Mirëqenie

January 21, 2019 | 12:22

Dr.Oriola Zenelaj / ‘Perfect Dental Center’, efikasiteti i thjeshtësisë

Cilësia nis te higjiena dhe anasjelltas. Nëse ajo që po kërkon ka si qëllim të parën, por dhe të dytën, atëherë është shërbimi që ti meriton. Stomatologjia është një degë tepër e rëndësishme e mjekësisë, prej nga ku varet mirëqenia e individit. Nëse një problematikë mjekësore jep shenjat e para aty, prej aty mund të fillosh të kurosh më shumë se aq për organizmin.

E themeluar prej dhjetë vitesh, “Perfect Dental Center” është alternativa që u vjen në shërbim pacientëve në dy adresa të mirëmenduara. Ajo ju vjen në shërbim për të gjitha ndërhyrjet që ju dëshironi.

Kur është themeluar “Perfect Dental Center” dhe pse kjo zgjidhje në dy adresa?

Perfect Dental Center është themeluar prej gati një dekade. Kemi zgjedhur të jemi në dy adresa pasi stafi ynë përbëhet prej katër mjekësh të specializuar në fusha të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Në këtë mënyrë, përvojat tona mund të shfrytëzohen maksimalisht. Mjekët e stafit të Perfect Dental Center janë: Dr. Taolant Rabeta (Kirurgji/Implantologji), Dr. Oriola Zenelaj (Ortodonci/Estetikë faciale), Dr. Mimika Ndrecka (Ortodonci), Dr. Jerina Gjoka (Pedodonti). Klinikat tona janë të lokalizuara në dy zona të ndryshme të kryeqytetit. Klinika e parë ndodhet pranë Bulevardit “Zogu i Parë” dhe e dyta, në periferi të Tiranës, në zonën e Kombinatit.

Në përvojën si mjeke, cilat janë problematikat?

Problematikat që hasim te klinika e parë janë më tepër estetike, si: punimet E-max dhe zircon, kurorat mbi implante, aparatet ortodontike estetike, trajtimet estetike me acid hialuronik, ndërsa te klinika e dytë hasim më tepër probleme që lidhen kryesisht me zëvendësimin e dhëmbëve me proteza fikse dhe të lëvizshme, trajtime restorative dhe endodontike, trajtime ortodontike dhe kirurgjikale.

Çfarë sillni si vëmendje apo nevojë ndërhyrjeje në lëmin e gjerë të ortodontisë?

Problemi që hasim më shpesh është fakti që prindërit i sjellin fëmijët me shumë vonesë dhe nuk arrijmë t’i kapim problemet në kohë. Konsulta me ortodontin duhet të jetë në moshën 4-5 vjeçare, sepse ka problematika që kanë nevojë për ndërhyrje që në këtë moshë. Disa vese që fëmijët mund të kenë, si: mënyra e të ushqyerit, fëmijët ushqehen me produkte të gatshme, çka bën që nofullat e tyre të mos zhvillohen, gjë që çon në nofulla të ngushta dhe në nevojën për një aparat zgjerues. Po ashtu, mbajtja e tejzgjatur e biberonit, mbajtja e gishtit në gojë, ngrënia e thonjve, çojnë në probleme ortodontike të mëvonshme. Probleme si deviacionet e septumit, polipet nazale, zmadhimi i tonsilave na çon në pacientë me frymëmarrje orale dhe njëkohësisht nuk e lejojnë nofullën e sipërme që të zgjerohet.

Sa e vështirë është të menaxhosh emocionet e pacientit, ankthin e tij?

Emocionet e pacientëve janë të ndryshme në grupmosha të ndryshme. Për pacientët e vegjël, që nuk kanë shkuar ndonjëherë te dentisti, zhvillojmë një seancë të parë të karakterit informativ, e njohim me ambientet e klinikës dhe procedurat që do të kryejmë. Në vazhdim, fillojmë të ndërhyjmë. Kurse në moshat e rritura, emocionet vijnë kryesisht si pasojë e përvojave traumatike të mëparshme. Në këto raste, thelbësore është komunikimi, krijimi i besimit nga ana e pacientit dhe sigurisht procedurat pa dhimbje dhe atraumatike.

Përveç ortodontisë, ju operoni dhe në shërbime të tjera, konkretisht?

Ortodoncia është fushë e gjerë dhe ne, krahas ortodoncisë tradicionale, procedojmë dhe me ortodoncinë  transparente (maskerinat) dhe atë linguale, që janë të padukshme dhe shumë të përshtatshme për pacientë të rritur. Gjithashtu, një pikë e fortë e klinikës janë trajtimet estetike të fytyrës, si: rritja e volumit të buzëve dhe të mollëzave, rrudhat nazolabiale, rrudhat rreth syve, rrudhat rreth buzëve, rrathët e zinj poshtë syve, rregullimi i disproporcioneve të hundës dhe mjekrës, të gjitha këto me acid hialuronik. Për sa i përket fushës së kirurgjisë, në klinikën tonë aplikohen të gjitha llojet e ndërhyrjeve kirurgjikale, duke filluar që nga ekstraksionet e thjeshta deri tek ato kirurgjikale të dhëmbëve të retinuar, nëpërmjet aplikimit të piezo kirurgjisë. 

Gjithashtu, implantologjia, ose siç njihet ndryshe mbjellja e dhëmbëve, e cila është një nga disiplinat më bashkëkohore në shkencën e stomatologjisë dhe konsiston në zëvendësimin e dhëmbëve që mungojnë në kavitetin oral me vida intrakockore titaniumi, aplikohet masivisht në klinikat tona. Një vend shumë të rëndësishëm në praktikën tonë të përditshme zë edhe disiplina e ortopedisë, e cila konsiston në rehabilitimin e nofullave me mungesa të dhëmbëve të ndryshëm, zëvendësimi i të cilëve bëhet nëpërmjet punimeve protetike të lëvizshme dhe atyre fikse si kurorave metal-porcelan, zirkon si dhe E-max.

Emocionalisht sa ju përmbush ky profil pune dhe si ndiheni përgjatë këtij rrugëtimi?

Është profesion i bukur, por njëkohësisht dhe i vështirë. Është e rëndësishme të jesh gjatë gjithë kohës në kontakt me inovacionet në teknologji, teknika si dhe materiale. Megjithatë, kur shikon ndryshimet dhe punët e realizuara mirë, sadisfaksioni që merr është i papërshkrueshëm.

Cila është A-ja e suksesit për suksesin në fushën e stomatologjisë?

Është puna e realizuar mirë dhe me cilësi, kjo në sajë të përkushtimit maksimal dhe pajisjeve më inovatore të fushës së stomatologjisë që ne disponojmë, si: grafi panoramike, grafi digitale, piezo surgery që shërben për heqje jo traumatike, endomotor, apexlocator për mbushje perfekte të gradave të treta, mikroskop për një pamje më të mirë të fushës operatore si dhe materialeve që përdoren në klinikën tonë, të cilat janë nga më bashkëkohoret dhe të cilësisë maksimale, të certifikuara në tregun ndërkombëtar të materialeve dentare, si dhe sterilitet maksimal. Por nuk duhet lënë pa përmendur edhe komunikimi, nëpërmjet të cilit krijohet një urë besimi mjek-pacient, shumë e rëndësishme për mbarëvajtjen e punës sonë të përditshme.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 133

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top