Në fokus

April 2, 2017 | 19:04

Drini Sallaku, i riu që sfidon autizmin me penel. Nëna: Ai ka nevojë për mbështetje konkrete, jo për fasada

Edlira është nëna e Drini Sallakut, djalit me autizëm, i cili tashmë ka gjetur objektivin dhe mundësinë për të përcjellë botën e tij të brendshme që e ka të vështirë ta komunikojë. Në ditën e personave me autizëm, ajo bën thirrje për më shumë vëmendje për këto persona.

“I bëj thirrje ambientit social, strukturave shtetërore e private të mbështesin moralisht dhe financiarisht personat që vuajnë nga ky spektër.

T’u krijojnë një jetë dinjitoze; 
Të mos diskriminohen; 
Sidomos autikët e talentuar e gjenial të fushave të ndryshme. Autikët e meritojnë të jetojnë me dinjitet. Drini është gjeni në pikturë dhe vazhdon të diskriminohet.

AUTIKËT DUAN MBËSHTETJE KONKRETE JO FASADA …! ZOTI I BEKOFTË AUTIKËT,” shkruan ajo në profilin e saj në Facebook.

 

Drini Sallaku, i riu që sfidon autizmin me penel: si i përfunduan pikturat në Nju Jork

Pikturat e tij kanë arritur deri në galeritë e New York. Në ekspozitën e fundit punimi u vlerësua mjaft nga kritikë arti duke e krahasuar me profesionistë të talentuar. çdo ditë i përkushtohet pikturës ku reflekton ngjyrat, shpreh botën e tij dhe përcjell artin nëpërmjet ekspresionizmit dhe peizazhit. Në një objekt që ja kanë ofruar falas pranë Tregut Elektrik në Tiranë, Drini Sallaku pikturon dhe mbush muret me ngjyrat dhe format që tashmë janë kthyer në një mënyrë komunikimi me botën.

Nëna e tij, Edlira e shoqëron kudo dhe kujdeset që ai të ndjehet sa më mirë në studion e tij të pikturës. Prej 4 vjetësh Drini ka gjetur tashmë objektivin dhe mundësinë për të përcjellë botën e tij të brendshme që e ka të vështirë ta komunikojë. Përpjekjet prindërore kanë qenë të mëdha për Edlirën, e cila përballet çdo ditë me vështirësi të mjedisit, të paragjykimeve dhe mënjanimit si autik. Një vit më parë ka tentuar që të birin ta dërgojë në lice artistik por strukturat nuk ia dhanë mundësinë. Edlira nuk ndalet duke kërkuar gjithmonë një të drejtë për të birin që edhe pse ligjet ja lejojnë, shoqëria e ka të vështirë t’i zbatojë.

Pas tri ekspozitave me punime, përkushtimit të përditshëm të nënës dhe vlerësimit të artit të tij, Drini ka marrë frytet e para duke shitur piktura. Paratë i shërbejnë për materialet e pikturës dhe atje në fund të tregut elektrik në një studio interesante vazhdon të shtojë shpresat e familjes së tij me përmirësimin e rrallë se autizmi mund të mundet edhe me pikturë. Për talentin, përpjekjet, vështirësitë dhe zhvillimin e djalit të saj 19 vjeçar, Edlira flet për tesheshi.com…

Edlira, prej sa vitesh djali juaj Drini pikturon dhe si e zbuluat talentin e tij?

Drini ka mbaruar shkollën 9-vjeçare “Mihal Grameno”. Ka rreth 4 vjet që ka nisur  të pikturojë. Fillimisht vizatonte me lapsa apo me pastel. Më pas la lapsin dhe tashmë punon me penel. Autikëve u pëlqen të bëjnë forma abstrakte dhe Drini është i orientuar drejt këtij lloj por edhe pikturës moderne. Shenjat e para të autizmit Drini i shfaqi pas moshës 1 vjeç e gjysmë dhe sidomos pas vaksinës së fruthit.  Fillimisht kishte shenja shumë të rënda si shumica e autikëve të tjerë. E dërgova tek specialistët më të mirë në atë kohë. Ata u munduan për 8 muaj por nuk mundën dot të bëjnë gjë dhe po më humbnin shpresat për rehabilitimin e Drinit. Vazhdova e vetme të punoj në fushën e ndërveprimit social. Im bir kishte humbur kontaktin me botën përreth dhe me përkushtimin e madh arrita që ai të njohë ngjyrat dhe të lidhë fjalët madje edhe të formojë fjali. Fillimisht klasifikonte vetëm një ngjyrë, rozën, ndërsa tani i njeh të gjitha si dhe muzikën. Kam këmbëngulur vazhdimisht dhe tani kupton edhe ngjyrat e ftohta dhe të ngrohtat duke i përcjellë në pikturat e tij. Tani ka gjetur mënyrën për tu shprehur  në ambientin e tij social dhe po na përcjell mesazhe të qarta se çfarë është i aftë të bëjë.

Keni kërkuar dhe keni gjetur mbështetje nga institucionet për rehabilitimin e Drinit?

Mund të them që nuk kam gjetur përkrahje nga askush edhe pse i kam kërkuar edhe autoriteteve shtetërore, pasi forma e vetme që ai të komunikojë është piktura. E  vetmja mbështetje aktuale është pensioni i invaliditetit. Asnjë strukturë shtetërore apo private nuk më ka  mbështetur për rehabilitimin e tij. Specialistët privatë kërkojnë shumë para ndërkohë më janë afruar studentë vullnetarisht për të zhvilluar të folurin por duhet punuar edhe në fushën e artit nga një profesionist për të zhvilluar artin e tij më tej.

