Ka një njësi matëse për të mund të kuptuar shkallën e maturisë së dikujt. Por kjo sipas këndvështrimit tim, sepse asgjë nuk është absolute. Unë mendoj dhe them se pozitiviteti është ai virtyt që ndan shkallën e maturisë tek një individ. Dhe kjo drejt asaj mase që nënkupton formimin, besimin, mënyrën e të shprehurit dhe vlerësimin që ka për gjithçka e rrethon dhe shënjon jetën personale. Këtë përshtypje më dha nga ky bashkëbisedim aktori Drilon Hoxha, të cilit i kërkova një opinion mbi temën, pjekuria shpirtërore.
Nga Orjona TRESA
Është një kohë kur mësojmë të ecim vetë në jetë, bëhemi më selektivë, mësojmë nga gabimet, mësojmë të kërkojmë falje e me radhë. Si ka qenë për ju në periudha të ndryshme të jetës, fëmijëria, adoleshenca, deri më sot?
Çdo periudhë e jetës ka qenë një etapë më vete për mua, për të njohur veten time më mirë, se çfarë më pëlqente të bëja në jetë dhe çfarë rruge dëshiroja të ndiqja. Vetëbesimi është forca më e madhe që njeriu duhet ta gjejë që në fëmijëri e ta ndjekë përgjatë gjithë jetës së tij.
Ulje-ngritjet e bëjnë njeriun të vetëdijshëm për shumëçka bëhet pjesë e interesave të tij më vonë, kanë ndikuar këto rrethana dhe nëse mund të më rrëfesh një situatë?
Të gjithë kemi ulje-ngritjet tona, jo vetëm në punë, por edhe në jetë. Vetë njeriun e karakterizon të kalojë situata të ndryshme, që gjithmonë të mbushin akoma me më shumë forcë për të ecur përpara në rrugëtimin e jetës tënde dhe atë profesionale.
Pjekuria shpirtërore është edhe mënyra si të vësh veten në këpucët e tjetrit, pa gjykuar dhimbjen e tyre, ashtu siç nuk dëshiron që vetvetja të gjykohet. Jeni gjykuar në jetë dhe si ia keni dalë?
Jetojmë në një vend ku gjykimet dhe paragjykimet na shoqërojnë kudo në rrethin shoqëror, punë apo të afërm. Në këtë rast do të doja të jepja një këshillë të cilën ia përsëris shumë shpesh vetes. Kurrë mos u dorëzo, çfarëdo që t’i të bësh, merr vetëm energjinë pozitive dhe fale atë po ashtu!
Ju merreni me art, sa e vështirë është të ruash pjekurinë shpirtërore të brishtë, pa lejuar kënd ta cenojë?
Artin duhet ta mbrojmë të gjithë si diçka të shenjtë, në të gjithë llojin e tij. Jam një mbështetës shumë i madh dhe arrij ta vlerësoj atë në çdo aspekt. Artistët bëjnë një punë shumë të madhe dhe kërkojnë gjithashtu mbështetje dhe vlerësim. Nëse i fal një artisti pozitivitet, jam i sigurt që ka për të dhënë shumë nga vetja.
Të qëndruarit vetëm mundëson të reflektosh mbi atë që provon, mbi atë që ke provuar dhe mbi atë që nuk do ta dëshirojë kurrë ta provosh. E përdor këtë praktikë për të gjetur qetësinë e brendshme?
Qetësia e brendshme është shumë gjë e rëndësishme. Nëse nuk e kam atë, e kam të vështirë të fokusohem në punën dhe krijimet e mia. Mendoj se çdo gjë e bukur lind nga qetësia që ti mund të kesh brenda teje. Çdo mendim dhe ide rrjedh qetë dhe qartë nëse ti fokusohesh në atë çfarë do!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 135
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.