpeshtë në banjë gjatë patrullimit në zona të rrezikshme, çojnë në pakësim të lëngjeve trupore, rritje të përqendrimit të kripërave në urinë, e për pasojë gurë në veshka. Sipas shkencëtarëve, shpeshtësia e gurëve në veshka ka ardhur duke u rritur edhe për shkak të ngrohjes globale. Respekti ndaj mjekut ndikon shumë në empathinë dhe kompliancën e mjekimit e për pasojë të rezultateve të tij. Michelangelo i është shumë mirënjohës mjekut të tij, Realdo Colombos, kur më 22 maj të vitit 1557, do t’i shkruante Vasari-t: “Unë jam i shkatërruar fizikisht dhe ndihem si një plak, nga shqetësimet e veshkave, gurët dhe krizat e Messer Eraldo (Colombo) kujdeset për mua, sepse unë ia kam dorëzuar jetën time atij”. (Letter 434). Epitafi i tij në 1544: “Ethe, ije, dhimbje, sëmundje, sytë dhe dhëmbët (fevers, flanks, aches, diseases, eyes and teeth)”. /Panorama/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.