Jeni përballur me indiferencë dhe me diskriminim?

Për fat të keq, po. Drinin e kanë vlerësuar mësues të liceut artistik, ish pedagogë, kritikë arti, madje dhe ish drejtuesi i liceut artistik, por ai nuk u pranua në Liceun Artistik. Këtu tek ne mendojnë se po të jesh autik nuk mund të bëhesh mësues apo profesionist në një fushë të tillë. Përgjigja që kam marrë ishte se Drini nuk mund të vazhdojë këtë shkollë se nuk mund të bëhet mësues. Jam ankuar në të gjitha strukturat pasi atij nuk ju dha asnjë laps dhe asnjë letër në konkurs. Më kanë thënë që po e shqyrtojnë por deri tani ende nuk kam marrë një përgjigje.

E kam pasur shumë të vështirë të eci me Drinin pasi shoqëria është shumë diskriminuese. Nuk mbështesin elementë të tillë që kanë zhvillim. Përballemi në çdo ambient me përçmim. Këtu pranohen më shumë kafshët dhe shpendët se sa njerëzit. Shoqëria duhet ta kuptojë që ky njeri mund të jetë produktiv dhe duhet të bashkëveprojnë ose të na ndihmojnë. Duke qenë se nuk e pranua në Lice pse të mos na ofrohet një mësues privatisht? Strukturat shkelin ligjet aq hapur dhe ne nuk kemi një strukturë mbrojtëse. E vetmja për autikët është Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” por që është për një moshë të caktuar. Qendrat janë për aftësi të kufizuar por jo për spektrin autik.

Pikturat e Drinit janë mjaft të kërkuara. Si kanë qenë vlerësimet për to?

Njerëzit i kërkojnë pikturat e tij pasi shohin veçantinë e këtyre punimeve. Ato janë disa dimensionale. Drini kërkon të shprehet, kërkon që ne ta kuptojmë. Dy-tri herë në ditë kërkon të pikturojë. Vendoset në këndin e tij dhe kombinon ngjyrat. Edhe format i bën vetë, pasi nuk ka mësues të specializuar për spektrin e autizmit. Ata janë profesionistë të zotë por nuk mund ti imponohen një autiku. Ai nuk është i zakonshëm në pikturën e tij. Përveç imitimeve ka kreativitetin e tij dhe duket dora e veçantë. Drini nga një gjendje shumë të rëndë, ka arritur të jetë në këtë gjendje. Ai tani është në gjendje edhe të punojë, edhe të punësohet pse jo por përballë kësaj shoqërie duket e pamundur.

Ju keni hapur edhe ekspozita me pikturat e Drinit…

Një prej ekspozitave më të veçanta të Drinit u realizua në oborr dhe u mblodhën të gjithë fëmijët e prindërit. 23 punë u reklamuan në oborr ku interesi ishte mjaft i madh. Ekspozita e dytë u bë në shkollën e tij “Mihal Grameno” ku mori mjaft vlerësime nga shkolla por edhe nga strukturat arsimore. Më pas ka qenë Qendra Ten për një muaj ku u vlerësua dhe u blenë pikturat e tij, një prej të cilave nga ambasadori gjerman Hofman.

Si arrini të gjeni blerës për pikturat e Drinit?

Pjesëmarrja në ekspozita dhe publikimi në faqen e facebook janë një mënyrë për blerësit. Më shumë më kanë kërkuar piktura moderne por jo abstrakte, të cilat ai i ka edhe më të shumta. Drini ka realizuar 154 piktura deri tani. Të gjithë paratë që mbledh nga shitjet shkojnë për blerjen e bojërave dhe telajove që kushtojnë normalisht dhe prandaj janë përdorur formatet e vogla. Do isha e interesuar të kisha mbështetje për këtë pjesën pasi është mjaft e vështirë t’ia dalësh. Aktualisht Drini është duke u ndjekur edhe nga një profesioniste në pikturë dhe ka bërë mjaft përparime. Aktualisht më kontaktojnë sidomos përfaqësues nga OJF, njerëz të njohur për të blerë një pikturë të Drinit. I shohin në faqen time të facebook, i përzgjedhin dhe vijnë i marrin. Kryesisht i marrin për dhurata dhe vlerësojnë veçantinë. Do të fillojmë edhe në formate më të mëdha kur të kemi mundësi ekonomike apo mbështetje.

Piktura që shkoi në Nju Jork

Piktura e Drinit janë vlerësuar deri në Nju Jork. Si është historia?

Në ekspozitën e fundit tek Galeri “Kalo” një prej pikturave të Drinit u përzgjodh për tu prezantuar në një ekspozitë në New York. Drejtuesit e Galerisë sollën përshtypje mjaft pozitive për këtë pikturë.   Shumë njerëz dhe kritikë arti ishin ndalur dhe e kishin vlerësuar. Kur kanë mësuar se ishte vepër e një autiku dhe jo profesionisti janë habitur. Ata janë shprehur se kjo pikturë kishte të njëjtat vlera si ato të një profesionisti dhe piktori me talent. Jam ndjerë shumë mirë për këtë gjë pasi më në fund frytet e shumë përpjekjeve po bëhen realitet. Drini ka talent por kërkon mbështetje që të japë sa më shumë dhe të sjellë vepra sa më të bukura. Jam e bindur që një ditë do të bëhet i famshëm.

Nga Bardha Nergjoni

/tesheshi.com/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top